Agjencia Zhurnal.mk
Bota

“Do marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve”, Trump premton të ndihmojë republikanët në zgjedhjet e 2022-ës

Ish-Presidenti Donald Trump pati të enjten një takim për riparim marrëdhëniesh me udhëheqësin e pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, në të cilin zoti Trump premtoi ta ndihmojë partinë për të marrë përsëri kontrollin e Dhomës në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022.

Kyn Takim vjen tre javë pasi ligjvënësi i Kalifornisë e zemëroi zotin Trump, duke thënë se ish-presidenti mbante përgjegjësi për trazirat e 6 janarit në Kapitol. Takimi u zhvillua në klubin Mar-a-Lago të ish-presidentit në Palm Beach të Floridës, ku zoti Trump banon që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar.

Zoti Trump kishte shprehur privatisht zemërim ndaj republikanit McCarthy tek këshilltarët e tij pas deklaratave të ligjvënësit se ish-presidenti ishte përgjegjës për trazirat në Kapitol ku humbën jetën pesë vetë, tha një burim që kishte dijeni me këtë zhvillim. Më vonë, zoti McCarthy u tërhoq, duke thënë se nuk besonte që trazirat të ishin provokuar nga ish-presidenti.

Ish-Presidenti Trump përballet me një gjyq në Senat muajin tjetër, pas akuzës së ngritur kundër tij nga Dhoma e Përfaqësuesve më 13 janar për nxitje rebelimi. Dhoma e bazon akuzën tek fjalimi që zoti Trump mbajti përpara mbështetësve para se ata të sulmonin Kapitolin. Në fjalim ai këmbënguli përsëri, pa u bazuar në fakte, se zgjedhjet e 3 nëntorit që humbi ndaj demokratit Joe Biden ishin “të manipuluara”.
Këshilltarët thonë se kohët e fundit zoti Trump ka folur për formimin e një alternative ndaj Partisë Republikane, Partisë Patriotike, gjë që nëse realizohet mund të kishte efekte katastrofike për republikanët në zgjedhjet e ardhshme.

Por një deklaratë për takimin me ligjvënësin McCarthy e lëshuar nga komiteti i veprimit politik “Save America” i zotit Trump, lë të kuptohet që ish-presidenti tani për tani e ka lënë mënjanë idenë e formimit të një partie të re. Aty thuhet se ata u përqendruan tek synimi që republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit 2022. “Presidenti Trump ra dakord të punojë me udhëheqësin McCarthy për të ndihmuar Partinë Republikane të bëhet shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve,” thuhet në deklaratën e komitetit “Save America”. Në deklaratë thuhet se takimi ishte shumë i mirë dhe i përzemërt”.

Republikanët morën më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, duke e ulur shumicën e demokratëve, të cilët tani kanë kontrollin me 221 vende, kundrejt 211 të republikanëve.
Zoti McCarthy tha në një deklaratë se ish-Presidenti Trump u zotua për zgjedhjen e më shumë republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në votimet e vitit 2022. Ai kritikoi demokratët që kanë nisur procesin për “shpalljen fajtor të një presidenti, i cili tani është qytetar privat”. “Një lëvizje e bashkuar konservatore do të forcojë lidhjet e qytetarëve tanë dhe do të mbajë lart liritë mbi të cilat u themelua vendi ynë,” tha ai./VOA

Postime të ngjashme

Kinën dhe Rusinë i bashkon biznesi në Serbi

D V

Policia ukrainase e gjen të varur aktivistin e zhdukur bjellorus

D V

Papa Françesku do të takohet me romët e Sllovakisë

D V

Iranit do t’i përgjigjemi në mënyrë kolektive, thotë SHBA-ja

D V

Kina jep 350 milionë doza vaksina për partnerët e nismës “Një brez, një rrugë”

Z H

Kinë, vlera industriale e sistemit të navigimit satelitor “Beidou” do të zërë 25 % të tregut global

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...