Opinion

“Drejtoromania” partiake si pengesë e reformave në Administratë

Zhurnal Ads

Autor: Xhelal Neziri

Në dhjetor të vitit vitit 2019 Qeveria e Maqedonisë së Veriut me pompozitet e kishte njoftuar për miratimin e Ligjit për shërbim të lartë udhëheqës. Ky Ligj që mëtonte të mënjanojë emërimin politik në poste menaxhuese profesionale, ishte paraparë të zbatohet për drejtorët dhe sekretarët shtetërorë në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, në përjashtim të gjykatave dhe organeve të sigurisë.

Në një konferencë për gazetarë, ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, i kishte prezantuar me kujdes pikat kryesore të ligjit, duke nënvizuar se në këtë mënyrë do të arrihen qëllimet për menxhim të mirë të institucioneve.

“Ligji parasheh themelimin e Komisionit për Shërbim të Lartë Udhëheqës me statusin e një organi të pavarur shtetëror, të përbërë nga 5 anëtarë me një mandat prej pesë vjetësh. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit do të jetë gjithëpërfshirëse, e hapur dhe publike, dhe do të bëhet nga një Komitet, i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë. Komiteti do të organizojë një prezantim publik të kandidatëve të kualifikuar për anëtarë të Komisionit, i cili do të regjistrohet dhe transmetohet në Kanalin Parlamentar,” tha ish-ministri Mançevski. Kjo do të thotë se Ligji parasheh që zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të bëhet nëpërmjet një procesi më pak të ndikueshëm nga partitë politike, me qëllim që të vlerësohen më shumë kapacitetet, kompetencat dhe meritat individuale të kandidatëve.

Por ky ligj, që paraqet hapin e parë drejt departizimit dhe profesionalizmit të administratës, nuk është miratuar nga ana e Parlamentit që të hyjë në fuqi. Në fakt, që nga konstituimi kjo përbërje parlamentare nuk ka arritur të sjellë as ndryshimet e ligjeve në shëndetësi konform masave të miratuara për mbrojtje nga COVID-19, as Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, madje as të finalizojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të RTM dhe të Agjencisë audiovizive. Dy projektet e fundit janë nënvizuar qartë edhe në Raportin më të ri të progresit të Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut.

Reformimi dhe profesionalizmi i administratës poashtu janë pikat kryesore të Raportit. Pikërisht miratimi i Ligjit për shërbime të larta udhëheqëse do të ishte një bazë e mirë për fillimin e këtij procesi. Megjithatë, edhe në këtë rast institucioni më i lartë ligjvënës duket se është ose jofunksional, ose mjet i pushtetit ekzekutiv. Kjo nga shkaku se, duke mbajtur në sirtar Ligjin, u mundësoi partive në pushtet të emërojnë drejtorë dhe sekretarë shtetëror në bazë të kritereve të tyre, ku dominon ai i “numrit të votave që ka siguruar në lagje”.

Si do të ishin zgjedhur nëse në fuqi do të ishte Ligji për shërbime të larta udhëheqëse? Do të formohej një bord i veçantë për secilën zgjedhje individuale për një pozitë të lartë drejtuese, i përbërë nga një president dhe katër anëtarë, nga të cilët: presidenti dhe një anëtar nga anëtarët e Komisionit për Shërbime të Larta Udhëheqëse, një anëtar i cili është ekspert në fushën e kompetencës së institucionit, një anëtar i bazës së të dhënave të profesionistëve të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe një anëtar i bazës së të dhënave të menaxherëve. Procedura për zgjedhjen e drejtuesve të lartë do të përbëhej nga tre faza të detyrueshme: përzgjedhja administrative, testimi dhe intervista e strukturuar. Në fund të intervistës, Bordi do të duhej të përgatit një listë përfundimtare me deri në tre kandidatë më të suksesshëm, një mendim individual për secilin kandidat dhe një raport mbi procesin e përzgjedhjes. Për më tepër, për herë të parë, ky Ligj parashikon përgjegjësi disiplinore për personat në pozita drejtuese.

Ligji është gati që nga shkurti i vitit 2019, kur edhe është botuar në portalin e akteve shtetërore ENER. Aktualizimi në dhjetor, pra dhjetë muaj më pas, mund të ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme parlamentare që sapo ishin caktuar të mbahen në prill të këtij viti. Ndërkohë që zgjedhjet u zhvendosën për në korrik shkaku i pandemisë me COVID-19, ky ligj vazhdoi të shërbejë vetëm si retorikë parazgjedhore për të bindur votuesin se kjo qeveri e ka me gjithë mend reformimin e administratës.

Postime të ngjashme

Intelektuali VS Turma

XH,I

Politikanët e Shqipërisë të mësojnë nga shkolla politike e Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferit

XH,I

“Haga u bë fakt, të mos humbim Kosovën!”

XH,I
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...