Shkup, 10 dhjetor – Koalicioni VLEN u krijua me premtimin e madh të bashkimit politik të spektrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në thelb, ideja ishte që pesë subjektet LD-ja e Izet Mexhitit, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Alternativa (tani nën udhëheqjen Bekim Sali), fraksioni i ASH-së i Arben Fetait, dhe Lëvizja Arbëra e Bekim Fazliut të mos qëndronin vetëm si një koalicion elektoral, por të shkrinin identitetet e tyre në një subjekt të vetëm politik, me një lidership të përbashkët. Por, kjo akoma nuk po ndodhë, dhe kjo dorëheqje e papritshme e Zeqerija Ibrahimit nga pozita e kryetarit të Alternativës jep sinjale të ndryshme, shkruan Zhurnal.
VLEN afër apo larg shkrirjes?
Megjithatë, që nga suksesi i jashtëzakonshëm në zgjedhjet lokale, ku VLEN fitoi 10 komuna shqiptare, procesi i shkrirjes ka ngecur. Çdo palë e pranon nevojën e bashkimit, por secila duket se e lexon ndryshe konceptin e “unitetit”. Që VLEN të bëhet një parti e vetme, duhet një lider i vetëm ose një arkitekturë lidershipi që i përfaqëson të gjithë. Pikërisht këtu nis tensioni.
Izet Mexhiti ka deklaruar hapur se lideri i ardhshëm duhet të jetë ose ai vetë ose Bilall Kasami, duke argumentuar se këto dy parti kanë peshën kryesore brenda koalicionit. Bilall Kasami e kundërshton këtë logjikë dhe propozon një trup presidencial, model që do të shmangte dominimin e një lideri të vetëm.
Në këtë përballje, Alternativa një parti më e vogël në raport me LD-në dhe Besën përbën një faktor që mund të prishë ekuilibrat ose t’i qetësojë ato, varësisht se si pozicionohet. Mbrëmbë, kryetari i kësaj partie, Zeqirija Ibrahimi, dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të partisë. Në vend të tij u zgjodh ushtrues detyre, Bekim Sali, deri në kongresin e kësaj partie që pritet të mbahet në prill të vitit që vjen.
Dorëheqja e Zekerija Ibrahimit zhbllokim apo komplikim?
Zekerija Ibrahimi dha dorëheqje nga kryetari i Alternativës, duke e lënë hapur pyetjen se kush do ta udhëheqë partinë në fazën më të rëndësishme të koalicionit. Edhe pse i emëruar në këtë pozitë është përcaktuar, Bekim Sali. Nga njëra anë, kjo dorëheqje mund ta lehtësojë shkrirjen pasi Ibrahimi nuk ishte kandidat real për lidership të VLEN-it gjë që largimi i tij shmang frikën e “pretendimeve të fshehura”.
Por, nga ana tjetër, hap rrugën për Bekim Salin, i cili ka profil më të spikatur publikisht si ish-ministër shëndetësie dhe potencialisht mund të luajë rolin e ndërmjetësit. Por, çfarë pritet të ndodhë nëse Bekim Sali synon rritje të peshës së Alternativës, ai mund të kërkojë rol më të dukshëm në strukturën e re të VLEN-it, duke hapur një front të tretë negociues.
A mund të jetë Bekim Sali faktori surprizë i koalicionit VLEN?
Nuk ka indikacione zyrtare se Bekim Sali synon të jetë kandidat për lider të VLEN-it, por profili i tij më i pranueshëm për një spektër më të gjerë votuesish dhe më pak konfliktual e bën të paktën teorikisht të mundshme daljen e tij si kompromis. Nëse Mexhiti dhe Kasami nuk gjejnë gjuhë të përbashkët, një figurë “e tretë” mund të jetë zgjidhja.
Megjithatë, kjo varet nga dy pyetje se a e pranojnë Mexhiti dhe Kasami një lider jashtë dyshes së tyre? Dhe, pyetja tjetër është se Alternativa a është e gatshme të heqë dorë prej identitetit të saj në mënyrë të plotë? Nëse të dyja përgjigjet janë “po”, atëherë dorëheqja e Ibrahimit shndërrohet në katalizator që e përshpejton shkrirjen. /Zhurnal.mk
