Shkup, 28 shkurt – Në pajtim me ndryshimet e Ligjit për mbrojtje të konsumatorëve, duke filluar nga mesi i prillit, tregtarët me pakicë do të duhet të publikojnë çmimet e të gjitha produkteve në ueb-faqet e tyre dhe në dhjetë ditët e ardhshme do të publikohen rregulloret se si duhet të publikohen, tha në konferencë për shtyp, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Ai me këtë rast nënvizoi se Inspektorati Shtetëror i Tregut do të dalë në terren dhe për marketet që nuk respektojnë vendimin, gjobat do të lëvizin nga 500 deri 10 mijë euro, madje edhe mbylljen e marketeve për 15 ditë.
“Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Qeveria në vazhdimësi miratojnë masa dhe krijojnë politika me qëllim të mbrojtjes së standardit të jetesës së qytetarëve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe stabilizimin e inflacionit. Në fillim të kësaj jave, Kuvendi, me propozim të një grupi deputetësh, votoi ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Me këto ndryshime, tregtarët, duke filluar nga mesi i prillit, do të kenë obligim të detyrueshëm të publikojnë çmimet e të gjitha produkteve në faqet e tyre të internetit. Ligji, i cili presim këto ditë të publikohet në Gazetën Zyrtare, parashikon që në afat prej 45 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi, tregtarët t’i publikojnë në faqet e tyre të internetit çmimet e të gjitha produkteve që ata i shesin në shitoret e tyre. Në 10 ditët e ardhshme, do të publikohen edhe rregulloret që do të përshkruajnë mënyrën në të cilën do të publikohen çmimet nga tregtarët”, tha Durmishi.
Me këto ndryshime legjislative, shtoi ai, presim më shumë transparencë të çmimeve në marketet, përmirësim të konkurrentësisë dhe ulje të çmimeve.
“Qytetarët tani do të jenë në gjendje të zgjedhin se ku i shpenzojnë paratë e tyre, ata do të dinë për çdo produkt se në cilin market me çfarë çmimi shitet produkt i njëjtë. Një masë e tillë do të çojë në rritje të konkurrentësisë midis tregtarëve dhe ulje të çmimeve të produkteve. Konsumatorët do të informohen plotësisht për atë se cili produkt sa kushton te ai tregtar. Ky ligj ka të bëjë me tregtarët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, me çka përjashtohen mikro-tregtarët dhe tregtarët individualë, respektivisht dyqanet e lagjeve. Ky ndryshim ligjor vjen pas vendimit të Qeverisë javën e kaluar, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, për të kufizuar marzhet në 102 grupe të produkteve ushqimore bazë dhe mjeteve higjienike dhe për të kufizuar çmimet e 8 grupeve të produktebe më themelore ushqimore”, informoi ministri i Ekonomisë dhe Punës..
Siç kanë informuar edhe më parë, bëri me dije ministri, këto dy masa janë tashmë në fuqi dhe do të zgjasin deri më 30 prill, respektivisht do të përfshihen të dy festat, Ramazani dhe Pashkët.
“Më lejoni t’ju përkujtoj, me vendimin për kufizimin e marzhit të fitimit bruto me shumicë dhe pakicë të 102 grupe të produkteve ose mbi 1.000 produkte ushqimore dhe joushqimore janë përfshirë: 5% marzh fitimi bruto mbi 8 produkte ushqimore bazë, qumësht, bukë, miell (tip 400 dhe tip 500, vezë, vaj ushqimor, jogurt dhe kos), 10% marzh fitimi bruto për produktet ushqimore, ku përfshihet një grup prej 55 produktesh ushqimore (mish dhe përpunimi mishi, sheqer, produkte qumështi, margarinë, gjalpë, perime dhe fruta të konservuara, fasule, oriz, brumra), 15% marzh të fitimit bruto të 39 produkte ushqimore dhe higjienike (fruta dhe perime të freskëta, detergjente, ushqim për bebe, pelena, sapun, letër higjienike, etj.)”, theksoi Durmishi.
Ai informoi se Inspektorati shtetëror i tregut, është në terren dhe inspektorët po veprojnë ndaj vendimit nëse marketet kanë përafruar çmimet e tyre në rafte.
“Deri në fund të kësaj jave, planifikohet të ushtrojet mbikëqyrje në mbi 1.000 objekte tregtare në të gjithë shtetin, pas çka Inspektorati Shtetëror i Tregut do të dalë me të dhëna për mosrespektimin eventual nga markete të caktuara. Dënimet lëvizin nga 500 deri në 10.000 euro, e deri në mbylljen e marketeve për 15 ditë. Pritshmëritë janë që çmimet të ulen mesatarisht përrreth 10%, me çka do të ndikojmë në stabilizimin e inflacionit dhe mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve”, shtoi Durmishi.