Tetovë, 8 maj – Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami realizoi të drejtën e votës në Tetovë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ai së bashku me bashkëshorten votuan në vendvotimin 1947 në gjimnazin “Kirill Pejçinoviq” në Tetovë.
“Sot e shfrytëzova të drejtën time kushtetuese dhe ligjore, të votoj në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, zgjedhje këto shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të dalin të votojnë, sepse me zërin e tyre, ata kontribuojnë në përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Me atë që do të votojnë, ata do të votojnë për fëmijët e tyre, do të votojnë për të ardhmen e tyre. Gjithmonë, mosvotimi është opsioni më i keq se votimi, sepse me këtë po krijojmë një krizë institucionale, e cila më së paku i nevojitet këtij vendi në këtë kohë. Neve na duhen institucione funksionale, të cilat prej nesër do të punojnë me shpejtësi për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”, tha pas votimit Bilall Kasami.
Në pyetjen e gazetarëve për incidente, Kasami tha se ka pasur, për çka kanë reaguar institucionet.
“Ka pasur raportime (për incidente), por fatmirësisht, për herë të parë tashmë po reagojnë institucionet, respektivisht policia. Është për të ardhur keq që persona të uniformuar nga bashkësitë fetare dhe disa elemente të policisë janë të implikuar në incidente të tilla. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve të këtij vendi, të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga çdo deformim i zërit të popullit, sepse për këtë do të mbajnë përgjegjësi. Prej nesër qytetarët do të jenë të lirë, të gjithë ata që kanë bërë keq do të përgjigjen për këtë”, tha Kasami.