Shkup, 12 qershor – Javën e ardhshme pritet që të mbahen seanca për formimin e Qeverisë së re. Mandatari Hristijan Mickoski deklaroi sot se, lista zyrtare me emrat e ministrave do të dorëzohet të martën në Kuvend.
Mickoski nuk ka zbuluar emra se cilët do të jenë ministrat që do të propozohen nga partia e tij.
Ai tha se propozimet do të shqyrtohen nga organet partiake dhe në fund të javës, mund të pritet që të përmbyllet lista e propozimeve dhe të publikohen të njëjtit.
“Këtë fundjavë, të dielën do të mbahet seanca e Komiteti Ekzekutiv dhe Qendor, do të prezantohen zgjidhjet kadrovike nga ana ime si mandatar, me biografinë e tyre. Pres që Komiteti Ekzekutiv dhe Komiteti Qendror të prononcohen dhe nëse prononcimi është pozitiv dhe i suksesshëm, t’i kumtohen opinionit. Lista zyrtare e Qeverisë së ardhshme, së bashku me programin e punës, do t’i dorëzohen Kuvendit të martën, më 18 qershor” – tha Mickoski.
Mickovski: Dërgimi i BDI-së në opozitë, premtimi ynë i dytë!
I pyetur nëse do të bashkëpunojnë me BDI-në apo nëse do të jenë edhe ato pjesë e qeverisë, pasi ato mbështetën ligjin për riorganizimin e ministrive, Mickoski përsëriti se pjesë e Qeverisë së re do të jetë VMRO – DPMNE, koalicioni VLEN dhe Lëvizja ZNAM. Dërgimin e BDI–së në opozitë Mickovski madje e ka radhitur para premtimeve për projektet qindra miliona euroshe ekonomike, shkruan Zhurnal.
“Në opozitë do të jenë koalicioni “Fronti Evropian”, koalicioni “Ardhmëria Evropiane” e udhëhequr nga LSDM dhe partia politike e Majta. Me këtë do të realizohet edhe premtimi i dytë që e kemi dhënë në zgjedhje. Premtimi i parë ishte riorganizim i përbërjes së qeverisë, ndërsa premtimi i dytë është BDI në opozitë, premtimi i tretë është 400 deri në 450 milionë euro investime në prodhimin e energjisë elektrike nga burime ripërtrirëse, të cilin do ta shohë opinioni i Maqedonisë më 25 qershor” – deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se, në Qeverinë e re nuk do të ketë më drejtorë ekonomik në institutet shëndetësore, do të ketë një qendër klinike dhe do të hiqet pozita zëvendësdrejtor aty ku është aktualisht, si dhe paralajmëroi reduktim të anëtarëve të bordeve drejtuese për 20 përqind.
Sa është BDI e gatshme të shkon në opozitë?
Siku çdo parti tjetër, as BDI nuk dëshiron të shkon në opozitë. Aq më tepër për një parti që ka qenë në pushtet 22 vite, realiteti opozitar është i hidhur dhe aspak i preferuar. Mirëpo për momentin, një gjë e tillë duket e paevitueshme dhe pyetja që parashtrohet është nëse kjo parti do të mund të mbijeton në opozitë deri në krijimin e gjasave për rikthim në pushtet.
Sinjalet e para nuk janë fort të mira, sepse ende ppa u formuar qeveria e re, janë paraqitur “plasaritje” në qëndrimet e Frontit Evropian, kolaicionit që e udhëheq pikërisht BDI, shkruan Zhurnal. Fillimisht kishte spekulime dhe informata jozyrtare se parti ose deputetë të caktuar nga ky Front po flirtojnë me qeverinë në ardhje, por në shesh dolë me rastin e votimit të propozimit për riorganizim të ministrive. Ishte pikërisht BDI-ja partia që përkrahi këtë propozim edhe pse fillimisht kishte premtuar se nuk do e bën një gjë të tillë. Ndryshmet nuk u përkrahën nga ASH-Krahu i Ziadin Selës, e as nga deputeti Skender Rexhepi-Zejd, kryetar i Partia Populli, poashtu partner koalicioni në Frontin Evropian.
Vetë Sela ka thënë se te Fronti Evropian nuk ka përçarje. I ftuar në emisionin “Klan Debat” në Klan M, ai hodhi poshtë spekulimet për ndarje brenda Frontit Europian. Duke u shprehur me vendosmëri, Sela theksoi besnikërinë e tij ndaj premtimit për këtë bashkëpunim politik.
Sela shtoi se pavarësisht nga natyra e ndryshme e partive që formojnë frontin, qëllimi i përbashkët mbetet të arrihet progresi dhe të përshpejtohen ndryshimet kushtetuese.
“Unë nuk e di pse nxitet debati që do të pëçahet fronti, me sa duket është një segment i shoqërisë që i ka qejf përçarjet, por unë e kam dhe nga përvoja ime politike, se kur e jap fjalën edhe e mbaj. Ne jemi zotuar për ta bërë këtë bashkëpunim apo formacion politik, dhe kësaj fjale i rrij nga mbas, dhe nuk e kam ndërmend të shkel fjalën time përpara anëtarve tjerë të partive të frontit dhe as para 130 mij qytetarëve që besuan tek Fronti Europian”.
“Por kjo nuk do të thotë që ne të dalim nga natyra jonë, sepse fronti është një bashkim i partive të ndryshme, dhe jemi zotuar para qytetarëve që do të arrihen ndryshimet kushtetuese, sepse Maqedonia e Veriut nuk ka kohë për të humbur”, tha Sela.
Sidoqoftë, ende pa shkuar në opozitë, po shihet se BDI nuk do e ketë lehtë të ruaj kompaktësinë e koalicionit, siç e kishte lehtë sa ishte në në pushtet. Tani do të shihet nëse do të vijë në shprehje shkathtësia e udhëheqësisë së BDI-së për të luajtur me mjeshtri lojën politike nga pozita e opozitës, siç e luante nga pozita e pushtetit!/Zhurnal