Shkup, 11 mars – Drejtoria e Doganave shpesh herë është parë si një nga drejtoritë më delikate në vend, përmes të cilës janë bërë keqpërdorime masive. Por, me ndryshimin e pushtetit duket që edhe gjërat kanë ndryshuar në drejtim pozitiv. Që kjo duhej në fakt të ndodhte shumë më herët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe do të jenë mbështetës i fuqishëm i politikave të cilat i zbaton Drejtoria e Doganave, është porosia kyçe e ambasadores së SHBA-së, Angela Ageler në Shkup, shkruan Zhurnal.
Rezultate të shkëlqyera të Drejtorisë së Doganave në çrrënjosjen e krimit dhe grumbullimin e të ardhurave më të larta në buxhet –
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe do të jenë mbështetës i fuqishëm i politikave të cilat i zbaton Drejtoria e Doganave, është porosia kyçe nga vizita e ambasadores së SHBA-së, Angela Ageler, drejtoreshës së Zyrës për Luftë Ndërkombëtare Kundër Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjeve Virxhinia Eliot dhe zëvendësshefin e Zyrës për Bashkëpunim Ushtarak Dypalësh, Daniel Silver në Drejtorinë e Doganave.
“Prania ime këtu është t’ju falënderoj dhe t’ju përgëzoj për rezultatet e tetë muajve të fundit, të cilat janë të mahnitshme. Mirënjohje për doganierët që janë në kufi dhe mbrojnë qytetarët. Hapat që po ndërmerrni janë shumë të rëndësishëm për ne, por aq më tepër për qytetarët tuaj dhe sigurinë e shtetit. Në të njëjtën kohë, mbledhja më e lartë e të ardhurave do të thotë më shumë fonde për qytetarët tuaj. Ne jemi partnerët, miqtë tuaj dhe do të jemi këtu për ju”, theksoi ambasadorja Ageler në takimin me drejtorin e Drejtorisë së Doganave Boban Nikollovski, zëvendësdrejtorin Garip Kaba dhe ekipin, në kuadër të vizitës në Drejtorinë e Doganave.
Drejtori Nikollovski shprehi mirënjohje të veçantë për Qeverinë e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e aktiviteteve të drejtuara drejt fuqizimit të kapaciteteve të Drejtorisë së Doganave.
“Vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2024 janë paguar një miliard euro, ose afro 65 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këtë vit në janar janë realizuar të ardhura prej 148,5 milionë euro ose 5,2 milionë euro më shumë se muajin e njëjtë të vitit të kaluar, përderisa në shkurt janë realizuar të ardhura prej 312,15 milionë euro, ose 9 milionë euro më shumë se vitin e kaluar”, theksoi Boban Nikollovski.
Lidhur me konfiskimet e realizuara, në gjithë vitin 2024, shtoi drejtori i Drejtorisë së Doganave, janë evidentuar gjithsej 410 raste me çka 305 raste të konfiskimeve janë evidentuar në gjysmën e dytë të këtij viti.
Mes tjerash lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë edhe përmes Drejtorisë së zbulimit financiar –
Kujtim Ibishi, kuadër i koalicionit shqiptarë qeverisës “VLEN” është emëruar drejtor në Drejtorinë e Inteligjencës Financiare. Ibishi është emëruar në këtë pozitë me propozim të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari.
Koalicioni “VLEN” ka marrë këtë drejtori e cila është një nga më të rëndësishmet në shtet, pasi para formimit të Qeverisë së re kishte paralajmëruar luftë të pakompromisë kundër korrupsionit. Nga ky koalicion thonë se kjo është një nga ato drejtori që do të punohet fortë për të çrrënjosur korrupsionin.
Këtë e ka bërë të ditur Zëvendës kryeministri i parë Mexhiti përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Sot fillon lufta kundër korrupsionit. Për herë të parë, një parti shqiptare do të udhëheqë Drejtorinë për Zbulim Financiar, duke shënuar një angazhim të ri dhe të fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Koalicioni VLEN ka marrë përsipër këtë përgjegjësi, që me vendosmëri dhe përkushtim, të udhëheq këtë institucion kyç, përmes të cilit do të punojmë intensivisht për të realizuar shtyllën tonë programore: luftimin e krimit dhe korrupsionit!”, pati shkruar Mexhiti në facebook.
Ai mes tjerash ka shtuar që kjo drejtori do të jetë një armë e fortë për ta luftuar atë që e kanë pasur edhe premtim edhe plan parazgjedhor për të cilën kanë folur në takim me secilin qytetarë, luftën kundër korrupsionit.
“Drejtoria për Zbulim Financiar do të jetë arma jonë kryesore në parandalimin e pastrimit të parave dhe veprimtarive të tjera kriminale. Ne jemi të përkushtuar të sjellim transparencë dhe drejtësi në çdo hap të kësaj beteje. Kalojmë në veprim!” ka përfunduar Mexhiti.
Kujtojmë që, duke luftuar korrupsionin vendit i hapet rrugëtimi për integrim sa më të shpejt drejt BE-së. Prandaj, problemi kryesor në vend është i brendshëm kur të eliminohet ky problem pastaj vendit i hapet rruga për progres të përgjithshëm. Pra, krahas kësaj sfide qeveria e re ka edhe sigurimin e vazhdimit të rrugëtimit për anëtarësim të plotë në BE. /Zhurnal.mk