Fajin për tekstet shkollore e mbajnë ish-ministrat shqiptarë të Arsimit:
Shkruan: Azam Dauti
DISKRIMINIM LIGJOR “ME STIL”!…
Sipas Ligjit për tekstet shkollore,
dorëshkrimet duhet të dorëzohen ekskluzivisht në gjuhën maqedonase dhe të jenë në përputhje me planprogramet zyrtare, të cilat, në praktikë, identifikohen me kulturën dhe historinë maqedonase.
Në çështjen e barazisë kulturore dhe arsimore, kultura shqiptare trajtohet në nivel të barasvlershëm me pakicat turke, serbe, boshnjake, rome, vllahe etj. të cilat, sipas Kushtetutës, nuk hyjnë në kategorinë e “20 përqindëshit”, por në kategorinë e tretë të pakicave që, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, nuk janë në gjendje të hartojnë vetë tekste shkollore.
Tirazhet e teksteve të tyre arrijnë vetëm nga disa dhjetëra në disa qindra, ndërsa tekstet shqipe dhe maqedonase qarkullojnë në mijëra e dhjetëra mijëra ekzemplarë, varësisht nga klasa dhe lënda.
Në këtë kuadër, diskriminimi ligjor që prek autorët dhe botuesit shqiptarë shfaqet qartë në tri rrafshe:
1. Sistemi i tekstit unik
Miratohet vetëm një tekst shkollor për të gjithë nxënësit në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi.
Ky model unifikues, në vend se të garantojë cilësi, krijon monopol dhe ekskluzivitet të identitetit kulturor maqedonas, që i shtyn nxënësit shqiptar të mësojnë ashtu siç mendojnë autorët maqedonas!
2. Planprogramet mësimore dhe mospërputhja me Kushtetutën
Planprogramet aktuale nuk reflektojnë parimet kushtetuese për afirmimin e kulturës dhe identitetit shqiptar, duke i privuar autorët dhe botuesit shqiptarë nga mundësia reale për të konkurruar me dorëshkrime që mishërojnë frymën e arsimit shqip.
Ligji e ndalon qartësisht këtë mundësi.
Në këtë mënyrë, autorët dhe botuesit shqiptarë mund të marrin pjesë në procedurat konkurruese vetëm duke hartuar dorëshkrimet në maqedonisht dhe sipas një planprogrami që nuk pasqyron as historinë, as traditën, as specifikat arsimore të shqiptarëve.
3. Mekanizmi i miratimit dhe përkthimit
Me këtë Ligj, libri fillimisht miratohet në maqedonisht, dhe më pas përkthehet në shqip, serbisht, turqisht, e në disa raste edhe në boshnjakisht.
I njëjti proces është ndjekur edhe me “Gjeografinë e klasës së 7-të”, si dhe me dhjetëra e qindra tekste të tjera që qarkullojnë në arsimin shqip.
Ky model e redukton arsimin shqip në nivelin e arsimit të pakicave dhe jo të komunitetit që gëzon status kushtetues të “20 përqindëshit”.
Në aspektin juridik dhe praktik, ky është një degradim i pranuar në heshtje nga politikanët shqiptarë që kanë udhëhequr dy dekada me radhe këtë Ministri të arsimit.
Pyetja e thjeshtë:
Ku kanë qenë ministrat shqiptarë të Arsimit për 20 vite, nga 2002 deri sot, duke drejtuar ministrinë, por pa gjetur forcën për të ndryshuar një ligj që vetëm ndryshon kopertinën, jo përmbajtjen antikushtetuese?
Ky ligj vazhdon të prodhojë tekste ku kultura shqiptare është mysafire e përhershme në shtëpinë e vet, ndërsa asimilimi i heshtur vjen si “bonus edukativ”!…
Ministrat tanë? Ndoshta ishin të zënë me detyra madhore: të ruanin status quo-në me një përkushtim që do t’ua kishte zili edhe Akademia e Shkencave Maqedonase me Enciklopedinë e famshme!
Rezultati:
20 vjet qetësi absolute, një ligj që ndryshon vetëm fasadën… dhe ne vazhdojmë të pimë çajin e hidhur të realitetit?!…

