Dy salla në Parlamentin e Shqipërisë do të mbajnë emrat e politikanëve të ndjerë Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani.
Gjatë përurimit të sallave ishin të pranishëm edhe familjarët e Bashkim Finos dhe Gerti Bogdanit, të cilët falënderuan kryetaren e Kuvendin Elisa Spiropali si dhe vlerësuan kontributin e dy politikanëve në shërbim të vendit.
“Në emër të familjes Bogdani ju falënderojmë përzemërsisht për për emërimin e sallës Gerti Bogdani në Parlamentin shqiptar. Sot marrin një vlerësim krejt të posaçëm, kontributi vlera dhe modeli që Gerti manifestoi si politikan lider i spikatur i të djathtës shqiptare. Jo më larg se një javë më parë familja pati krenarinë dhe nderin të merrte nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dekoratën “Urdhri dr.Ibrahim Rugova” edhe për kontributet e tij të spikatura për promovimin e paqes dhe demokracisë në rajon”, tha vëllai i Gerti Bogdanit.
“Uroj me zemër që emri i Gerti Bogdani në këtë sallë vijimësisht të mund shërbejë në këtë mënyrë edhe të mund të përvijojë faktin si një referencë model i politikëbërësit, si një kujtesë për vlerat e shëndosha të integritetin moral shoqërisë dhe patriotizmit”, shtoi ai.
Bashkëshortja e Gerti Bogdanit, Edlira Çepani, tha se “duhet të kujtojmë se politika është një mënyrë për t’i dashur sa më shumë njerëzit”.
“Falënderim të veçantë për emrin e Gertit, për atë që ai përfaqësonte, vlerat e politikës me integritet me mirësi dhe dashuri për njerëzit. Sa herë në këtë dhomë apo të gjitha veprat me trashëgiminë që la pas, të kujtojmë se politika është një mënyrë për t’i dashur sa më shumë njerëzit për të bërë diçka më shumë për ta dhe për ta dashur Shqipërinë dhe për ta bërë një vend më të mirë. Kjo ishte ajo për të cilën ai punoi çdo ditë për gjatë gjithë karrierës së tij, kjo është trashëgimia që të gjithë ne do të ndjekim dhe ta çojmë deri në fund”, u shpreh Çepani.
Nga ana tjetër, vajza e ish-deputetit socialist, ish-kryeministrit Bashkim Fino, Megi Fino, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, tha se është nder që një sallë në Parlamentin e Shqipërisë të mbajë emrin e tij.
“Nder dhe privilegj i veçantë që në këtë ambient që është Parlamenti i Shqipërisë ku i shtrenjti ynë Bashkim Fino ka shërbyer për 6 legjislatura të ketë një sallë që të mbajë emrin e tij. Falënderim dhe mirënjohje e thellë për kryetaren e Kuvendit si dhe kolegët më të cilët ai ka bashkëpunuar ndër vite”, tha Fino.