Një incident me armë zjarri ka ndodhur pas mesnate në fshatin Dubravë të Istogut, një polic ka qëlluar aksidentalisht një të mitur në kokë.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët konfirmojnë se i mituri është plagosur në kokë.
Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.