Prokuroria Speciale ka ftuar për intervistim Sami Kurteshin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kurteshi ka njoftuar se ftesa për intervistim i është bërë pas deklaratave që ai kishte bërë në lidhje me rastin e Astrit Deharit, transmeton Telegrafi.
“Më 16 gusht 2024, me autorizimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, kam pranuar thirrje nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për marrje në pyetje me datë 20 gusht 2024, në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media me rastin e pensionimit të Afrim Shefkiut, i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit, të mbajtur para Prokurorisë Speciale”, ka theksuar ai.
Tutje, ai ka pohuar se ftesa e prokurorisë në thelb nxjerr dy pyetje lidhur me rastin e Astrit Deharit.
“Pas marrjes në pyetje të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si dëshmitare për rastin, pas deklarimit publik në rrjetet sociale, në lidhje me rastin A. Dehari, po për deklarimin publik në konferencë për media për rastin Dehari, më thirr për marrje në pyetje edhe mua”.
Kjo sjellje e prokurorisë në thelb nxjerr dy pyetje thelbore: A po ri-fillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale? Apo po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?”, shkruan ai.
Kurteshi në reagimin e tij ka shtuar se drejtësia për Astrit Deharin do të arrijë, duke shtuar se “Koha vonon, por e drejta nuk shuhet! E drejta domosdo del në shesh”.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka implikuar në rastin e Astrit Deharit, AKI-në, Policinë e Kosovës, Prokurorinë për arrestimet e aktivistëve të tyre lidhur me sulmin që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës më 2016.