Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni TOP LAJM

Disa drejtime të caktuara të fakultetit nuk janë tërheqëse për studentët, a do të përballet tregu i punës me mungesë të kuadrit të kualifikuar

Shkup, 4 prill – Gazetaria, psikologjia, studimet gjinore, këto janë vetëm disa nga drejtimet për të cilat studentët nga viti në vit po tregojnë gjithnjë e më pak interes . Nga drejtimet që janë përfshirë në këtë hulumtim të MIA-s, e që janë në kuadër të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi”, në studimet e psikologjisë në vitin 2017 ka pasur 140 studentë, ndërsa në vitin 2020 gjithsej 86, në studimet gjinore në vitin 2019 janë regjistruar 22 studentë, derisa në vitin 2020 vetëm tetë. Rënie të lehtë të numrit të studentëve të regjistruar ka edhe në disa drejtime të Fakultetit të Mjekësisë, në të cilin me më pak interesim janë studimet në teknologë radiologjikë me 51 studentë të regjistruar në vitin 2020.

Megjithatë, më shqetësuese është situata me studimet për gazetari, të cilat për shkak të interesit të ulët në periudha të caktuara ishin në fazë pushimi. Kjo e dhënë është veçanërisht brengosëse nëse merret parasysh se bëhet fjalë për drejtim, që dikur ka numëruar edhe mbi 100 studentë, ndërsa tani ka mezi 17.

Profesorët, ekspertët dhe shoqatat janë dakord për një gjë – “Arsimi ynë duhet të ofrojë shumë më tepër”.

Në bisedën për MIA-n, profesor dr. Jasna Baçovska Nediq theksoi se numri i studentëve të regjistruar në studimet e gazetarisë është i kushtëzuar nga më shumë faktorë. Ai shprehet se gjenerata e parë e studentëve të gazetarisë numëronte 125, viteve të fundit mezi aplikojnë tetë, 12, 13 studentë.

“Mendoj se pothuajse të gjitha vendet kanë traditë më të madhe, kushte më të mira, kështu që formohen fakultete specifike në kuadër të universiteteve dhe kanë veprimtari më të madhe botuese. Te ne vërehet një rënie rapide e atyre që studiojnë gazetari në krahasim me vendet tjera në rajon, e kjo ndoshta ka të bëjë me mënyrën në të cilën organizohen studimet e gazetarisë. Gjithashtu, orë praktike kemi në vëllim shumë të vogël, ndërsa programi nuk ofron përvetësim të shkathtësive që i kërkon gazetaria bashkëkohore”, deklaroi profesoresha Jasna Baçovska Nediq.

Baçovska konstaton se pikërisht kjo jozbatueshmëri e studimeve i bën jo mjaft tërheqëse. Sipas profesoreshës, gazetarët që dalin nga këto studime duhet të jenë bërthama profesionale në gazetari dhe si rezultat i kësaj duhet të trajtohen si studime avangarde.

Në pyetjen nëse ekziston rreziku nga shuarja e studimeve për gazetari, ajo u shprehe se kjo është e pamundur, por se ekziston rreziku që ato të vihen në pushim dhe regjistrimet të bëhen çdo vit të dytë.

“Është fakt se studentët përballen me mungesë të orëve praktike”, shprehen nga Forumi Arsimor Rinor për MIA-në dhe shtojnë se në vitin 2017 madje 25.4 për qind e studentëve të anketuar në Universitetin “Qirili dhe Metodi” nuk kanë realizuar mësim praktike.

“Praktika si e tillë është e një rëndësie të veçantë meqë u mundëson studentëve të zbatojnë diturinë e tyre teorike në jetën reale, gjë që nga ana tjetër, mundëson përsosjen e tyre plotësuese”, shprehet Petar Bërllakovski nga FAR-i.

Sipas tij, zgjidhja është në vendosjen e masave për të mbështetur dhe inkurajuar të rinjtë që të regjistrohen në ato programe studimore që shënojnë pak interesim, siç janë për shembull bursat.

Sindikata e Pavarur Akademike është dakord së interesi i ulët në disa drejtime të caktuara është për shkak të kushteve të studimit, cilësisë, por shtojnë se në mënyrë plotësuese edhe për shkak të mungesës së financave,

vetëbesimit të të rinjve se mund të sigurojnë ekzistencë materiale dhe të pavarësohen pa arsim shtesë, si dhe mundësive për punësim dhe lartësisë së pagave.

Profesoresha Baçovska theksoi se mjedisi i përgjithshëm shoqëroro-politik ndikon në gjendjen konkretisht me punën e gazetarisë.

“E gjithë kjo skanohet nga të rinjtë, nga ata që kanë vizion për karrierën e tyre për zhvillim profesional dhe këto ndoshta janë arsyet për një interesim kaq të vogël për studimet e gazetarisë. Mes tjerash, shohim edhe një diskrepancë të tillë në profesionin e gazetarisë, nga njëra anë keni gazetarë që u lidhën me elitat oligarkike dhe u pasuruan, e nga ana tjetër keni gazetarë që marrin paga shumë të ulëta dhe thjesht nuk janë të motivuar për të punuar”, sqaron Baçovska.

