Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

“Ecje” nëpër shtigjet e jetës kulturore paralele në vitet ‘90

Zhurnal Ads

Një telefon i mençur dhe një palë kufje. Kaq pak duhet për t’u kthyer prapa në kohë. Është Prishtina e viteve ’90. Narratori veç sa i ka mbushur 18 vjet dhe sipas ligjit, është i obliguar të rekrutohet nga Ushtria Jugosllave. Lufta në Bosnjë e Hercegovinë ka arritur kulmin.

Bulevardi “Bill Klinton” është pikënisje e rrugëtimit auditiv, të krijuar nga memoaret reale të regjisorit e aktorit Florent Mehmeti, në fundshekullin e kaluar. Teknologjia bashkëkohore mundëson takimin me një rrëfim të moçëm. Nëpërmjet këtij projekti Mehmeti e dërgon vizitorin në shtigjet e jetës kulturore paralele të viteve ‘90. E mira dhe e keqja kryqëzohen në këto shtigje. Pluhuri i harresës zhduket dhe përjetimet personale të artistit sa vijnë e bëhen kolektive. Muzika melankolike në sfond ua shton dramën copëzave të kujtimeve. Historitë sa vijnë e bëhen më të dhimbshme, më të vrazhda. Në disa syresh, narratori vallëzon – një prej pjesëve të “Ecjes” është titulluar “Vallëzimi i parë sentish”. Në të tjera, e kaplon dhimbja, humb miqtë e njerëzit e dashur që vriten nga plumbi. Të shtënat përjetohen si të ishin reale.

“Jam unë. Jam këtu. Do të kalojmë pak kohë së bashku. Jemi në Prishtinë, në vitet ‘90. Qëndroj në mes të dhimbjes. Jemi para 25 a 30 vjetësh. Kurdo që jam këtu, e ngre kokën lart. I numëroj katet, përdhesë dhe ato lart nuk numërohen. Pastaj filloj, një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë. Aty. Kati i shtatë. Dritarja e dhomës së ndejës”.

Me këtë pjesë përballet ai që e shkarkon “Ecjen” e Florent Mehmetit. Ai flet për ndërtesën që ndodhet fiks para shtatores së Bill Klintonit, në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Dhe kjo nuk është rastësi.

“I takoj një gjenerate që në atë kohë jemi pjekur fillimisht si individë: pikërisht në vitet ’90 unë jam bërë 18-vjeçar, pra madhor, dhe pas luftës më ka rënë rasti të punoj me aktorë, artistë që janë shumë më të rinj se unë. Dhe ata s’e kanë pasur as idenë më të vogël si ka qenë ajo kohë, sidomos si kemi jetuar ne në botën e artit dhe duke i treguar storiet e asaj kohe kam menduar që janë rrëfime që e përshkruajnë në mënyrën më të mirë një 10-vjeçar ose se si është jetuar sidomos në Prishtinë”, nis rrëfimin Mehmeti, pak minuta para se ta prezantojë publikisht projektin e tij. “Ecja” e titulluar “Shtigjet e jetës kulturore paralele të ’90-ve” u prezantua për herë të parë pasditen e së mërkurës, në kuadër të “Kosovo Showcase Theater”. Në rrugëtimin e parë, morën pjesë rreth 20 veta, shumica prej tyre pjesëmarrës në ngjarjen e shfaqjeve dhe të paneleve për teatrin që po mbahet në kryeqytet.

Mehmetit i qe dashur kohë ta kuptojë se ajo që ndodhi në vitet ’90 ishte një lëvizje kulturore, që përqendrohej në teatrin “Dodona”.

“Në ‘Dodonë’ vetë pjesëmarrja e publikut asokohe ka qenë lëvizje popullore, do të thotë ka pasur kohë kur janë shitur të gjitha biletat, ka pasur treg të zi të biletave, janë shitur biletat 3 a 4 fish më shtrenjtë, prej Mëhalles së Kacallarëve. Kjo ka folur për një pjesëmarrje masive të njerëzve që në ‘Dodonë’ e kanë ndier veten sikur edhe po e kundërshtojmë Serbinë, sikur po rezistojmë diçka ndaj sistemit dhe njëlloj solidariteti dhe bashkimi”, thotë ai. Dhe kjo kishte domethënie të madhe, sepse në kushte shumë të vështira prapë, artistët ia dilnin mbanë dhe zhvillohej jeta kulturore paralele.

“E storiet se si ia kemi dalë janë pjesë e kësaj ecjeje që bëhet në rrugët e Prishtinës e që fillon te bulevardi ‘Bill Klinton’ ku ka qenë banesa ime, ku kam jetuar në vitet ’90 e deri në ‘Dodonë’ ku e kam kaluar shumicën e kohës gjatë atyre viteve”, shpjegon ai. Në ndërtesën ku fillon “Ecja” kishin jetuar emra të njohur të skenës publike, përfshirë skulptorin Agim Çavdarbasha, arkitektin Agush Beçiqi, aktoren Yllka Gashi e gjyshërit e yllit botëror, Rita Ora.

