Dosja “Partizani”, Berisha paraqitet në SPAK: Prokuroria politike merr fund më 11 maj

nga D V

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Pas ndalesës në ambientet e SPAK-ut, Berisha u ndal në një deklaratë për mediet.

“Edhe një gjë, është shumë interesante të lexoni aty ku firmos unë dëshminë që unë erdha, aty thotë procesverbali se nuk mund të bëhet asnjë vërejtje.

Dhe unë pastaj bëj një fletë të veçantë ku i them: Prokuroria politike e Edi Ramës, e kukullës së Xhorxh Sorosit, me një krye mercenar Dumanin, është vegël e regjimit të tij dhe patericë e pushtetit të krimit, i cili merr fund me turp më 11 maj të vitit 2025.
Ky është mesazhi për Edi Ramën që lashë në tavolinë”, tha Berisha.

Ai shtoi më tej se “ne jemi opozitë dhe për ne, beteja për votën e lirë është beteja e të gjithëve”.

Kryedemokrati tha se për të “krimi elektoral është krimi më i shëmtuar, më i rëndësishëm, më antikushtetues”, ndërsa shtoi se kreu i SPAK Altin Dumani ka amnistuar anëtarë të mazhorancës të cilët, sipas Berishës, “janë kriminelë elektoralë”.

Duke u ndalur tek udhëtimi i tij në Bruksel, Berisha tha se do të shkojë atje si fitimtar.

“Letra ka disa vlerësime të qarta aty se pse është ftuar Berisha në IDU. IDU është Unioni Demokrat Ndërkombëtar dhe unë do shkoj atje pa diskutim edhe për të dhënë lajmin e triumfit të PD-së në zgjedhjet e 11 majit, për të dhënë edhe shembullin dhe praktikat se betejat për liri nuk humbasin kurrë”, u shpreh Berisha.

Berisha konfirmoi gjithashtu edhe koalicionin me Partinë e Lirisë dhe Ilir Metën. Berisha tha se Meta donte të ishte në lista të hapura, por nuk mund të bëjë fushatë nga burgu, kështu që do të jetë në listën e mbyllur.

“Ilir Meta është i burgosur politik dhe ka mbështetjen e opozitës shqiptare. Lista të hapura, mund të bëjë fushatë ai nga burgu? Donte të ishte në lista të hapura, por u burgos. Ai do të jetë deputet në Parlament ndërsa Edi Rama do të jetë aty ku e meriton. Do të ekstradohet te McGonigal”, tha Berisha.

Ndërkohë, edhe këtë herë mbështetësit e Berishës janë mbledhur para ambienteve të SPAK.

Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri, Jamarbër Malltezi.

Kreu i Partisë Demokratike është nën hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More