Shkup, 4 janar – Të pakënaqur nga vlerësimi por edhe nga çmimi i ulët i blerjes, duhanxhinjtë dolën në protestë para Qeverisë. Të revoltuar kërkojnë që Qeveria të përgjigjet se si planifikon ta zgjidhë problemin e tyre pasi blerësit filluan me vlerësimin e keq të duhanit duke u ofruar çmime më të ulëta krahasuar me çmimet që i paguan deri më tani për blerjen e duhanit.
“Nëpër Pellagoninë dhe rajonet e tjera në Maqedoni ku kultivohet duhan, po ndodh plaçkitje e paparë, tekstualisht po plaçkiten kultivuesit e duhanit, duke u varfëruar, ata janë në skaj të ekzistencës. Nëse vazhdon kjo që po ndodh aktualisht sipas të gjitha gjasave pas Pashkëve do të kemi 130 duhanxhinj të varfër”, deklaroi Vasko Josifovski – nga Bordi i duhanxhinjve të pakënaqur.
Ata kërkojnë heqje të klasës së katërt të duhanit, rritje lineare të subvencioneve prej 100 denarëve për një kilogram për të gjitha klasat e duhanit si dhe blerje të garantuar të tepricës së duhanit të prodhuar.
“Ministria bëri mashtrim, me ligjin e ri na dëmtoi, nuk na dha përparësi që të përmirësohet blerja e duhanit, por na dëmtoi. Zaev premtoi se nuk do të ketë klasë të katërt. Jo se nuk do të ketë, ka, por Qeveria ua dha të drejtën blerësve që me ligjin e ri të mund të marrin duhan prej jashtë”, u shpreh Xhevad Sali – kultives i duhanit.
Në protestën e kultivuesve të duhanit morën pjesë edhe vreshtarët të cilët thanë se bujqësia është sektor më i nënçmuar në vendin tonë. Ata thanë se nëse nuk gjendet zgjidhje për çmimin e blerjes së rrushit i cili mesatarisht lëviz prej 120 deri 160 denarë, do të dalin në protestë me bllokada nëpër qytetet ku jetojnë.