Digjitalizimi është katalizator i zhvillimit dhe transparencës!

nga I.A
Getting your Trinity Audio player ready...

Shkup, 16 maj – Se vendi, qytetarët e institucionet në tërësi kanë nevojë për digjitalizim të plotë është çështje e padiskutueshme. Digjitalizimi i plotë pos që është në vijë me vendet evropiane dhe në përputhje me kërkesat e BE-së ndikon dukshëm në funksionim sa më efikas. Qytetarët kursejnë kohë, korrupsioni i mundshëm evitohet, e shumë dobi të tjera. Kjo është nismë e mbarë, mundësia që qytetarët të tërheqin dokumentin apo vërtetimin se janë apo nuk janë të dënuar deri dje e kanë bërë duke bredhë gjykatave, që tani e tutje mund ta bëjnë në mënyrë elektronike, shkruan Zhurnal.

Maqedonia 2025: Digjitalizimi kyç për zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, administratë më efikase shtetërore dhe shërbime më të mira publike –

Shtetet që nuk investojnë në digjitalizim rrezikojnë të mbeten në periferi të zhvillimit global. Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut gjendet përpara një sfide dhe një mundësie historike. Samiti “Maqedonia 2025”, i cili po mbahet në Shkup dhe shënon 18 vjet nga themelimi i kësaj platforme strategjike, solli në fokus temën qendrore të të ardhmes së vendit: digjitalizimi jo vetëm si nevojë teknologjike, por si bazë e reformës së thellë shtetërore, ekonomike dhe shoqërore.

Gjatë ditës së parë të samitit, drejtoresha ekzekutive e organizatës, Nikiva Mojsoska Bllazheski, ngriti një pasqyrë të sinqertë të gjendjes aktuale në vend. Sipas saj, Maqedonia e Veriut ndërtoi ekonomi tregu me një mungesë kritike të edukimit dhe informacionit për parimet e saj. Sot, përballemi me një administratë të stërngarkuar, një sistem të padrejtë për shpërndarjen e ndihmës sociale dhe një rini që aspiron punësim në sektorin publik për shkak të sigurisë, jo për potencialin e zhvillimit.

Gjatë konferencës për shtyp, krahas Mojsoskës, folën edhe Kati Iceva anëtare e Bordit të “Maqedonia 2025” dhe përfaqësuese e Microsoft si dhe Vasko Kronevski, themelues i kompanisë teknologjike “Nextsense”. Të tre theksuan se digjitalizimi duhet të jetë politikë shtetërore e integruar, jo vetëm në sektorin e teknologjisë, por në çdo fushë – nga shëndetësia dhe arsimi, deri te bujqësia dhe administrata lokale.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendet që kanë përqafuar strategji të qarta digjitalizimi kanë përjetuar rritje mesatare ekonomike 1.5 deri në 2 përqind më të lartë në krahasim me ato që nuk kanë ndërmarrë hapa të tillë (World Bank, Digital Dividends Report, 2016). Për më tepër, një studim i Transparency International (2023) tregon se rritja e transparencës nëpërmjet mjeteve digjitale ndikon ndjeshëm në reduktimin e korrupsionit administrativ.

Iceva nënvizoi se digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale nuk janë më trende kalimtare, por faktorë përcaktues për mbijetesën ekonomike dhe konkurrencën ndërkombëtare. “Maqedonia duhet të investojë në talente teknologjike, të transformojë shërbimet publike dhe të përgatisë kompanitë për një ekonomi digjitale”, tha ajo.

Kronevski shtoi se digjitalizimi duhet të jetë i lidhur me reforma të mirëfillta institucionale. Sipas tij, pa lidership të qartë dhe pa strategji gjithëpërfshirëse, çdo investim teknologjik rrezikon të përfundojë si projekt afatshkurtër pa ndikim sistemik.

Një tjetër pikë me rëndësi ishte paralajmërimi i Mojsoskës për kujdesin që duhet të tregojë shteti në projektet infrastrukturore të mëdha, të cilat shpesh krijojnë borxhe të rënda për gjeneratat e ardhshme. Ajo bëri thirrje për prioritizim të qartë dhe racional të investimeve, duke vendosur në qendër teknologjinë, arsimin dhe kapitalin njerëzor.

Samiti, që do të zgjasë pesë ditë dhe do të përfshijë mbi 36 folës dhe mbi 700 pjesëmarrës nga vendi dhe jashtë, do të mbyllet me diskutime për rolin e diasporës në zhvillimin e vendit. Kjo tregon qasjen gjithnjë më të integruar që “Maqedonia 2025” përpiqet të ndërtojë mes politikave të brendshme dhe resurseve të jashtme.

Megjithatë, kujtojmë që Maqedonia e Veriut ka mundësi reale për transformim, por vetëm nëse zgjedh rrugën e digjitalizimit si shtyllë themelore të zhvillimit kombëtar. Në një botë gjithnjë më të ndërlidhur dhe konkurruese, vonesa në këtë drejtim do të ishte luks që vendi nuk mund ta përballojë më. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More