Agjencia Zhurnal.mk

Dur Hashim!

Shkruan FADIL LEPAJA

Kemi mbërri në një situatë, në të cilën korpusi politik i vendit nuk ka potencial me e shty përpara vendin, madje, nuk po ka potencial as me e ndalë shkuarjen prapa. Në skenën rajonale, janë ndërruar rolet, ku kryesit e krimeve, janë rikthyer si zgjidhje për të gjitha problemet që i patën krijuar vetë dy dekada më parë. Asokohe, ata mbase ishin figurantë, por sot janë bosët e lojës, së njëjtë. Oligarkët, bëjnë pazar gjithçka!

Te ne, aq gjatë është në skenën politike të këtij vendi, sa më nuk janë të nevojshëm titujt, as mbiemri për me e kuptua për kë është fjala. Mjafton me thanë, Hashim edhe e kuptojnë të gjithë për kë është fjala. Thuaj, “dur Hashim “ dhe krejt e kuptojnë për çka është fjala. Thuaj, këtu ka një dallavere, një intrigë, një keqkuptim, një konflikt i nxitur nga dikush, një marrëveshje sekrete, një “përçajë dhe sundo” dhe hiç mos ja përmend emrin. E dinë njerëzit, kush, ku, kur, sa …por çka me ba, njerëzit e gjorë ? Po thonë, të gjithë: ndërkombëtarët po e duan. Populli nuk e voton, por atë gjithnjë e ke mbi kurriz.
Disa thonë, se e kanë në grusht, prandaj e duan. Disa të tjerë thonë se ky po i mban në grusht. Askush nuk po e di ku e ka fuqinë dikush, ai i cili e përfaqëson një vend të vogël, të varfër dhe të panjohur ndërkombëtarisht, dhe i cili ulet në radhë me superfuqitë. Në rregull, mund të thoni se ngjashëm ndodhë edhe me kryeministrin shqiptar, i cili me çitjane, apo me atlete dhe kollare shkon në mega konferenca, por Edi Rama është rast i veçantë, ai me vetëdije e ka marrë rolin e argëtuesit rajonal dhe të “dasmave” të tjera ku e thirrin. Me një fjalë, bëhesh palaço dhe merr pëlqime sa të duash. Dridhi të pasmet, dhe akademikët nuk kanë gjasa në përballje me ty, në rrjetet sociale.

Por, ky nuk është, argëtues. Është Hashim. Ende nuk e ka vu ligjin anti-media, sikur Rama, por nëse e thyen koalicionin e ndryshimeve, edhe mundet të e bëjë. Pastaj, mund të shpallet mbret. Sikur Zogu, dikur! Pas gjashtë muaj qëndrimi në Beograd, Zogu, me mercenar rus, serb dhe kosovarë, u pat kthyer dhe e pat çliruar, Tiranën, nga Noli dhe demokratët e tjerë.
Sido që të jetë, ky mbeti se mbeti mbi kalë këto 20 vite, dhe hiç mos u lodhni me ja ngjitë emrin kalit, Kush është “kali” në këtë rrëfim melodramatik, tragjikomik të quajtur Kosovë? “Kali” është fenomen kolektiv, mazohist, i cili po e kërkonte një zëvendësim për pushtuesin e huaj. Po e kërkonte një vendorë, me ja hekë mallin e … po e dini. Kot, çlirimi! Duhet të mësohesh edhe me lirinë. Nuk është kjo ikja e parë kolektive, nga liria. Na kanë bindur se nuk jemi të zotët të bëjmë shtet, të qeverisemi vet. Na kanë hapur, disa herë korridore humanitare. Duhej pra, një kalorës, një person, një shalë për këtë komunitet.

Sidoqoftë, viktima, qytetari, më nuk është qytetar, as katundar, sepse e kanë emëruar me shumë emra, e kanë nda në shumë identitete, të njëjta me objektiva e të ndryshme në dizajnë, por qytetari kritik, ka ikur nëpër kampe azilantësh, ka ikur nga çmendina.
E Hashimi është bërë nervoz, është shqetësuar, e ka humbur durimin krejtësisht dhe po i ngreh lëvizjet për ashiqare, jo për tjetër, përpos se ka rënë besimi në fuqinë e tij. Nëse dyshohet në fuqinë e tij, gjithçka rrënohet. Fillimisht bie miti. Gjarpëri bëhet me këmbë.
Afatet kushtetuese, sanksionet për mos respektim afatesh, ftesat, të cilat po ja përmend mandatarit të ardhshëm, e shpërfaqin Hashimin e pasigurte në të ardhmen e vet politike, dhe sidomos në të ardhmen e vet historike. Historinë personale të shkruar me fondet e shtetit, qoftë në gjuhët e huaja, qoftë në gjuhët vendore, nuk po e lexon më askush. Nuk po lexon rinia, ankohen të gjithë. Ka rënë kureshtja.

Nuk po kryen punë më as media e “lirë” , as statuset e “dostave”, të pasuruar nëpër mediat lokale, apo nëpër rrjete sociale.

Derisa Berisha, (ar)miku i Hashimit, për shembull, i pasuruar skajshëm, i pensionuar “për së gjalli” politikisht, po mjaftohet të jetë hero i gjeneratës, në rrjetet sociale, me deklarata komike, Hashimi nuk e ka sensin e tij për humor. Nuk e ka as qytetarin aq të korruptueshëm, dhe të gatshëm të luaj pafundësisht video lojën “Gerasimov”. Në Shqipëri, për ta hequr një kryeministër apo një president, nuk ka dert se e shkatërron shtetin. Shtetin e bënë prapë, kur të duash, por Berishën apo Ramën nuk e heq dot kur të duash.
Një politikan, apo politikë, mundë të mbijetoj pafundësisht në këtë lojë, përderisa e mban konjuktura ndërkombëtare e kaosit, por a do të mbijetojë shteti, qytetari, populli? Mos jini të sigurte! Dikur popujt ishin të përjetshëm, politikanët shkonin e vinin. Sot popujt janë bërë refugjatë, të lëvizshëm, të rrjedhshëm. Të rrjedh populli ndër duar, Hashim, të ikë, ta lë tokën djerrë, vendet e punës bosh…! krejt deri në Merdare, mbetet e jotja, dhe e zbrazët. Mund të mbetesh në shtet, politikë, me çdo kusht, dhe me ndihmën ndërkombëtare, por duhet të importosh popull tjetër, ashtu si importojnë sportistë klubet tona, pasi talentet vendorë, mbajnë ngjyra të huaja.

Pra, dur, Hashim. Prite radhën. Me “gerasimovin” mund të e fitosh, mbase përsëri politikën por do e humbasësh historinë. Mund të fitosh lojën, edhe milionat, por do e humbasësh kuptimin…!

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...