Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Deputetët janë votuar të shkojnë në punë, jo të rrinë në shtëpi!

Zhurnal Ads

Shkup, 7 shtator, zhurnal.mk – Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut, janë kundër propozimit të kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi, që për shkak të pandemisë, seancat e Kuvendit të mbahen online.

“Të gjithë së bashku duhet të gjejmë zgjidhje në bazë të Rregullores që Kuvendi të punojë në distancë”, kishte deklaruar kryeparlamentari Xhaferi në një takim me diplomatë perëndimorë, ndërsa idenë e tij e kanë mbështetur partitë e shumicës parlamentare.

“Një person i sëmurë, pavarësisht nëse është deputet apo punonjës i shërbimeve parlamentare, mund t’i izolojë të gjithë deputetët apo të bllokojë punën e Kuvendit. Për ne, si deputetë, puna online jo vetëm që është pranueshme, por edhe e domosdoshme”, kanë bërë të ditur nga LSDM.

Megjithatë, opozita konsideron se shumica parlamentare nuk guxon që punën e Kuvendit ta shndërrojë, siç thonë, në zyrë online noterie apo të miratojë ligje sipas dëshirës së pushtetit.

“Nuk duhet të lejohet që shtëpia e demokracisë të shndërrohet në noteri online ku kryetari i Kuvendit, i cili në këtë rast do të ishte noteri kryesor, përmes kompjuterit të tij të konstatojë se kush mungon e kush jo dhe më pas të botohen apo shpallen ligjet sipas dëshirës së pushtetit”, ka deklaruar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski në një pres konferencë.

Opozita maqedonase konsideron se qëllimi i partive në pushtet që puna e Kuvendit të zhvillohet online është që të mos e ketë problemin me mungesën e kuorumit.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe opozita shqiptare. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se mbajta e seancave online do t’ia humbte kuptimin debatit parlamentar.

Seanca konstitutive është mbajtur në “Sallën e Madhe” e jo në Sallën “Maqedonia”. Në “Sallën e Madhe” është mbajtur edhe seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re. Ish kryeparlamentari Stojan Andov në një prononcim për Zhurnal, thotë se s’ka dyshim se debatin brenda Kuvendit nuk mund ta zëvendësojë asnjë formë tjetër e organizimit të seancave, dhe sipas tij “Salla e Madhe” i përmbush gjitha kushtet që seancat të mbahen në atë sallë.

Ai thotë se mbajta e seancave online do ta largonte Parlamentin nga opinioni, ndërsa qytetarët kanë deshirë që ti shohin se si punojnë deputetët që i kanë zgjedhur me vota të drejtpërdrejta. Andov shprehet se deputetët janë votuar që të shkojnë në punë në Parlament, dhe puna e tyre të jetë transparente para qytetarëve.

“Ajo sallë (salla e madhe) jep mundësi që të punohet aty drejpërdrejtë. Mendoj që Parlamenti do të largohet nga opinioni shumë më tepër nëse punon online. Megjithatë njerëzit dëshirojnë t’i shikojnë deputetët, ata i kanë votuar, ndërsa ka edhe mundësi për këtë që të rrinë bashkë dhe aty të punojnë. Ajo është një sallë shumë e madhe, mundet të punohet, dhe kjo u dëshmua. Deri tani kemi pasur seanca të mbajtura, dhe në atë sallë u votua edhe Qeveria e re. Kështu që unë mendoj se është shumë mirë që përbërja parlamentare ti mbanë seancat plenare në atë sallë ku u votua edhe Qeveria, të sigurohen edhe hapsirat ndihmëse në Kuvend, të kontrollohen mirë. Kjo është”, ka deklaruar për Zhurnal, ish kryeparlamentari, Stojan Andov.

Ndryshe, për zhvillimin online të seancave të Kuvendit duhet të ndryshohet rregullorja e punës, për të cilën duhet të deklarohen dy e treta e deputetëve apo 80 prej tyre. Shumica aktualisht ka 62 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.

Postime të ngjashme

Qeveria miraton Vendimet që i paraprijnë procedurës për shpalljen e Gjendjes së krizës

T E

Mariçiq: Ligji për regjistrimin nuk do të kthehet në Qeveri, ndryshimet do të bëhen në Kuvend

XH,I

Së shpejti do mund të shkojmë në Kosovë pa korona-teste?!

T E
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...