Dorëheqja Selës / FOLA SEPSE ASKUSH NUK FLET!

nga Redaksia

Shkruan Bexhet Muslija

Shkup, 22 gusht – Rezultatet e dobëta nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për Këshillin e Komunës së Tetovës kanë detyruar kryetarin e “Aleancës për Shqiptarët”, Zijadin Sela që të japë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit. Ky vendim i pritur dhe i duhur ka hapur shtegun për zgjedhjen e një kryetari të ri. Por, kush po i fërkon duart për t’u bërë kryetar i Aleancës për Shqiptarët! Po foli sepse nuk pashë asnjë lider i cili përshëndeti dorëheqjen e Ziadin Selës si akt moral dhe demokratik!

Sela pas disa dështimeve në zgjedhje, jep dorëheqje!

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dje njoftoi se pas takimit me anëtarët e kryesisë më të ngushtë të partisë jep dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.

“Biseduam rreth situatës së shkaktuar politike pas zgjedhjeve në Tetovë. Unë qëndroj pas çdo fjale të cilën e kam thënë, dhe ajo është se Tetova nuk është vetëm komunë, Tetova nuk është vetëm qytet, Tetova është më shumë se kaq – vetëm një qytet. Rezultatet në Tetovë me të vërtetë është se jashtë çdo pritshmërie lidhur me Tetovën, dhe unë si kryetar i partisë jam i gatshëm të marr përgjegjësi dhe nga ky moment e marr përgjegjësinë, jap dorëheqje të parevokueshme si kryetar i partisë”, theksoi Zijadin Sela.
Sela tha se do të bëjnë analiza për të parë përse nuk kanë mundur të fitojnë asnjë Asambleist në zgjedhjet e fundit. “Do të kujdesemi në kuptimin e vënies në përgjegjësi të të gjithë atyre që sabotuan procesin, të gjithë atyre që punuan, janë anëtarë të Aleancës për Shqiptarët dhe janë kundër Aleancës për Shqiptarët”, tha Sela.

PDSH luftoi në Tetovë që të dështojë Sela!

Ishte “sekret publik” se Partia Demokratike Shqiptare e drejtuar nga Menduh Thaçi në zgjedhjet e fundit në Tetovë ka punuar maksimalisht që në zagjedhje të dështojë Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës. Për PDSH-në, Sela dhe grupi që u larguan nga PDSH-ja në emër të reformave në këtë parti nuk janë tjetër gjë përveç se të padëshiruar dhe të lajthitur në rrugën e kauzës kombëtare. E mënjëherë pas njoftimit të rezultateve të para, bartësi i Listës së PDSH-së për këshilltar në komunën e Tetovës, Visar Palloshi në rrjetet sociale ka shkruar: “Kryesorja Tetovarët i’a arritën qëllimit që tradhtarët si Zijadinin t’i largojnë prej Tetovë”.

Si zgjidhet kryetari i ri!

Organi më i lartë i partisë, pas dy kongreseve, Asamblesë qendrore, duhet të mblidhet dhe të vendosë lidhur me atë kush do të jetë u.d. kryetar i partisë. “Nuk do të ishte demokratike që unë të deklaroja se kush duhet të jetë kandidati për president, sepse është e drejtë e anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët dhe kjo është e drejtë e Asamblesë Qendrore për u,d, të zgjedhë dhe kjo nuk është e drejtë e imja”, porositi Sela në deklaratën e dhënë për media.
Aleanca për Shqiptarët filloi të formohet në vitin 2015 kur Zijadin Sela, si anëtar i PDSH-së, e inicioi Lëvizjen për reforma në PDSH. Më pas u formua edhe partia me emrin Aleanca për Shqiptarët. Më 27 mars të vitit 2022, në kongresin e dytë Sela u rizgjodh për kryetar.

