Dështimi interpelancës në Kuvend vulos stabilitetin e qeverisë aktuale!

nga I.A

Shkup, 4 shtator – Interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ishte përpjekje e dështuar qysh në fillim dhe tërësisht e gabuar. Por, partitë që janë në opozitë për ta dëshmuar ekzistencën e tyre ndërmorën këtë iniciativë dhe prodhuan kundër efekt duke vërtetuar dobësinë e tyre. Dështimi i interpelancës ndaj Gashit vërtetoi edhe njëherë fortësinë dhe stabilitetin e qeverisë aktuale. Sa më stabile një qeveri aq mundësi më të mëdha për të realizuar programet politike, shkruan Zhurnal.

Dështon interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi –

Pas debatit që zgjati deri në orët e mbrëmjes në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, dje deputetët, me shumicë votash kundër, refuzuan interpelancën ndaj punës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, të parashtruar nga partia “E Majta” (Levica), ku njëra ndër pikat ishte edhe shkelja e doktrinës së shtetit laik.

Pas përfundimit të diskutimeve disa orë, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kaluan në votim, ku nga 107 ligjvënës të pranishëm, votuan 93, prej të cilëve 72 ishin kundër dhe 21 pro, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim.

Kjo mënyrë e të votuarit dëshmoi stabilitetin e kësaj qeveri. Ku 72 deputetë vulosën se kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë, Afrim Gashi. Ky është sinjal i mirë sepse qytetarët kanë nevojë për qeveri stabile dhe jo qeveri që qëndrojnë në këmbë të qelqta.

Gjatë ditës së djeshme, deputeti dhe kreu i kësaj partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, duke sqaruar arsyet e interpelancës së dorëzuar, tha se ajo është bazuar gjithsej në shtatë pika. Duke folur për pikën e parë, shkelja e doktrinës së një shteti laik, Apasiev u shpreh se vetëm kjo është e mjaftueshme për interpelancën ndaj kryeparlamentarit Gashi.

Apasiev u shpreh se shteti, sipas parimit të ndarjes së çështjeve fetare, duhet të ruajë neutralitetin e tij dhe të mos ndërhyjë në çështje të ndjeshme fetare, duke akuzuar Gashin se ka zhvilluar veprimtari fetare në Kuvend.

“Askush nuk është kundër jush që ndiheni si i krishterë për të praktikuar ritualet tuaja, ju që ndiheni si musliman për të praktikuar ritualet tuaja, dikush që ndihet si budist për të praktikuar ritualet e tij. Por, në një institucion publik, sipas Kushtetutës sonë, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, sipas juridiksionit të Strasburgut, është e papranueshme”, tha Apasiev.

“Kjo është interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të Kryetarit të Kuvendit”

Kryeparlamentari Gashi në fjalimin e tij u shpreh se çdo bartës i funksionit shtetëror duhet të japë llogari për veprimet e tij dhe falënderoi deputet që parashtruan këtë interpelancë, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë do të qartësohen të gjitha paqartësitë dhe shqetësimet. Në lidhje me akuzat për shkelje të shekullarizmit, Gashi tha se në fakt bëhet fjalë për islamofobi dhe për akuza të pabaza.

Ai sqaroi se në interpelancë është theksuar një ngjarje e organizuar nga një organizatë joqeveritare në një sallë të Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe kryeparlamentari Gashi, me rastin e shënimit të 11 Korrikut, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Gashi u shpreh se në këtë ngjarje kishte një minutë heshtje për t’i nderuar viktimat e Srebrenicës dhe kjo nuk përbën shkelje të shekularizmit.

“Në fund të këtij fjalimi mund të pohoj se këtu nuk bëhet fjalë për interpelancë ndaj Afrim Gashit, por ndaj një profili të funksionarit tjetër. Kjo nuk është interpelancë ndaj Afrim Gashit, por është interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të Kryetarit të Kuvendit”, tha Gashi.

Pas fjalimit të tij, Gashi lëshoi sallën në mënyrë që të mos ndikojë në debatin dhe votimin për interpelancën. Sipas rregullores së Kuvendit, debati për interpelancë mund të zgjasë një ditë dhe votimi duhet bërë brenda asaj dite, respektivisht deri në mesnatë.

Qeveria stabile duhet të vazhdojë me punë –

Pas çdo gare është e rëndësishme që sa më parë të dihet dhe kuptohet arsyeja e garimit jo vetëm për të kënaq apo plotësuar egot e ndokujt por për të dëshmuar ndryshimin apo vazhdimin e rrugëtimit në drejtim të përmirësimit të gjendjes së qytetarëve.

Prandaj, sa më parë duhet të vazhdohen punët aty ku kanë ngelur. Fushata e zgjedhjet përfunduan tani është koha që të dëshmohet që ky vend ka njerëz dhe kapacitet për t’i çuar proceset përpara drejt një jete më të mirë për të gjithë pa dallim

Sfidat në të cilat ka kalua vendi janë dëshmi që asgjë nuk është e pamundur ajo që duhet është vetëm vullneti pozitiv për të bërë ndryshim drastik në vendin ku mëse i nevojshëm është i ndryshimi. Nëse dikur ka qenë e pa imagjinueshme futja e vendit si anëtarë i Aleancës më të fortë ushtarake në botë, sot është realitet, nëse dikur ka qenë e pa besueshme që vendit mund t’i ndërrohet emri dhe të vazhdohet tutje procesi integrimit evropian, sot është realitet.

Nëse sot tingëllon çuditshëm që kjo qeveri në ardhje nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, nesër do të jetë realitet. Ajo që nevojitet është mos krijimi i dramave pa nevojë që po u ndryshua kushtetuta shembet vendi. Jo, nuk ndodhë asgjë e keqe dhe e dëmshme për vendin ndodhë hapja e rrugës dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt BE-së.

Me ndryshimin e Kushtetutës a do të hyjmë në BE? Sigurisht që jo, na presin akoma punë e reforma të shumta në shumë fusha të ndryshme por ajo që ndodhë sigurt është dëshmia që ky vend ka vullnet politik për tu bërë anëtarë i familjes së madhe evropiane. Pra, nuk mjaftojnë vetëm sondazhet apo deklaratat duhet edhe vepra konkrete.

Çdo veprim i guximshëm sot është dëshmi dhe përpjekje për krijimin e një të ardhme të mirë nesër. Pra, politikanë vizionar janë ata që mendojnë e veprojnë për gjeneratat e ardhshme dhe jo sot për sot. E kjo është dëshmuar dhe do të dëshmohet padyshim edhe tutje se ka njerëz që brengosen për gjeneratat që vijnë, ka njerëz që synim kanë zhvillimin dhe progresin në gjitha fushat në tërësi. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More