Dita “D” e buxhetit kumunal në Gjilan, Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme – çka pritet të ndodh?

nga D V

Sot pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme e organizuar nga partitë opozitare, LDK dhe PDK në Gjilan, ku partitë opozitare në Gjilan, kanë deklaruar publikisht se buxheti komunal për vitin 2025 do të miratohet.

Në një konferencë për media, kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri deklaroi se partia po vepron përtej interesave partiake, duke u fokusuar tek mirëqenia e qytetarëve të Gjilanit, si dhe në mbështetjen e punëtorëve shëndetësorë dhe arsimtarëve.

“Gjilani është dhe do të mbetet qytet i demokracisë. Ata që mendojnë ndryshe, gabohen rëndë. Për ne, interesi i qytetit është mbi gjithçka tjetër dhe të enjten do të miratojmë buxhetin për qytetarët, punëtorët shëndetësorë dhe arsimtarët”, deklaroi Haziri.

Ndërsa, edhe PDK ditë më parë pati deklaruar se sot buxheti komunal do të marrë mbështetjen për miratim.

“Sipas marrëveshjes së arritur mes subjekteve politike, buxheti i komunës për vitin 2025 do të miratohet të enjten në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Ndryshe, pas dështimit të shumë seancave të organizuara nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe pas thirrjeve të shumta që i njëjti i ka bërë opozitës nuk ka arritë një marrëveshje, por vetëm një takim në nivel kryetarësh të partive politike.

Të gjitha subjektet politike iu përgjigjën pozitivisht ftesës, duke synuar gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e situatës së krijuar, ku Hyseni e cilësoi si një hap pozitiv dhe deklaroi se kërkesat e partive politike të parashtruara janë të realizueshme.

Pas takimit, Hyseni bëri të ditur se do të mbajë një takim me kryesinë e Vetëvendosjes në Gjilan për të diskutuar mbi kërkesat e adresuara.

“Pas konsultimeve të brendshme, nesër do t’i njoftojmë palët për vendimet tona dhe do të vazhdojmë me hapat e radhës,” shtoi ai.

Kryetari Hyseni nuk i njoftoi për hapat e mëtutjeshëm dhe sipas opozitës debati ndërmjet tyre u kthye në publik, duke bërë thirrje sërish për seanca e konferenca të jashtëzakonshme nga ana e kryetarit.

Vlen të theksohet se sot me fillim nga ora 10:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal në Gjilan.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More