Preng Gjini i cili u plagos dje pas një atentati me eksploziv, ndodhet ende në reanimacion, në gjendje të rëndë për jetën.
Burime nga Spitali i Traumës thonë se orët në vazhdim do të jenë vendimtare për 51-vjeçarin, ndërkohë që i është nënshtruar një operacioni në bark.
Dy të dëmtuarit e tjerë, italiani Silvano Barbadoni dhe një djalë i mitur, kanë lënë spitalin që mbrëmjen e djeshme.
Policia ka bërë sekuestrimin e dhjetra filmimeve nga kamerat e sigurisë, me qëllim gjetjen e itinerarit që ka bërë objektivi i atentatit.
Nga këqyrja e pamjeve filmike, rezulton se Preng Gjini ka qenë fillimisht me një automjet të llojit fuoristradë. Ai e ka lënë këtë makinë pranë “Pallatit me Shigjeta”, për të marrë më pas makinën tip “Benz A Class”, ku ishte vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli, 400 deri në 500 gram eksploziv.
Në videon e siguruar nga Mapo, duket momenti kur mjeti transportohet me karrotrec; “Benz A Class” është dëmtuar më shumë në pjesën e përparme, çka krijon dyshime se lënda plasëse është vendosur në gomën e parë të mjetit.
Ndërkohë, makina e shkërmoqur rezulton e një të afërmi të Gjinit.