Taravari: Ai që di të mbajë përgjegjësi futet me hak në histori si burrë

Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari dhe njëherësh kryetar i qytetit të Gostivarit ka njoftuar se Ziadin Sela do të vazhdojë të jetë pjesë e Aleancës. “Fatmirësisht kontributi i tij sui generis do të jetë një mbështetje e madhe për të gjithë partinë, por sonte ai i ka treguar të gjithë klasës politike të shtetit, sidomos nivelit të kryetarëve se: Ai që di të mbajë përgjegjësi futet me hak në histori si burrë dhe Ziadin Sela është i tillë! Faleminderit kryetar! Përshëndetje e si thua ti i dashur mik: Vazhdojmë Përpara!”, shkruan mes tjerash Taravari.

Largimi i Selës, i duhur dhe i bën mirë partisë

Zijadin Sela që nga momenti kur e themeloi Lëvizjen për reforma në PDSH u mundua që të ndryshojë qasjen e opozitës shqiptare, ndryshe nga ajo se çfarë ishte më parë e kryesuar nga Menduh Thaçi. Sela konsideronte se Thaçi e ka mbyllur frymën intelektuale të Arben Xhaferit dhe për këtë arsye ai mblodhi intelektualët e pakënaqur të PDSH-së dhe nga Lëvizja për reforma krijoi parti të re që e quajti Aleanca për Shqiptarët. Gjatë veprimit të tij, ai pati një eufori në fillim dhe arriti që të grumbullojë mjaft vota, fitoi në Strugë dhe në Gostivar dhe dukej si një opozitë shpresëdhënëse, e cila mund ta çojë BDI-në në opozitë. Por, kjo eufori zgjati shumë pak, pasi egoja “unë dhe vetëm unë” e shkatërroi këtë parti. Egoja e Menduh Thaçit u përsërit nga Zijadin Sela dhe të gjithë ata që i besuan se ky është ndryshe, filluan të thonë se qenka njëjtë si Menduh Thaçi. Kjo ndodhi për shumë arsye. Fillimisht nuk dha dorëheqje pas disa porosive që ia bënë shqiptarët kur ai humbi zgjedhjet për Strugën dhe në shumë komuna tjera.

Sela edhe në rolin e opozitës, herë deklaronte veten si lider i saj, herë si partner i barabartë me Alternativën, pastaj me Besën, e herë të përçarë! Sela nuk arriti të luaj lojën e bashkimit të opozitës, por duke u munduar të bëhet lider i opozitës, i largoi nga vetja të gjithë ata që ishin të pakënaqur me BDI-në.

Ndryshimi i shpeshtë i qëndrimeve i kushtoi shtrenjtë Selës. Ai herë luante në kartën e nacionalizimit, herë bënte koalicione me VMRO-në, herë me partitë shqiptare dhe pastaj prishej me të gjithë. Në politikë duhet vizion dhe konsistencë, e kjo i mungonte Zijadin Selës si lider!

Edhe atëherë kur tërthorazi nga kryesia i thoshin se duhej të tërhiqej, ai vazhdonte me avazin e vjetër. E këtë nuk ia fali elektorati, e sidomos ai në Tetovë që di të votojë edhe kundërshtarin tënd, vetëm e vetëm që të ta jap leksionin e duhur, të të thotë mjaft.

Andaj largimi i Selës ishte i pashmangshëm dhe i duhur nëse kjo parti dëshiron ende të mbijetojë në skenën politike. Mund të jetë edhe një largim i vonshëm, sepse nëse së shpejti shteti shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë anëtarët e kësaj partie, të dëshpëruar dhe të mos organizuar siç duhet, do të fillojnë të veprojnë si “pula pa kokë”, e që do të bien pre e “ujqërve” të partive tjera.

Aleancës për Shqiptarët i duhet urgjentisht një lider i ri, organizativ, me karizëm dhe që di se çfarë kërkon në politikë. Kësaj partie i duhen reforma të thella dhe të shpejta. I duhet frymë pozitive, përbashkuese dhe jo mënjanuese. ASH-së i duhet dikush që do të ngjallë shpresë për ndryshime në politikën shqiptare. Çdokush që do të mundohet me lajka të zgjidhet kryetar e të udhëheq parti, është që në fillim i dështuar.

Kush po i fërkon duart për këtë pozitë, pritet të shihet se shpejti, por kushdo që do e merr këtë përgjegjësi, nuk do ta ketë aspak lehtë. Siç thotë populli, do të jetë si të mbash “prushin në dorë”!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More