Shkup, 13 tetor, zhurnal.mk – Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov sot mbajti takim me ambasadorin e Republikës së Sllovakisë, Henrik Markush, me të cilin diskutuan për më shumë tema aktuale si procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, zbatimi i reformave evropiane në vend, si dhe për bashkëpunimin bilateral.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe mbështetjes të cilën Maqedonia e Veriut e merr përmes ndihmës sllovake (Slovakia Aid) në punën e Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian si një forum demokratik për dialog të hapur dhe transparent për çështjet lidhur me negociatat aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në këtë fazë të rrugës sonë drejt BE-së, mbështetja nga partnerët tanë bilateral është shumë e mirëseardhur. Republika e Sllovakisë është një shembull i shkëlqyer për rrugën të cilën Maqedonia e Veriut duhet ta kalojë në miratimin, pranimin dhe realizimin e qëllimeve strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe absorbimin e fondeve evropiane në këtë proces”, ka thënë Dimitrov në takim.
Zëvendëskryeministri Dimitrov gjatë takimit falënderoi për mbështetjen të cilën Sllovakia në vazhdimësi ia siguron Maqedonisë së Veriut përmes Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së – gjatë vërshimeve të vitit 2017, gjatë kohës së krizës së emigrantëve, si dhe për ndihmën e njoftuar për ballafaqim me pasojat shëndetësore të KOVID-19.
Duke i përshëndetur sukseset të cilat Maqedonia e Veriut i arriti gjatë tre viteve të kaluara, ambasadori Markush theksoi se rajoni dhe Bashkimi Evropian aktualisht kanë nevojë për tregime të suksesshme, ndërkaq Maqedonia e Veriut ka potencial të bëhet shembull i transformimit të suksesshëm, theksohet në kumtesën e SÇE-së.