Udhëheqësit e organeve komunale të Dragashit kanë pritur në takim koordinatorin e Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursa të Turqisë, Recep Gündüz, me të cilin janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit drejt forcimit të lidhjeve dhe shkëmbimit të përvojave mes institucioneve lokale të Kosovës dhe të Turqisë.
Komuna e Dragashit ka njoftuar se kryetari Bexhet Xheladini ka shprehur mirënjohjen ndaj mysafirit nga Bursa për mikpritjen gjatë vizitës studimore të realizuar në vitin e shkuar si dhe ndërmjetësimin në realizimin e takimeve zyrtare me përfaqësues të Komunës Orhaneli dhe Komunës së Bursës në Republikën e Turqisë, raporton Telegrafi.
“Në këtë takim u diskutua gjithashtu për vazhdimin e bashkëpunimit me Qendrën Kulturore të Bursas, duke shqyrtuar mundësitë e vizitave të ndërsjella, me qëllim të forcimit të lidhjeve dhe shkëmbimit të përvojave mes institucioneve lokale të Kosovës dhe Turqisë”, thuhet në njoftim.
Gündüz ka realizuar edhe një vizitë të shkurtër në selinë e LMT-së së KFOR-it Turk, Njësia në Dragash.