Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

“Dyshime si për variantin anglez ashtu dhe për atë afrikano-jugor”, VOA: Shqipëria ashpërson masat kufizuese pas rritjes me shpejtësi të rasteve të reja me COVID-19

Në Shqipëri, rritja me shpejtësi e rasteve të reja me COVID-19 dhe dyshimet po ashtu të forta për qarkullimin e varianteve të reja të virusit, çoi autoritetet që, siç dhe ishte paralajmëruar, të ashpërsojnë masat kufizuese.

Në përfundim të mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se duke nisur nga nesër zgjerohet orari i ndalim-qarkulllimit nga ora 22.00-06.00 që është aktualisht në 20.00-06.00.

Po ashtu, në të paktën 10 bashki të vendit, ku është vërejtur një përhapje më e gjerë e virusit, mësimi në shkollat e mesme do të zhvillohet online. Sa i takon Universiteteve të cilat që në nisje të sezonit zhvillojnë mësimet në distancë “sezoni i provimeve do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të Ministrisë së Arsimit, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid”.

Masat e reja do të jenë në fuqi për të paktën dy javë, periudhë të cilën ministrja Manastirliu e cilësoi “vendimtare. Janë vetëm dy javë dhe nga gjithësecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh. Mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore.

Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim”, deklaroi zonja Manastirliu duke theksuar se “nuk do të ketë tolerance për moszbatimin e masave dhe protokolleve antiCOVID. Task Forca AntiCOVID do të jetë 24 orë në terren për të monitoruar zbatimin e masave, në çdo cep të vendit.”

Në javën e fundit, rastet e reja janë rritur me gati 25 përqind. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albania Fico bëri të ditur se “mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit, krahasuar me atë pararendëse është rritur nga 836 në 1030 dhe pozitiviteti është rritur pavarësisht numrit të shtuar të testimeve. Përveç rritjes në grupmoshat 45-64 vjeç që dominojnë rastet e konfirmuara, një rritje ka dhe për moshat 15-24 dhe 25-34 vjeç. Ky element dhe shpejtësia me të cilat po përhapet infeksioni dhe sinjalet që kemi nga laboratori ynë i Shëndetit Publik përbëjnë dyshim për qarkullimin e rasteve mutante”.

Dyshimet janë si për variantin anglez ashtu dhe për atë afrikano-jugor. Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se pritet shumë shpejt përgjigja për 50 mostra të dërguara në një laborator reference në Londër.

Rritja e rasteve të konfirmuara është shoqëruar dhe me një shtim të pacientëve që marrin trajtim mjekësor në spitalet COVID. Drejtoresha e Spitalit Infektiv (COVID 1) Najada Çomo, tha se problematik, është fakti që mes të shtruarve është “rritur numri i moshave të reja, por jo vetëm, kemi forma të rënda të moshave të reja, shoqëruar dhe me humbje jete”. Dhe bëhet fjalë për mosha të reja të cilat nuk kanë patur sëmundje të tjera shoqëruese.

Shifra të larta dhe në 24 orët e fundit
Edhe të dhënat e 24 orëve të fundit konfirmojnë situatën shqetësuese të përhapjes së Koronavirusit. Janë 1143 rastet e reja. Një shifër më e ulët se një ditë më parë, por që duket se i dedikohet një niveli më të ulët testimesh, duke qenë se pozitiviteti shënoi një rritje, duke u ngjitur në kuotën e 27.9 përqind, më e lartë se një ditë më parë, dhe mbi 2 pikë përqindje krahasuar me mesataren e javës së fundit (2-8 Shkurt). Pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Të prekurit rishtaz rezultojnë të jenë nga 51 bashki të vendit: 453 raste në Tiranë, 110 raste në Vlorë, 58 raste në Kuçovë, 57 raste në Fier, 35 raste në Sarandë, 34 raste në Shkodër, Berat , 27 raste në Durrës, Korçë, 26 raste në Elbasan, 24 raste në Lushnje, 22 raste në Mallakastër, 20 raste në Kukës, 19 raste në Kurbin, 15 raste në Pogradec, 14 raste në Malësi e Madhe, 13 raste në Gramsh, Skrapar, 11 raste në Kavajë, 10 raste në Lezhë, Kamez, 8 raste në Mirditë, Gjirokastër, Bulqize, Patos, 7 raste në Vau i Dejës, Peqin, 6 raste në Dibër, Kolonjë, 5 raste në Has, Librazhd, Përmet, 4 raste në Tepelenë, 3 raste në Devoll, Mat, Divjakë, Himarë, Maliq, 2 raste në Pukë, Ura Vajgurore, Memaliaj, Finiq, Vorë, Libohovë, dhe 1 rast në Krujë, Rrogozhinë, Tropojë, Delvine, Belsh, Cerrik, Poliçan.

Në 24 orët e fundit edhe numri I viktimave ka qenë sërish i lartë, me 15 persona që kanë humbur jetën në spitalet COVID: 8 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Patosi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Korça, të moshave 53 -94 vjeç.

Në rritje kanë vijuar dhe shtrimet si dhe pacientët në gjendje të rëndë. Në të 4 spitalet COVID deri pasditen e së mërkurës gjendeshin 483 pacientë, 37 në terapi intensive nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar./VOA/

Postime të ngjashme

Zjarr në Kalanë e Beratit, zjarrfikësit dyshojnë se është e qëllimshme

D V

Meta: 70 vatra aktive zjarri në Shqipëri po rrezikojnë rëndë pasuritë natyrore

D V

Ministria e Shëndetësisë publikon rastet e reja, ja si paraqitet situata në 24 orët e fundit

D V

Zjarret, Meta: Të merren masa, e papranueshme shpërdorimi i detyrës

D V

Gjermania ndryshon rregullat për shqiptarët: Ambasada bën njoftimin e rëndësishëm

D V

Rama: Angazhimi i ushtrisë për shuarjen e zjarreve, meriton respekt e inkurajim

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...