Shkup, 13 mars – Gjyqësori si një nga hallkat më problematike në vend vazhdon të qëndrojë në udhëkryq pa destinacion të qartë. Të gjithë gojën plotë reforma në gjyqësi për ta rritur besimin, por në fakt veprat nuk shihen askund mungojnë plotësisht. Ka disa përpjekje por në fund po rezultojnë të dështuara. Siç është rasti me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët edhe pse u shkarkuan nuk dhanë dorëheqje, kjo nënkupton që rruga e reformave në gjyqësor do të jetë shumë e gjatë dhe shumë e vështirë, shkruan Zhurnal.
Reformat në gjyqësor do të jenë të kota nëse anëtarët e Këshillit Gjyqësor nuk japin dorëheqjen –
Zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban pret që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi të japin dorëheqje në mënyrë të parevokueshme pasi Kuvendi votoi interpelancën. Sipas Derebanit, anëtarët tashmë kanë humbur legjitimitetin.
“Interpelanca e votuar do të thotë se ata nuk kanë legjitimitet për të marrë pjesë në këshill. Këshilli Gjyqësor duhet ta shqyrtojë këtë interpelancë, të caktojë një seancë urgjente, të jashtëzakonshme pas saj, dhe pres që ata të japin dorëheqje të parevokueshme”, deklaroi Alen Dereban, Zëvendësministër i Drejtësisë për Alsat.
Zëvendësministri tha gjithashtu se reformat në gjyqësor do të ishin të kota nëse 5 anëtarët vazhdojnë të mbesin në këshill.
“Pavarësisht se sa procese reformash ndërmarrim përmes miratimit të ligjeve të reja, ato nuk mund të zbatohen me anëtarë të tillë në këshill dhe vendime të tilla personale. Një veprim i tillë ka ndikim shumë negativ dhe shkakton atë që ne kemi trashëguar tani si qeveri një sistem drejtësie të shkatërruar. Çdo reformë ligjore, sado që të duam të kemi një kuadër ligjor dhe zgjidhje ligjore cilësore nëse nuk respektohen, nuk mundemi të zbatojmë asgjë”, shtoi Alen Dereban, Zëvendësministër i Drejtësisë.
Mickoski pret përgjegjësi morale nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të cilëve iu votua mosbesimi –
Kryeministri Hristijan Mickoski pret përgjegjësi morale nga pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, të cilëve dje iu votua mosbesimi nga Kuvendi. Mickoski, siç deklaroi sot, pret që ata të largohen nga pozitat e tyre, pasi siç tha ai nuk e kanë kredibilitetin për të qenë në ato pozita.
“Unë pres përgjegjësinë e tyre morale dhe të braktisin pozitat që i kanë zënë, sepse nuk kanë kredibilitet të jenë në ato vende”, tha Mickoski, i cili sot ishte në vënien e gurthemelit të vendkalimit kufitar Maqedoni-Greqi “Markova Noga”.
Lidhur me zgjedhjen e prokurorit të ri publik, kryeministri shtoi se ende nuk është menduar.
Deputetët dje në seancën e Kuvendit votuan mosbesim për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor – Tanja Çaçarova Ilievska, Milazim Mustafa, Pavlina Cërvenkovska, Selim Ademi dhe Vesna Dameva, të zgjedhura nga Kuvendi.
Nisma për interpelancë, e dorëzuar më 7 shkurt, u mbështet nga 67 deputetë të shumicës qeverisëse, por për largimin e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga pozita do të duhet të vendosin vetë, siç e kërkon edhe Ligji për Këshillin Gjyqësor.
Reformat në gjyqësor janë të patjetërsueshme-
Pa qeverisje funksionale të së drejtës, Maqedonia e Veriut nuk mund të shpresojë për përparim në procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht duke pasur parasysh se pika kyçe gjatë negociatave të cilat ende nuk kanë filluar është pikërisht kapitulli 23, gjyqësori dhe të drejtat e njeriut. Perceptimi aktual i sistemit gjyqësor Në Maqedoninë e Veriut është pasqyrim i asaj për të cilin vlerësohet se është skajshmërish i partizuar, institucionet e drejtësisë nuk funksionojnë, thënë thjesht, gjyqësori nuk e kryen funksionin e tij si autoritet i tretë, pra si korrigjues i legjislativit dhe ekzekutivit.
Prandaj nuk duhet të habitemi me besimin jashtëzakonisht të ulët i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili tashmë ka rënë nën katër për qind, që është një fakt shkatërrues për një vend. Prandaj, në plotësimin e kirtereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE është e domosdoshme edhe adaptimi i ligjeve të vendit kandidat me ato të BE-së, e kjo praktikë pra merret nga vendet evropiane të zhvilluara.
Një sondazh i OSBE-së që u publikua vitin që lamë pas zbuloi të dhëna shkatërruese mbi punën e gjyqësorit. 72 për qind e gjyqtarëve të anketuar nuk pajtohen se Këshilli Gjyqësor është mbrojtës i pavarësisë së gjyqësorit. Më shumë se gjysma e prokurorëve në shtet besojnë se këshilli i tyre nuk vendos në mënyrë të pavarur. Sondazhi vjen në një periudhë trazirash në këshillin gjyqësor që ka rezultuar me dorëheqje. Faktori ndërkombëtar e vlerësoi trupin si të paligjshëm.
Për më tepër, si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët publikë shprehën mosbesim të konsiderueshëm në punën e këshillave të tyre, ku tre nga katër gjyqtarë të anketuar u shprehën se nuk besojnë se Këshilli Gjyqësor mbron me sukses pavarësinë gjyqësore, ndërsa më shumë se gjysma e prokurorëve publikë të anketuar tregojnë se nuk besojnë se Këshilli i Prokurorëve Publikë merr vendime në mënyrë autonome dhe të pavarur. Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues. /Zhurnal.mk