Nga: Umberto Eco
Përktheu: Zija Vukaj
Duke qenë se kanë të bëjnë me të vërteta historike, historianët mund të diskutojnë për shekuj mbi rëndësinë apo parëndësinë e një informacioni. Për shembull, a është e rëndësishme për historinë e Napoleonit të dihet çfarë hëngri pak para betejës së Uaterlosë? Pjesa më e madhe e biografëve e konsiderojnë këtë detaj të parëndësishëm. E, megjithatë, mund të ketë studiues që besojnë ngultas se ushqimi mund të ketë ndikim vendimtar në sjelljen njerëzore. Prandaj, ky detaj mbi Napoleonin, nëse provohet nga ndonjë dokument, do të ishte tejet i rëndësishëm për kërkimin e tyre.
Përkundrazi, tekstet e narrativës së trilluar, na thonë dhe e bëjnë në një mënyrë më të saktë, cilat detaje janë të rëndësishme për interpretimin e historisë, psikologjisë së personazheve etj., dhe cilat janë dytësore.
Në fund të librit 2, kapitulli 35, te “E kuqja dhe e zeza” e Stendalit, tregohet se Zhylien Soreli kërkon të vrasë Madame de Rênal në kishën e Verreres. Pasi ka thënë se krahu i Zhylienit dridhet, përfundon: “Në atë çast, xhakoni që shërbente meshën luajti në piano për ngritjen. Zonja de Rênal përkuli kokën, që për një çast qe gati krejt e fshehur nga palat e shallit. Zhylieni nuk mund ta njihte më aq mirë. Shtiu një herë me pistoletë e i shkoi huq; shtiu përsëri, ajo ra për tokë”.
Një faqe më pas na thotë se Madame de Rênal nuk ishte plagosur për vdekje: plumbi i parë i kishte përshkuar kapelën dhe i dyti e kishte goditur në sup. Është interesante të vihet re se, për motive që kanë kuriozuar shumë kritikë, Stendali specifikon se ku përfundon plumbi i dytë: ka kërcyer në kockën e supit dhe ka goditur një kolonë gotike, duke shkëputur një copë të madhe guri: sa shumë detaje sjell për trajektoren e plumbit të dytë e sa pak thotë për të parin.
Kështu, akoma pyetet për fundin e plumbit të parë të Zhylienit. Dhe është e qartë që shumë simpatizues të Stendalit kanë kërkuar ta lokalizojnë atë kishë e të gjejnë gjurmë të plumbit (si copën e gurit që i mungon një kolone tjetër). Në mënyrë krejt të ngjashme, shumë ndjekës të Xhejms Xhojsit janë të famshëm për t’u mbledhur në Dublin në kërkim të farmacisë ku Blumi bleu sapunin me limon – dhe një farmaci e tillë ekziston apo ekzistonte në vitin 1965, kur bleva të njëjtin lloj sapuni, me sa duket, prodhuar nga farmacisti vetëm për kënaqësinë e turistëve xhojsianë.
Ta zëmë tani se një kritik do të interpretojë tërë romanin e Stendalit duke nisur nga ai plumb i humbur – më besoni, ka forma kritike edhe më të çuditshme! Nga çasti që teksti nuk e bën të dukshëm plumbin e humbur (madje, vetëm sa e përmend), kemi të drejtë ta quajmë një strategji interpretative të këtij lloji si të pagjasë. Një tekst i trillimit narrativ nuk na thotë vetëm atë që është e vërtetë dhe atë që nuk është në atë mënyrë, por edhe atë që është e dukshme dhe atë që mund të jetë lënë pas dore si e padukshme.
Ky është motivi për të cilin kemi përshtypjen se jemi në gjendje të bëjmë pohime të padiskutueshme mbi personazhe të trilluar. Është absolutisht e vërtetë se plumbi i parë i Zhylien Sorelit s’ka pasur shenjë, ashtu siç është absolutisht e vërtetë që Topolino është i fejuari i Minit.