Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi nënvizoi sot rëndësinë e komponentit të transparencës në administratën publike.
Gjatë tryezës mbi qeverisjen e hapur, të organizuar në kuadër të Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Dervishi nënvizoi se Shqipëria ka tashmë një ligj shumë të mirë mbi të drejtën e informimit.
“Ashtu sikurse administrata jonë publike ka arritur rezultate shumë të larta në procesin screening, të njëjtin raport duhet të ketë edhe në lidhje me transparencën. Ne kemi një ligj shumë të mirë për të drejtën e informimit. Kemi po ashtu një instrument ligjor shumë të rëndësishëm që është Programi i Transparencës”, theksoi Dervishi.
Ai nënvizoi se në dallim me problematikat që ndesh Avokati i Popullit në adresimin e rekomandimeve, në fakt rekomandimet e dhëna nga Zyra e Komisionerit gjejnë përgjigje.
“Rekomandimeve të Zyrës së Komisionerit u kthehet përgjigje. Nuk ndodh siç i ndodh Avokatit të Populli. Rekomandimet tona zbatohen në nivel shumë të lartë. Ndoshta kjo ka lidhje edhe me sanksionet që parashikon ligji, edhe pse ne nuk i shikojmë sanksionet të mjet represiv, por i shikojmë si mjet edukimi”, theksoi Dervishi.
Duke u ndalur te pushteti vendor, Dervishi nënvizoi se programi i transparencës i dedikuar për pushtetin vendor, duhet të përfshijë edhe instrumente të tjera për të matur performancën e bashkive.