Shkup, 30 prill – BDI dhe VLEN dy opsionet politike në kampin politik shqiptarë, BDI në opozitë e VLEN në pushtet. Kërkesë legjitime e opozitës është të kërkojë zgjedhje të parakohshe, teksa BDI po e përmbush kërë kërkesë, por as edhe një fjalë të vetme nuk e thotë për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit. Pra, BDI po përgatitet për diçka të jashtëzakonshme për zgjedhje të parregullta imagjinare, teksa për zgjedhjet e rregullta nuk ka ndërmarrë as edhe një hap të vetëm. Nga ana tjetër, nga VLEN janë të bindur që do të fitojnë në gjitha komunat shqiptare, shkruan Zhurnal.
BDI kërkon zgjedhje të parakohshme –
BDI-ja opozitare shprehet se është e shqetësuar për drejtimin, siç thonë ata, të gabuar të qeverisë si në aspektin e politikave të brendshme, e poashtu edhe strategjik. Zgjidhja, sipas integristëve janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbaheshin bashkë me zgjedhjet lokale në tetor.
“Vendit i duhet stabilitet afatgjatë politik që mund të sigurohet vetëm përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale. Kjo do të krijojë hapësirë pa përballje zgjedhore për disa vjet, duke i mundësuar elitave politike të hyjnë në procese të thella për shpëtimin e dosjes evropiane të vendit dhe kapjen e mundësisë së fundit për t’u rikthyer në rrugën evropiane së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, thonë nga BDI.
Kryetari i ASH-së, pjesë e Frontit Europian, Ziadin Sela tha se personalisht mendon se bashkë me zgjedhjet lokale, do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sela tha se ASH-ja e mbështet këtë ide.
“Unë mendoj, si politikan, që bashkë me zgjedhjet lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare dhe ne jemi për variantin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe sipas zhvillimeve që ndodhin, çdo hap politik që ndodh, i bën më të përafërta idetë, të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare bashkë me lokalet, dhe ne jemi për këtë opsion”, tha Sela.
Por, që as BDI as Sela nuk kanë folur akoma asgjë për zgjedhjet e rregullta lokale që do të mbahen këtë vit, që në këtë drejtim janë të fokusar në masë të madhe pushteti si VLEN ngjashëm edhe VMRO-DPMNE.
VLEN të bindur për fitore në zgjedhjet lokale –
Koalicioni VLEN të cilët kanë paralajmëruar shumë shpejt shkrirjen e tyre në një subjekt të vetëm politik janë përfaqësuesit e shqiptarëve në këtë përbërje qeveritare që buron nga zgjedhjet e vitit që lamë pas. Këto të fundit as që dëshirojnë të dëgjojnë e flasin për zgjedhje të parakohshme, të gjithë potencialin e kanë orientuar në përgatitje për garën në zgjedhjet lokale.
“Pasi për 20 vite vodhën, mashtruan dhe shkatërruan çdo shpresë shqiptare, tani dalin pa pikë turpi e kërkojnë që qytetarët t’u japin edhe një shans! Ata që për dekada e përdorën pushtetin për interesa personale, sot, të frustruar dhe të zbuluar para qytetarëve, kërkojnë të kthejnë kohët e vjetra të kapjes dhe shantazhit. BDI që çdo institucion shndërroi në degë partie, që nënçmuan intelektualët, që ia dorëzuan të drejtat shqiptare pazareve të ulëta, sot kanë frikë nga drejtësia. VLEN është përgjigja e shqiptarëve ndaj kësaj politike të kalbur! VLEN është në qeveri për të zbatuar ndryshimin që shqiptarët e kërkuan me zë të lartë dhe nuk do të ndalet deri sa secili shqiptar të ndjehet i lirë, i barabartë dhe me dinjitet në vendin e vet. Në tetor, në zgjedhjet lokale, VLEN do t’i fitojë të gjitha komunat shqiptare! VLEN do të jetë në çdo komunë, në çdo institucion, me duar të pastra dhe me fytyrë të bardhë para qytetarëve. Koha e BDI-së ka marrë fund! Era e ndryshimit ka nisur dhe askush nuk e ndal dot më! VLEN fiton, shqiptarët fitojnë!”, thonë nga VLEN.
Të njëjtin mendim e ndanë edhe deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, i cili si i pavarur dhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka qenë fryma përbashkuese e VLEN-it. Qoku në një status në rrjetin social facebok, ka publikuar një sondazh sipas të cilit VLEN i fiton 76% të komunave me shumicë shqiptare në zgjedhjet.
“Sipas sondazheve të fundit, në zgjedhjet komunale të tetorit, VLEN i fiton 76% të komunave me shumicë shqiptare. Ndërsa i njëjti sondazh thotë se vetëm 11% e qytetarëve shqiptarë janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndryshimi vazhdon me VLEN. Ecim tutje!” ka shkruar deputeti, Bekim Qoku.
Prandaj, mbetet të shihet në vazhdim që përgatitja e VLEN për zgjedhjet lokale do të rezultojë me sukses në rezultate, apo fryma për zgjedhje të parakohshme do të defokusojë opinionin dhe do të ndodhë krizë e thellë politike. /Zhurnal.mk