Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, në ditën kundër gjenocidit në Çamëri, gjatë së cilës pati një mesazh dhe për kryeministrin grek Mitsotakis.
Mes rreshtave, Idrizi u shpreh se gjenocidi ndaj çamëve nuk do të harrohet asnjëherë, teksa akuzoi Greqinë se vijon të shpallë kriminelët si heronj.
“Gjenocidi nuk ka moshë. Unë dhe kolegët e mi jemi këtu për të thënë se memoria e një kombi është më e madhe se ajo e një njeriu. Thuhet se një popull që harron, vdes. Ne e kemi sfiduar harresën. Nuk fajësojmë popullin grek por politikën e kohës dhe qëndrimin e sotëm.
Askush nuk mund të shkelë mbi të drejtën e jetës, kanë 80 vite që shkelin mbi jetët tona të humbura dhe deklarojnë se çështja çame nuk është çështje.
E çuditshme se si Greqia kriminelët i shpall heronj dhe u ngre përmendore.
Jam këtu për ti dhënë zë mijëra viktimave që nuk flasin dot më”, tha mes të tjerash Idrizi.