Dëgjesë e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, Zhupa: Secili mandat do të shqyrtohet më vete

nga D V

Siç u vendos një ditë më parë me votim unanim, sot Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vazhdoi me procedurën e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, ndaj të cilëve u paraqit një raport ku u renditën shkelje të rënda dhe të përsëritura të ligjit.

Sot u bë një dëgjesë për 9 anëtarët e mbetur të këshillit, pasi dy prej tyre kanë dhënë dorëheqjen. I pari që duhet të fliste sipas rendit alfabetik ishte Albert Minga, i cili nuk ishte paraqitur dhe dëgjesa e tij u quajt e ezauruar. Më vonë, në komision mbërriti qëndrimi edhe i anëtarëve të tjerë: Milena Selimi, Edmond Tullumani dhe Ilir Keko të cilët nuk u paraqitën për të zhvilluar dëgjesën. Dy prej anëtarëve të KDRRTSH, Genci Përmeti dhe Gëzim Podgorica kanë dhënë dorëheqjen me herët.

Gjatë dëgjesës, Ardita Reçi deklaroi se ishte e vetmja anëtare e Këshillit Drejtues të RTSH që nuk e ka votuar Alfred Pezën si drejtor. Gjithashtu shtoi se, ishte e vetmja anëtare e këshillit drejtues që kur drejtori Alfred Peza bëri shkarkime masive në RTSH, ka dalë haptazi në mbështetje të të larguarve e në veçanti të gazetarëve.

Ardita Reçi tha: “Më duket e padrejtë të bëhem viktimë e një grupi të paaftësh dhe të paditurish të cilët i keni zgjedhur vetë ju”.

Reçi kundërshtoi shkarkimin kolegjial i cili, sipas saj, në 2025 është i papranueshëm edhe në këndvështrimin kushtetues.

Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa tha se nuk ka dhe nuk do të ketë një vendimmarrje “en bloc”.

“Secili mandat do të shqyrtohet më vete. Për secilin mandat do të ndërmerret një votim më vete dhe ne do të shprehemi për secilin mandat. Të gjitha do të shqyrtohen nga komisioni në një mbledhje tjetër”, tha Zhupa.

Një tjetër anëtar i KDRTSH që u paraqit në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ishte Dionis Papadhimitri, i cili vuri theksin tek pastërtia e figurës së tij dhe hodhi poshtë pretendimet e ngritura në medie për përfitim fondesh nga RTSH, për një prodhim të tijin kinematografik.

Në replikë Zhupa tha se komisioni nuk ka marrë për referencë këtë çështje por “konflikti i interesit” ka lidhje me vendime të tjera.

Anëtari tjetër i këshillit, Engjëll Ndocaj, tha se situata e krijuar në RTSH është e vjetër dhe se është përpjekur të bëhet pjesë e zgjidhjes, si punonjës prej 45 vitesh në këtë institucion. Kjo situatë, sipas Ndocajt, ka ndodhur edhe me 3 drejtorët paraardhës.

Pas Ndocajt, komisioni dëgjoi kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo, i cili bëri një “mea culpa” për shkeljet e konstatuara nga komisioni, por nënvizoi se nuk kanë qenë asnjëherë të qëllimshme dhe në dëm të punës.

“Nuk mundem apriori të pranoj sajesa e shpifje, kryesisht në portale”, tha Bungo, duke iu referuar edhe akuzave që vetë anëtarët e tjerë të këshillit, kanë bërë ndaj tij për përfitim  fondesh nga RTSH.

Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa tha se Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka një traditë që lidhet me shqyrtimin e emrave të përveçëm.

“Ne kemi mbajtur një qëndrim, sipas të cilit edhe në rastet e emërimit, ashtu edhe në ato të shkarkimit, komunikimet dhe vendimet për emra të përveçëm të mos bëhen në mbledhje të hapura”, tha Zhupa.

Me unanimitet, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, e vazhdoi me dyer të mbyllura procedurën për shqyrtimin e secilit projektvendim për anëtarët e KDRTSH.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More