Kosovë

Deputet nga burgu, Etem Arifi nëse nuk jep dorëheqje merr pagë deri më 3 dhjetor

Zhurnal Ads

Legjislativi ka mbetur me një votë minus sot pas dorëzimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë të deputetit Etem Arifi. Sipas ligjit, ai do të vazhdojë të jetë në detyrë edhe nga qelia e burgut, pasi që proceduralisht nëse nuk jep dorëheqje, pozita e tij në Kuvend zëvendësohet vetëm me gjashtë muaj mungesë. Rrjedhimisht, një skenar i tillë thotë se deputeti i arrestuar vazhdon të mbajë këtë pozitë deri me datë 3 dhjetor, shkruan Gazeta Express.

Qeveria Hoti ka mbetur sot pa votën e 61-të që i duhet për të kaluar ligje në Kuvend, pasi që deputeti Etem Arifi është vetëdorëzuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Pas disa muajsh qëndrim në arrati, Arifi i është dorëzuar ligjit pak ditë pasi që Gjykata Kushtetuese dha versionin e fundit për dënimin e tij, duke ia hedhur poshtë ankesën.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i ka thënë Gazetës Express se për dorëzimin e tij kanë marrë vesh nga mediat. Krasniqi shton se posa të marrin letër zyrtare do të vendosin për procedurat e zëvendësimit të tij.

“Sot e kemi parë njoftimin për media. Në momentin që e marrim njoftimin i caktojmë procedurat”, ka deklaruar Krasniqi.

Çështja e zëvendësimit të Arifit do të diskutohet edhe në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express kryetari i Komisionit, Shkëmb Manaj. Megjithatë, Manaj thotë se deri më tani nuk kanë të caktuar se kur do të diskutohet kjo temë, pasi që në Komision nuk ka shkuar ndonjë shkresë për këtë çështje.

“Nuk kemi njëherë diçka për këtë temë, pasi që nuk ka ardhur në komision shkresa”, ka thënë Manaj.

Deputeti Etem Arifi, ose i njohur ndryshe edhe si vota e 61-të e Qeverisë Hoti, sot ka përfunduar në pranga, pas disa muajsh që kishte qenë në arrati.

Si rezultat i mosprezencës së tij në Kuvend, për pesë herë me radhë ka dështuar të votohet edhe Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili mes tjerash u mundëson qytetarëve edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.

Pa deputetin Arifi, ekzekutivi ka mbetur pa votën që i duhet për të kaluar ligje, derisa, ky skenar mund të përsëritet deri me datë 3 dhjetor të këtij viti, në rast se ai nuk jep dorëheqje.

Kështu ka deklaruar për Gazetën Express, Eugen Cakolli nga KDI-ja që thotë se Arifi edhe pse është paraqitur për vuajtje të dënimit, nuk do të humbë automatikisht mandatin.

“Përkundër faktit që deputeti Etem Arifi është paraqitur për vuajtje të dënimit, paradoksalisht ai nuk do të humbë automatikisht mandatin. Kjo situatë vjen si rezultat i vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me decertifikimin e kandidatëve, ku e njëjta kishte vendosur që të mos lejohet decertifikimi i kandidatëve apo moslejimi i tyre për të garuar në zgjedhje për çfarëdo arsye, përveç nëse kjo parashihet taksativisht me vendim të formës së prerë. Rrjedhimisht, koha kur deputeti Arifi është dënuar korrespondon me mandatin e legjislaturës së kaluar, e jo aktuales. Prandaj, në këtë rast, nuk gjen aplikim paragrafi 6, pika 3, e nenit 70 të Kushtetutës”, thotë Cakolli që shpjegon se në bazë të këtij neni, deputeti Arifi do ta humb mandatin vetëm nëse mungon gjashtë muaj në seancat e Kuvendit.

“Duke qenë se sipas transkripteve zyrtare ai për herë të fundit ka marrë pjesë në seancën e 3 qershorit, kur edhe ishte zgjedhur Qeveria Hoti, mandati i tij do të përfundoj më 3 dhjetor. Pas këtij afati, me kërkesë të Kryetares së Kuvendit, Komisioni përkatës parlamentar mund të rekomandojë pushimin e mandatit të deputetit. Ky rekomandim duhet të votohet në mbledhjen pasuese të Kuvendit nga 2/3 e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë”, shton KDI-ja.

Mundësi tjetër përveç asaj të vazhdimit të mandatit deri me 3 dhjetor është nëse deputeti e ofron dorëheqjen.

“Vetëm pas dorëheqjes apo një vendimi eventual për pushim të mandatit mund të iniciohen procedurat për zëvendësimin e deputetit Arifi, sipas të cilave kryetarja e Kuvendit duhet që fillimisht të njoftojë presidentin për mbetjen e një mandati të zbrazët, duke i hapur rrugë këtij të fundit që të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë personin që do të mbushë mandatin e lirë”, ka shtuar Cakolli.

Sipas ligjit, deputeti Arifi duhet të zëvendësohet nga një kandidat më i votuar i gjinisë së njëjtë, në kuadër të listës zgjedhore të subjektit politik PAI. Ky kandidat, sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, është Qazim Rahmani.

Më katër korrik të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhërarrest për deputetin Etem Arifi, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrimin me subvencione që kapin shumën mbi 25 mijë euro.

Arifi ishte dashur që pas pranimit të vendimit të paraqitet në Qendrën për vuajtjen e dënimit me burg, por pasi që nuk është paraqitur, Gjykata kishte lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgimin e tij në vuajtje të dënimit me burg.

Vota e Etem Arifit për Qeverinë Hoti ishte kontestuar pasi që ai ishte bërë e ditur se kishte qenë i dënuar me burg në kohën kur kishte vazhduar të ushtrojë mandatin e deputetit.

Që nga koha sa ai po qëndronte në arrati, ekzekutivi ka dështuar të kalojë në Kuvend projektligje. Një nga ligjet më të rëndësishme është edhe ai për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Në seancën e djeshme, ky Projektligj ka dështuar të votohet për herë të pestë.

Lëvizja Vetëvendosje për votën e Etem Arifit ishte ankuar në Gjykatë Kushtetuese, megjithatë ky institucion ende nuk ka dalë me aktgjykim për këtë çështje. /GazetaExpress/

Postime të ngjashme

Gjendet pa shenja jete i moshuari nga Prishtina që u zhduk para disa javësh

admin

Nuk u lejua të hyjë në Kosovë, nënkryetari i Beogradit paralajmëron padi në Gjykatën e Strasburgut

D XH

Ndërroi jetë babai i deputetit të LDK-së

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...