Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan anulon sesionet e së enjtes nën shqetësimet e sigurisë

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan anuloi sesionin e së enjtes pasi policia e Kapitolit paralajmëroi të mërkurën se mund të ketë plane nga një grup paraushtarak për të hyrë me forcë në ndërtesë, një kërcënim që sjell në mendje skena të sulmit të 6 janarit.

Dhoma e Përfaqësuesve pritej të debatonte një projektligj për reforma në forcat e rendit.

Por ndihmësi i një ligjvënësi demokrat tha se planet ndryshuan nga paralajmërimi i policisë, i cili bazohej në të dhëna të shërbimeve të zbulimit se “një grup i paidentifikuar paraushtarak” mund të përbëjë kërcënim për sigurinë.

Autoritetet kanë thënë se ekstremistë të djathtë ishin pjesë e turmës me përkrahës të ish-presidentit Donald Trump, të cilët u futën me dhunë në Kapitol më 6 janar, duke ndërprerë një seancë për certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

E enjtja është dita kur mbështetës teorish konspirative të krahut të djathtë thonë se ish-presidenti Trump, i cili u mund në zgjedhjet e 3 nëntorit nga Joe Biden, do të bëjë betimin për një mandat të dytë në detyrë.

Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj më shumë se 300 personave për pjesëmarrje në sulmin e janarit që la të vrarë pesë vetë, përfshirë një polic të Kapitolit.

Ndër të arrestuarit ka anëtarë të organizatave të së djathtës ekstreme “Oath Keepers,” “Three Percenters,” dhe “Proud Boys”. “Oath Keepers” dhe “Three Percenters” janë organizata paraushtarake.

“Policia e Kapitolit është në dijeni dhe e përgatitur për çdo kërcënim të mundshëm ndaj anëtarëve të Kongresit dhe vetë ndërtesës”, thuhet në një deklaratë.

Policia e Kapitolit tha se po punon me agjencitë lokale, shtetërore dhe federale “për të frenuar çdo kërcënim ndaj Kapitolit”, duke shtuar, “Ne po e marrim seriozisht informacionin e zbulimit”. Nuk ka hollësi të tjera rreth kërcënimit.

Deklarata e policisë ve në dukje se departamenti tashmë ka bërë “përmirësime të konsiderueshme të sigurisë” në Kapitol, ku kanë selinë Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

Nuk është e qartë nëse përmirësimet e fundit janë bërë në përgjigje të kërcënimit të fundit apo janë masa që u morën pas trazirave të 6 janarit. /VOA/

Postime të ngjashme

Netanyahu: Irani kërcënimi më serioz për Lindjen e Mesme

R Zh

Republika Çeke heq gjendjen e jashtëzakonshme pas gjashtë muajsh

R Zh

Përshkallëzohen tensionet në kufirin Rusi-Ukrainë, dy anije luftarake të SHBA pritet të mbërrijnë në Detin e Zi

S.B.

Roli i ushtrisë izraelite në incidentin në centralin bërthamor në Iran

S.B.

Venezuela po i braktis aeroplanët luftarakë rusë Sukhoi Su-30

S.B.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Petricek, shkarkohet nga detyra

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...