Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme SPAK prej 366 faqesh për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, rezulton se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë tentuar të prishin provat dhe të pengojnë punën e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se në rastin e Veliajt ekziston “rreziku i helmimit të provave” dhe ngadalësimit apo devijimit në mënyrë të parregullt të procesit për shkak të funksionit publik që ai mban, por edhe prej sjelljes së tij në raport me agjentët e BKH.
SPAK konstaton se kryebashkiaku i Tiranës ka dërguar mesazhe intimiduese të një natyre të fortë në drejtim të agjentëve të BKH që kishin në dorë çështjen e tij.
“Në këtë kuptim, duke patur në konsideratë ambientin ku shtetasit nën hetim jetojnë, funksionin publik që ushtron shtetasi Erion Veliaj, njohjet e shumta, lidhjet e siguruara dhe ndikimi mjaft i fortë që buron nga ushtrimi i këtij funksioni, rëndësia e të cilit shtohet në mënyrë eksponenciale nisur nga territori që mbulon dhe fondet publike që administron Bashkia Tiranë, si Bashkia me e madhe në vend, duke vlerësuar sjelljen e shfaqur nga vetë shtetasi nën hetim Erion Veliaj ndërsa dërgon mesazhe me natyrë të fortë intimiduese në drejtim të hetuesve të BKH-së, të cilëve u kërkon hapur të ndalojnë me thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime, pranisë së një prej të kryetarit të Bashkisë Tiranë gjatë takimeve të zhvilluara nga bashkëshortja e këtij të fundit me personat e thirrur nga organi procedues, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga hetuesit c BKH-së, si edhe duke patur në konsideratë sjelljen e shtetases Ajola Xoxa veçanërisht pas kontrolleve të ushtruara sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, organi procedues ka arritur në përfundimi ekziston rreziku real që disa prova të mos merren apo të merren në një formë të ‘helmuar’”, thuhet në dosjen hetimore të SPAK.
SPAK nënvizon më tej se ky rrezik është provuar të jetë i prekshëm gjatë gjithë hetimit paraprak, sidomos në raport me personat që janë thirrur për të bërë deklarime pranë SPAK, por edhe me sjelljen që kanë shfaqur Veliaj dhe Xoxa gjatë kësaj periudhe.