Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit, Koçiu: Me rëndësi parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm

nga D V

Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm për të qenë të vetëdijshëm ndaj kësaj sëmundjeje jo vetëm në një ditë të vetme si 4 shkurti, por çdo ditë të jetës.

Ministrja Koçiu thekson rëndësinë e madhe që ka parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm në sëmundjen e kancerit.

“Kanceri është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore globale, por zgjidhjet ekzistojnë dhe ndryshimi është i mundur. Kjo betejë nuk është vetëm e individëve, por e të gjithëve ne, së bashku”, shprehet Koçiu.

Mjeku i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli thotë se në Shqipëri, kanceret mbeten problemi i dytë më i rëndësishëm pas sëmundjeve kardiovaskulare. Sipas Yllit, sistemi shëndetësor në Shqipëri ka arritur t’i menaxhojë mirë këto sëmundje, por rritja e rasteve të reja është një tregues alarmant.

“Disa faktorë risku janë duke influencuar drejtpërdrejtë popullatën shqiptare dhe faktorët kryesorë janë duhani. Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje për ta luftuar duhanin. E dyta alkooli, mos harrojmë që alkooli mbetet një kancerogjen i kategorisë A. Një element i tretë i rëndësishëm është konsumi i ushqimeve të përpunuara, sidomos produktet industriale të mishit dhe obeziteti që është një faktor risku i njohur për kancerin”, thotë ai.

Sipas mjekut të ISHP-së, për disa lloj kancerash ekzistojnë programe të depistimit, si në rastin e kancerit të gjirit nëpërmjet mamografisë, kancerit të qafës së mitrës nëpërmjet Pap Testit apo testit të ri të virusit të Papiloms njerëzore dhe kancerit të zorrës së trashë që ka një program depistimi brenda Check Up-it që është ai i gjakut okult në feçe.

“Është e rëndësishme ta shohim kancerin si një sëmundje që ndodh edhe për arsye të disa elementeve të shkruara në gjenet tona, por edhe me disa elementë që kanë të bëjnë me mjedisin dhe sjelljen tonë. Pra, kemi shumë  në dorë për të bërë për kancerët nëse do ta marrim seriozisht. Nëse do të fillojmë herët gjatë jetës sonë për t’i kontrolluar ato, mund të kemi rezultate të mira”, përfundon mjeku Ylli.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More