Dhe ne jemi keta që jemi sepse i kemi do motra e vëllezër në Shkup e Tetovë në Strugë e Gostivar

SHKRUAN: ENVER ROBELLI

Më kujtohet kur më 1989 qeveria kriminale e Maqedonisë mbylli gjimnazet për nxënëset e nxënësit shqiptarë, Kosova i hapi dyert, shtëpitë, banesat e gjimnazet për shqiptaret dhe shqiptarët e shtypur të Maqedonisë. Erdhën gjimnazistë e profesorë nga Maqedonia të vazhdojnë shkollimin në Kosovë.

Nuk ishte hera e parë që u njohëm.

Qëkur u hap Universiteti i Prishtinës në vitet 1970-të, mijëra shqiptare e shqiptarë të Maqedonisë erdhën në Kosovë. U arsimuan, e zbuluan Kosovën, disa vazhduan jetën në Prishtinë, disa u kthyen për të dhënë kontributin e tyre në vendbanimet shqiptare në Maqedoni. Në Kosovë ndodhi ajo që pritej nga kimia njerëzore: një gjakovare a pejane shkoi nuse në Strugë, një shkupjan a kërçovar u bë dhëndër Ferizaji, Gjilani a Peje. Kështu është jeta…

Si u rritëm dhe politizuam? Qe si: duke lexuar shkrimet e Iso Rusit te revista KOHA në Prishtinë, duke lexuar raportet e Ibrahim Mehmetit te gazeta ZËRI, duke lexuar poezitë e Lulëzim Hazirit në gazetat e Prishtinës, duke lexuar mendimet e Arbën Xhaferit, shkrimet e Qani Mehmedit. Dhe të dhjetëra (apo qindra) shqiptarëve të Maqedonisë. Të më falin ata që këtu s’po arrij t’i përmend me emër, njërin pas tjetrit, ashtu siç e meritojnë. Por të gjithë janë të bashkëmenduar.

Pastaj erdhi lufta. Lufta e Kosovës. Po…, lufta vjen, kur zullumi bëhet i madh. Në fund të viteve 90-të zullumi në Kosovë u bë i madh. Dhe njerëzit rrokën armët për të mbrojtur dinjitetin dhe pragun e shtëpisë. Kur mijëra e mijëra njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Kosovë, ata gjetën strehë në Shkup e Gostivar, në Strugë, Tetovë e Kumanovë… Gjithandej në viset shqiptare në Maqedoni.

Kjo ishte një rinjohje – ndonëse në rrethana të vështira, tragjike.

Pse po shkruaj sonte për shqiptarët e Maqedonisë? Ndoshta për shkak të një “faji” që e bartim mbi supe si dëshmitarë të historisë bashkëkohore të shqiptarëve në Jugosllavisë: kemi qenë aq pashkëputshëm të lidhur me njëri-tjetrin edhe për shkak të vuajtjeve të ngjashme. E vuajtjet e ngjashme vijnë për shkak se ishim të njëjtë: të shtypur!

Do të dëshiroja shumë – një dëshirë esadmekuliane kjo! – që lidhjet e shqiptarëve të Kosovës me ata të Maqedonisë të thelloheshin edhe më shumë.

Për fat të mirë, sot gjendja e shqiptarëve të Maqedonisë nuk mund të krahasohet me zymtësinë e vitit 1989. Më 1994 Maqedonia ka vrarë shqiptarë veç pse kërkonin shkollim të lartë. E tash? Jo tash – po prej shumë vitesh shqiptarë e shqiptare nga Kosova shkojnë në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë për t’u bërë juristë/e e ekonomistë/e të mirë. Sot gati gjysma e qeverisë së Maqedonisë përbëhet nga ministra shqiptarë.

A duhet të jenë të kënaqur shqiptarët e Maqedonisë me të arriturat e tyre në dy dekadat e fundit? Po. Por duhet të kërkojnë shumë më tepër. Qeverisje të mirë: këtë duhet ta kërkojnë. Investime në trevat shqiptare – duhet të kërkojnë. Pjesëmarrje edhe më të madhe në vendimmarrje. Llogaridhënie nga politikanët e tyre. Ka shumëçka për të kritikuar, por shumica e të arriturave të shqiptarëve në Maqedoni ndërlidhen me dy emra: me Arben Xhaferin e Ali Ahmetin. Arben Xhaferi nuk është më në mesin tonë. Ali Ahmeti shpresoj të jetë i kujdesshëm për trashëgiminë politike.

Nga prizmi shqiptaro-kosovar mund të themi: ne jemi këta që jemi – sepse i kemi do motra e vëllezër në Shkup e Tetovë, në Strugë e Gostivar dhe gjetiu në Maqedoni…

Related posts

Jepni për artin

D V

Zgjedhjet lokale dhe realiteti i përmbysur

D V

Ekstaza e pazakontë Orban-Vuçiq: Ku cenohen interesat e Shqipërisë dhe Kosovës?

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More