Është tensionuar situata para godinës së Parlamentit, ku deputetët e opozitës, të përjashtuar një ditë më parë, janë përleshur me punonjësit e Gardës në përpjekje për tu futur në sallë.
Deputetët nuk lejohet të futen në sallë pasi janë të përjashtuar për djegien e karrigeve në seancën e të hënës. Pasi iu është bllokuar hyrja kryesore, ata kanë tentuar të futen nga mbrapa, por nuk janë lejuar nga gardistët.
Kjo ka sjellë tensionimin e situatës dhe deputetët e PD kanë penguar kolegët socialistë dhe ministrat e qeverisë të futen në godinë, duke i shtyrë.
Vendimi u mor të mërkurën, pas kërkesës së grupit parlamentar socialist për marrjen e masës disiplinore ndaj tyre, për shkak të tensioneve dhe dhunës së krijuar në seancën parlamentare të së hënës nga deputetët demokratë, të cilët kundërshtuan dënimin e Ervin Salianjit me një vit burg, raporton A2 CNN.
Edhe mbledhja e sotme e Komisionit të Etikës u shoqërua nga kaosi dhe tensionet për shkak të protestës së deputetëve të opozitës në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në një deklarate për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, pohoi se mosbindja civile do të vazhdojë.