Dimitrovi në Beograd: Për rindërtimin e kredibilitetit të BE-së në rajon, nevojitet një hap konkret në kohën më të shpejtë

Shkup, 4 tetor – Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni mbahet në periudhën  kur kredibiliteti i premtimit evropian për të ardhmen e rajonit është në pikëpyetje, për shkak të së cilës nevojitet  të dërgohet  sinjal i qartë politik dhe të dy palët të ndërmarrin përgjegjësi për realizimin e përparimit, potencoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov në fjalim në panelin “BE-ja – Ballkani Perëndimor:  Çka mund të presim  nga mbledhja e BE-së në Slloveni?”, në suaza të Forumit ekonomik në Beograd.

 

Fokusi kryesor i diskutimit ishte vendosur në perspektivën evropiane të rajonit gjatë Samitit BE – Ballkani Perëndimor që mbahet  këtë të mërkurë në Bërdo, Slloveni.

“Problemi ynë është që madje edhe formulimi më i mirë i mundshëm  i fjalëve në deklaratë nga Samiti me të vërtetë  nuk do të jetë i mjaftueshëm ta kthejmë shpresën dhe besimin në premtimin evropian për  të ardhmen, veçanërisht të rinisë – nëse nuk ka sukses konkret dhe të prekshëm, sa më shpejtë që është e mundur. Pres porosi nga Bërdo për t’i tejkaluar përpjekjet deklarative nga Sofja dhe Zagrebi me të cilat  u riafirmua perspektiva evropiane”, tha Dimitrov.

Dimitrov theksoi se edhe pse në Samit  nuk do të merren vendime politike, nevojitet të përforcohet përkushtimi i të dy palëve që të përparohet bashkëpunimi në fushat nga interesi i ndërsjellë që janë tema të agjendës për Samitin, duke e përfshirë edhe mbështetjen ekonomike të BE-së për rajonin dhe ndërtimin e tregut të brendshëm rajonal, gjendjen me Kovid-19 dhe procesin e vaksinimit, agjendën e gjelbër, si dhe përpjekjet  për zvogëlim të shpenzimeve për roaming ndërmjet rajonit dhe BE-së.

“Samiti duhet të jetë mundësi që të përforcohet komunikimi strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, sepse Unioni me të vërtetë është  miku ynë më i afërt dhe dhuruesi më i madh. Një Ballkan i Bashkuar është i mundur vetëm në Evropë të Bashkuar, ndërsa pa Ballkanin as BE-ja nuk është e kompletuar. Bashkimi evropian është i mundur vetëm në bazë të narrativës evropiane dhe procesi i inkuadrimit është korniza bazë, por nuk mund të jetë funksionale nëse nuk siguron rezultare, nëse nuk dorëzohet,  nëse nuk themelohet në besim dhe kredibilitet”, tha Dimitrov.

Në panel morën pjesë edhe ambasadorët e BE-së dhe të Sllovenisë në Beograd, Emanuel Zhofre dhe Damjan Bergant, raportuesi për Serbi në Parlamentin Evropian Vlladimir Bilçik, si dhe kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi Jelena Miniq, ndërsa sërish moderatore ishte Simonida Kacarska nga Instituti për çështje evropiane – Shkup.

Related posts

Mariçiq: Hungaria nuk e ka ndërmend të ekstradojë Gruevskin

Z H

Miteva pyet Shilegovin: Ku shkuan 12.5 milionë euro

D V

Kamçev: U dënuam para se të gjykohemi

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More