Rrugëtimi auditiv i Mehmetit ndahet në disa pjesë. Ato titullohen “Dritarja”, “Llamella D”, “Vallëzimi i parë sentish”, “Papillon”, “Rruga e ‘Hanit të 2 Robertëve’”, “Adriana”, “Nesha, djaloshi gazmor”, “Qepë në xhepin tuaj”, “Lista”, “Provat” dhe “S’dua të kthehem në shtëpi”. Për të kapërcyer nga njëri rrëfim në tjetrin, duhet përcjellë harta. Projekti është konceptuar asisoj që ta përshkojë jetën e të rinjve të Prishtinës së asaj kohe, veçanërisht të artistëve të rinj. Bazohet në ngjarje reale, por është fuqizuar me mjete artistike. Qëllimshëm rrugëtimi përfundon tek objekti i teatrit “Dodona”, fole e rezistencës kulturore të asaj kohe. Një pjesë e madhe e rrëfimeve zhvillohen “Te Kurrizi”.

“’Kurrizi’ ka shumë storie, mund ta bëjë një material treorësh vetëm për ‘Kurriz’, por ato që janë esenciale e që i mban mend gjithkush janë të ashtuquajturat ‘raci’, apo kur hyn policia e çuditërisht ne kishim zgjedhur ‘Kurrizin’, edhe pse ishte vendi më i lehtë në botë për ta bllokuar, sepse ishte korridor dhe mjaftonin dy policë, njëri në skaj, njëri në tjetrin dhe s’kishim ku me lëviz. Ka storie se si kemi provuar të ecim kah tuneli, që ka qenë rrezik edhe më i madh se me të zënë aty ishe shumë i dyshimtë”, rrëfen Mehmeti. Gjatë ecjes për te “Kurrizi”, aty që edhe sot njihet si “Te Santea”, vizitorët ndalen në dy pika të rëndësishme: tek ish- “Hani i 2 Robertëve” ku dikur artistët e rinj mësonin regjinë teatrore dhe te ish-kafeneja “Magic” ku qe vrarë aktorja Adriana Abdullahu. Ajo u vra dy orë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në 24 marsin e vitit 1999. Në njërën nga ato ditët kur artistët e rinj, tuboheshin në kafene dhe të strukur, pa shumë zhurmë, në hapësirën me roletat gjysmë të hapura, zhvillonin jetën paralele kulturore të ’90-ve.

“E veçanta e stories është që ajo ka qenë shoqe imja e ngushtë dhe ne veç e kishim lënë të takoheshim aty, por m’u desh të shkoj në Maqedoni për t’i dërguar fëmijët e familjes dhe kur mbërrita atje natën e dëgjova këtë lajm. Dy orë ka qenë dallimi mes vrasjes së saj dhe bombardimeve”, thotë Mehmeti.

Ai është i pari që këtë lloj rrugëtimi e sjell në Kosovë. Forma të tilla nuk është se praktikohen shumë as në rajon.

“Unë kam punuar në ‘Walks’ apo ‘Ecje’, siç njihet, jashtë me artistë ndërkombëtarë në festivale të ndryshme dhe kam vendosur edhe si metodë me e fut në Prishtinë, Kosovë”, thotë Mehmeti.

Mënyra e funksionimit të “Ecjes” është goxha e thjeshtë. Shkarkohet aplikacioni dhe vizitori shëtit nëpër lokacionet e shënjuara në hartën digjitale, derisa zëri i artistit e udhëheq duke e kthyer në vitet ’90. Një eksperiencë e tillë interesante përthekohet për një orë. Gjithçka që dëgjon ai që e provon, është reale. Prekja artistike ia shton fuqinë dramës. Dhe e bën më të lehtë përshkimin e rrugës dhe kthimin në kohë.

Zhurnal Ads
Zhurnal Ads

Postime të ngjashme

Publikohet historia e panjohur e vrasjes para 87 vjetësh të Hasan Prishtinës

S.B.

Hamiti: Çmimi i sivjetmë për letërsi shpërfaq pavarësinë e Akademisë për të sjellë emra të rinj

admin

Probleme me shtëpinë e Maks Velos/ Godina e ish Radio Tiranës drejt shembjes? Margariti: Jo sa të jem unë ministre

S.B.

Kosova për herë të parë në Golden Globes me filmin “Exil”

S.B.

Zbulohen dy varre antike në parkun e Amantias në Vlorë

S.B.

Laureatët e Çmimit Nobel nderohen në mungesë

S.B.
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...