Konstaton se bëhet fjalë për probleme strukturore si nepotizmi, politizimi joracional, partizimi dhe se ato mund të zgjidhen vetëm me vullnet revolucionar politik.

Kuadri i kualifikuar përmes tregut të punës ndikon në mënyrë indirekte në varfërinë

Kuadri i kualifikuar është një nga resurset më të rëndësishme të çdo vendi. Kështu, MIA në bisedë e pyeti Biljana Dukovskën, eksperte në fushën e varfërisë, nëse dhe si lidhet mungesa e kuadrit të kualifikuar me varfërinë.

“Varfëria dhe tregu i punës janë pjesë e shoqërisë, që varen në mënyrë të ndërsjellë nga njëra-tjetra, kështu që nëse kemi treg të varfër të punës të personave me kualifikime të pamjaftueshme, nuk mund të flitni për zhvillim ekonomik në shtet, gjegjësisht vendet e nevojshme të punës nuk do të mund të plotësohen me kuadër të kualifikuar, që do të mundësojë rezultate të mirëfillta, progres të shpejtë dhe rritje ekonomike”, sqaron Dukovska.

Ajo shtoi se të rinjtë pas përfundimit të arsimimit përballen me pabarazi në tregun e punës.

“Ka familje që kanë mjete financiare për të investuar në arsimin joformal të fëmijëve, por ka edhe të tjerë që mezi e përballojnë të paktën arsimin formal, dhe ata automatikisht nuk janë konkurruese në treg në mënyrë të barabartë, ata janë të detyruar të kërkojnë punë pa kontrata ose kontrata të shkurtra me mëditje pa kurrfarë të drejtash të punës dhe në një moment shpërthen revolta dhe thonë me vete do të shkoj më mirë, do të bëj të njëjtën gjë diku jashtë, së paku do të kem më shumë para”, sqaron Dukovska.

Nga FAR-i janë dakord se personat që vijnë nga familjet me të ardhura të ulëta përballen me pengesa dhe probleme të mëdha për sukses, duke përfshirë edhe avancimin e tyre në arsim si dhe plasmanin në tregun e punës.

Gjithnjë e më pak studentë, shpërngulje evidente e të rinjve

Shteti nga viti në vit numëron gjithnjë e më pak studentë në fakultetet, ndërsa gjithnjë e më shumë të rinj shpërngulen, pasojat janë evidente si në sferën ekonomike ashtu edhe në atë intelektuale. Sipas ekspertëve, largimi i të rinjve të arsimuar është gjithashtu problem i madh.

Sipas FAR-it, të rinjtë largohen për të studiuar në universitete jashtë vendit për shkak të cilësisë së arsimit të lartë që në vendin tonë është duke stagnuar, e diku madje shënon edhe rënie.

Ndërsa Dukovska konstaton se nëse marrim parasysh se arsimi fillor dhe i mesëm janë falas, në atë rast “paratë e popullit e vendosura në trurin, njeriu i ri i ka nxjerrë jashtë vendit”.

Sipas Baçovskës, për fat të keq, këto prirje të shpërnguljes do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Po, shteti nuk bën sa duhet për të siguruar kushte të denja për jetë për të rinjtë këtu”, pranon Baçovska.

Përfshirja e të rinjve në marrjen e vendimeve shoqërore, do të largojë sjelljen e tyre apatike.

“Ndonjëherë kam përshtypje se kemi rini apatike, gjegjësisht, ‘ngre duart’ nga shumë gjëra dhe nuk besojnë në ndryshime, ata në njëfarë mënyre kërkojnë sistem në të cilin do të duhet të realizohen”, shprehet Baçovska.

Nga ana tjetër, nga FAR-i mendojnë se të rinjtë do të jenë apatikë derisa të përfshihen në vendimmarrjet.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për gjendjen në vitin 2019 janë regjistruar 4 911 të papunë me arsim të lartë dhe sipëror, në vitin 2020 – 4 049, e nga ana tjetër, sivjet janë regjistruar 5 668 të rinj të papunë me arsim sipëror.

Edhe pse për sivjet duhet të merret parasysh se shteti po përballet me krizë për shkak të pandemisë megjithatë shtrohet pyetja se çfarë bën shteti për t’i mbajtur këta 5,668 të rinj në vend.

Sipas profesoreshës Baçovska, nëse merren parasysh të gjitha problemet, janë të vogla gjasat që njerëzit e mençur, të suksesshëm dhe punëtorë të gjejnë vendin e tyre nën Diellin këtu.

Postime të ngjashme

Qytetarët nuk i njohin përfaqësuesit e tyre në pushtetin lokal

R Zh

Visar Ganiu: Urime Drita Islami – suksese edhe në gara të tjera të përmasave botërore

R Zh

Karakachanovi kritikon Borissovin për “kthesën” në qëndrimin e tij ndaj RMV-të

R Zh

Nikollovski: VMRO nuk do të lejojë zgjedhje lokale pa ‘fingerprint’

R Zh

Koalicioni ASH – Alternativa kërkojnë dorëheqjen e Mila Carovskës

R Zh

Janë regjistruar tetë raste të reja me Kovid-19, nuk ka të vdekur

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...