Dëbora ka zbardhur zonën verilindore të Shqipërisë. Pres mbrëmjes së djeshme deri sot në mëngjes flokët e dëborës kanë zbardhur rrugët në Bashkinë Kukës dhe Pukë.

Reshjet e dëborës kanë qenë me intensitet të ulët dhe shtresa e saj ka arritur deri në 15 centimetra.

Dëbora ka mbuluar jo vetëm malet e fshatrat, por edhe qytetin e Kukësit dhe Pukës. Deri tani nuk raportohet për probleme në qarkullim pasi rrugët janë hapur nga borëpastrueset. Gjithashtu është hedhur dhe kripë në rrugë që të mos krijohen shtresa akulli.

Në orët e para të mëngjesit reshjet kanë përfunduar dhe tashmë situata paraqitet e qetë. Në pjesë të ndryshme të Kukësit dëbora ka filluar të shkrijë.
Emergjencat Civile njoftojnë se nuk ka pasur probleme në transport dhe nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.