Administrata Trump po anulon politikat e miratuara nga administrata Biden që e bënin pothuajse të pamundur për hetuesit federalë, të thërrisnin gazetarët në gjyq dhe shpesh i vinin të dhënat e tyre të telefonit dhe email-it jashtë mundësive të tyre.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se politikat e mëparshme ishin “abuzuar”, duke u lejuar zyrtarëve të angazhoheshin pa u ndëshkuar në rrjedhje informacioni me ngarkesë politike tek “aleatët e medias”, transmeton Telegrafi.
“Departamenti i Drejtësisë nuk do të tolerojë zbulime të paautorizuara që minojnë politikat e presidentit Trump, viktimizojnë agjencitë qeveritare dhe shkaktojnë dëm popullit amerikan”, shkroi Bondi në një memo 4-faqëshe të dërguar të gjithë stafit të Departamentit të Drejtësisë të premten dhe të parë nga POLITICO.
Memoja e Bondit përfshinte citate nga direktivat kontraverse që Trump ka lëshuar në javët e fundit, duke kërkuar hetime nga Departamenti i Drejtësisë për zyrtarët që shërbyen në administratën e parë të Trump.
Në dekadat e fundit, presidentët zakonisht janë përmbajtur nga kërkimi i hetimeve të njerëzve ose kompanive, për shkak të perceptimit se fuqitë zbatuese të Departamentit të Drejtësisë mund të përdoren për të kryer hakmarrje politike.
Megjithatë, mesazhi i Bondi-t përfshin emrin e njërit prej personave që Trump shënjestroi më parë këtë muaj, ish-zyrtarin e sigurisë kibernetike Christopher Krebs, dhe aludon drejtpërdrejt te një tjetër, ish-zyrtarin e Sigurisë Kombëtare, Miles Taylor.
Ai gjithashtu i referohet një lajmi në lidhje me pezullimin e një këshilltari të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, Don Caldwell, për shkak të një hetimi për rrjedhje informacioni.
“Llogaridhënia, përfshirë ndjekjet penale, është e nevojshme për të vendosur një kurs të ri”, shkroi Bondi, pa ofruar ndonjë specifikë në lidhje me hetimet në vazhdim ose pa thënë nëse ndonjë nga personat që ajo i referoi është i dyshuar.
Mbrojtësit e lirisë së shtypit shprehën shqetësim në lidhje me ndryshimin, i cili pritej gjerësisht për shkak të armiqësisë publike të Trump ndaj shtypit dhe ankesave të tij të shpeshta për rrjedhje informacioni.
“Disa nga raportimet më të rëndësishme në historinë e SHBA-së – nga Watergate te përgjimet pa urdhër pas 11 shtatorit – u bënë dhe vazhdojnë të bëhen të mundura sepse gazetarët kanë qenë në gjendje të mbrojnë identitetin e burimeve konfidenciale dhe të zbulojnë dhe raportojnë histori që kanë rëndësi për njerëzit në të gjithë spektrin politik”, tha Bruce Brown, presidenti i Komitetit të Gazetarëve për Lirinë e Shtypit.
“Mbrojtje të forta për gazetarët i shërbejnë opinionit amerikan duke mbrojtur rrjedhën e lirë të informacionit”, shtoi Brown.