Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

“DW” analizon situatën e Covid-19: Rekorde të reja rastesh pozitive në Shqipëri! Si pritet të sigurohet vaksina

Ecuria e pandemisë COVID-19 në Shqipëri po vazhdon të karakterizohet nga rritja e përditshme e rasteve të reja pozitive. Për ndërprerjen e valës së infektimeve hyjnë sot në fuqi masa të reja kufizuese.

Për të frenuar përhapjen e infektimit me virusin vdekjeprurës autoritetet shëndetësore në Komitetin e Ekspertëve në Shqipëri vendosën të martën, (17.11) marrjen e masave të reja kufizuese, që hyjnë menjëherë në fuqi të mërkurën(18.11). Në bazë të masave të reja ndalohen “grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura; mbledhjet partiake dhe tubimet; konferencat, ceremonitë e festave, martesave dhe ato mortore, përtej familjes, deri në një urdhër të dytë”.

Albana Fico, Drejtore e Institutit të Shëndetit Publik dhe anëtare e Komitetit të Ekspertëve argumentoi vendosjen e masave të reja si pasojë e “rritjes së shpejtë të rasteve pozitive.” “Situata mbetet e kontrolluar, por ka një nivel të shtuar risku nga rritja e rasteve pozitive ditore, të shprehur qartë me një rritje prej 243 rastesh për 100 mijë banorë”, theksoi ajo.

Autoritetet shëndetësore njoftuan se në 24 orët e fundit, rastet e reja pozitive shënuan një rekord të ri prej 694 personash. Gjashtë vetë humbën jetën, nga të cilët pesë të moshës nga 61-78 vjeç dhe një grua e re në moshën 28 vjeç. Numri total i viktimave nga pandemia ka arritur në 637 vetë. Në tre spitalet anti-covid të Tiranës janë të shtruar 412 pacientë, nga të cilët 10 në terapi intensive dhe 3 të intubuar.

Mjaft njerëz kurohen në kushte shtëpiake

Një pjesë e konsiderueshme e rasteve pozitive aktive kurohen në kushte të banesave të tyre me rekomandimin e mjekëve të familjes dhe nën kujdesin e tyre. Qeveria deklaroi ditët e fundit se do të japë mbështetje financiare për medikamentet që të infektuarit me virusin Corona marrin për t’u kuruar në banesat e tyre.

Për të përballuar valën e dytë të pandemisë qeveria e Tiranës bëri me dije rritjen me 23 përqind të buxhetit të shëndetësisë dhe me 40 përqind të pagave të personelit shëndetësor. Masat e reja kufizuese që hynë sot në fuqi vijnë një javë pas izolimit të pjesshëm dhe ndalimit të qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve nga ora 22.00 e mbrëmjes deri në orën 6.00 të mëngjesit.

Këto masa përkojnë në kohë me njoftimin dy ditë më parë, (16.11) nga kompania farmaceutike gjermane BioNTech, ( Biopharmaceutical New Technologies) dhe ajo shumëkombëshe amerikane Pfizer që vaksina e tyre anti-Covid rezulton të jetë efikase në masën 90 përqind. Dy kompanitë njoftuan në fillim të kësaj jave edhe që kanë projektuar të prodhojnë, deri në fund të këtij viti, 50 milionë doza vaksinash dhe të kenë gati për vitin 2021, 1,3 miliardë të tjera. Burime nga Komisioni Europian (KE) bëjnë me dije se kompania gjermane BioNTech është një nga 6 kompanitë, me të cilat ky komision ka diskutuar blerjen e vaksinave anti-Covid. KE ka deklaruar se do të bëjë donacione vaksinash për vendet në Europë me të ardhura mesatare, ku futen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, që është në pritje të hapjes së negociatave të pranimit në BE./DW

Postime të ngjashme

Flet çifti që u terrorizua nga pronarët e hotelit në Shqipëri

Bekim Laçi

Diell dhe temperatura deri në 40 gradë

Bekim Laçi

“Punë të denjë dhe të ardhme të sigurt”/ Rama prezanton Portalin Kombëtar të Punësimit

Bekim Laçi

Certifikimi i “25 prillit”, KSHZ mblidhet sot për të zyrtarizuar mandatet e partive dhe deputetët

Bekim Laçi

Vetoja bullgare/ Ja kur i vjen sërish mundësia Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në!

Dafina Vidishiqi

900 mijë vaksinime antiCOVID në Shqipëri

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...