Deputetët Risteski, Bytyqi dhe Demiri në Sesionin e 12-të plenar të Asamblesë parlamentare të PBEJL-së në Tiranë

nga D. V.

Shkup, 10 qershor-Delegacioni i Kuvendit i përbërë nga: Petar Risteski, Fatmir Bytyqi dhe Ilir Demiri, anëtarë të Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e PBEJL), po merr pjesë në Sesionin e Dymbëdhjetë Plenar të AP-së së PBEJL-së, që po mbahet nga 8 deri më 10 qershor 2025 në Tiranë, në kuadër të Kryesimit Shqiptar me PBEJL-në. Në sesion marrin pjesë përfaqësuesit e 11 vendeve pjesëmarrëse të PBEJL-së, si dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Kuvendit Baltik.

“Më 9 qershor, deputetët Risteski, Bytyqi dhe Demiri morën pjesë në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm dhe në mbledhjet e veçanta të tre komisioneve të AP-së së PBEJL-së për zhvillimin social, arsimin, kërkimin dhe shkencën; për drejtësinë, punët e brendshme dhe bashkëpunimin e sigurisë dhe për ekonominë, infrastrukturën dhe energjinë”, informoi shërbimi për shtyp i qeverisë.

Seancën plenare të mbajtur sot e hapi Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila theksoi se kryesimi parlamentar me Procesin i ka përqendruar aktivitetet e veta në intensifikimin e dialogut parlamentar dhe avancimin e bashkëpunimit në rajon, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e ndërlidhjes.

Igli Hasani, ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë dhe kryesues i PBEJL-së, u prezantoi deputetëve aktivitetet e Kryesimit Shqiptar me PBEJL-në, që po zhvillohet me moton “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane”, me gjashtë prioritete kryesore: integrimin evropian, bashkëpunimin në siguri, rritjen ekonomike, turizmin dhe kulturën, ndërlidhjen dhe transportin, si dhe bashkëpunimin në shëndetësi.

Tema kryesore për diskutim në seancën plenare është “Bashkëpunimi parlamentar për përmirësimin e ndërlidhjes rajonale në Evropën Juglindore”.

“Në diskutim mori pjesë deputeti Petar Risteski, i cili e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar në avancimin e ndërlidhjes rajonale, duke theksuar se nuk është vetëm një sfidë infrastrukturore, por simbolizon një aspiratë të përbashkët për prosperitet, paqe dhe integrim në kontekstin më të gjerë evropian dhe global. Ai theksoi se vendi ynë ka pozicion strategjik gjeografik që na bën një urë natyrore midis Evropës Qendrore dhe Mesdheut, midis Adriatikut dhe Detit të Zi, ndërsa vizioni ynë është të bëhemi qendër digjitale, energjetike dhe logjistike në rajon. Ai iu referua edhe Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik të nënshkruar së fundmi me Mbretërinë e Bashkuar, e cila është një model i ri i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështet drejtpërdrejt qëllimet e lidhshmërisë rajonale, veçanërisht përmes zhvillimit të infrastrukturës së transportit, digjitale dhe energjetike”, theksojnë nga Kuvendi.

Deputeti Risteski e theksoi rolin e parlamenteve si zëri i popullit në sigurimin e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit të projekteve infrastrukturore. Ai bëri thirrje për avancimin e bashkëpunimit parlamentar brenda PBEJL-së, me qëllim për një vizion rajonal të koordinuar për një Evropë Juglindore të lidhur, inovative dhe të begatë.

Sesioni i Dymbëdhjetë Plenar i Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së pritet të përfundojë me miratimin e Deklaratës Përfundimtare.

Asambleja Parlamentare e PBEJL-së, e cila përfshin parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Serbia, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi, i bazon qëllimet dhe detyrat e veta në parimet e pronësisë rajonale dhe integrimit evropian. Asambleja Parlamentare luan rol të rëndësishëm në promovimin e pjesëmarrjes parlamentare dhe lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar në rajon, si dhe në nxitjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More