Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk
Shkup, 1 nëntor – Agim Islami i njohur për vuajtjen e dënimit në rastin “Alfa” po qëndron në burg i pafajshëm. Këtë tani e thonë të gjithë, duke përfshirë edhe funksionarë të lartë të pushtetit. Por deklaratat e tilla nuk mund të kuptohen ndryshe përveç se paaftësi e pushtetit dhe sidomos partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, e cila për kaq sa vite nuk arrin të nxjerrë një person të pafajshëm nga burgu. Një parti në pushtet ta pranojë këtë fakt, që ky person është i pafajshëm dhe të rrinë këmbëkryq, është e pafalshme dhe kërkohet përgjegjësi urgjente!
Kush është Agim Islami!
Agim Islami është shqiptarë nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, i cili po mbahet në burg të përjetshëm padrejtësisht që nga viti 2008, me arsyetimin se ka qenë i përfshirë në vrasjen e një polici të njësisë speciale “Alfa”. Që në fillim Agim Islami e kishte mohuar se ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje dhe se në kohën dhe momentin kur ka ndodhur vrasja, ai ka qenë në punën e tij, në internet kafenë në Shkup.
Bashkë me Agim Islamin u dënua edhe Rexhail Qerimi, i cili tanimë është i ndjerë dhe vdiq duke mos e pritur pafajësinë.
Për këtë vrasjen misterioze të policit, më vonë doli një videoincizim ku qartë është konstatuar se Agim Islami, i ndjeri Rexhail Qerimi dhe Almir Derplanini nuk janë personat të cilët shfaqen ne video incizim gjatë vrasjes së policit në vitin 2008 në Shkup. Edhe pse janë bërë të gjitha ekspertizat edhe nga ekspertë ndërkombëtar, sërish ky rast mbetet i pa zbërthyer dhe njollë e zezë e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Funksionarët e BDI-së e dinë që Agim Islami është i pafajshëm
Funksionarë të lartë të pushtetit dhe të partisë shqiptare BDI kanë pohuar dhe janë shprehur të bindur se Agim Islami është i pafajshëm. Pasi janë dhënë të gjitha dëshmitë dhe janë kryer të gjitha ekspertizat e duhura, edhe në institucione jashtë Maqedonisë së Veriut, qartë dëshmohet se personat që akuzohen nuk janë vrasës. Agim Islami fatkeqësisht mbetet i dënuar me burgim të përjetshëm dhe nuk ka lëvizje në drejtim pozitiv. Edhe pse politikanët e dinë që ai është i pafajshëm, ende nuk është marrë asnjë hap konkret për lirimin e këtij personi të pafajshëm. Kur këtë e thonë politikanët më të lartë, të cilët kanë qasje në informacion, kanë mundësi që të shohin detajet dhe prapaskenat e ngjarjes, atëherë çfarë duhet më tepër që të dëshmohet se ky person është i pafajshëm!
Partisë në pushtet nuk i falet kjo paaftësi!
Agim Islami u dënua dhe iu montua rasti si shumë raste të tjera. Ngjashëm u montuan edhe rasti i “Monstrës”, dhe i “Sopotit”. Të gjitha detajet dhe rrethanat thuajse janë të ngjashme. Kryerësit e këtyre veprave duket që janë profesionistë, por fatkeqësisht dënohen shqiptarë të pafajshëm, pa pasur fakte konkrete. Më e keqja është se edhe faktet dhe dëshmitë që i ka përdorur gjykata kanë qenë të manipuluara dhe të shtrembëruara dhe nuk janë marrë parasysh faktet reale që ekzistojnë.
Partitë politike, sidomos ato shqiptare për vite të tëra edhe në fushata zgjedhore kanë premtuar se do të zbardhin këto raste, se do të nxjerrin drejtësinë në shesh, por asgjë nuk ka ndodhur. Fatkeqësisht vdiqën njerëz nga rasti Sopoti, ende pa mësuar se ishin të pafajshëm. Njerëzit nga rasti “Monstra” pasi u lanë të lirë, sërish i kthyen në burgje, duke i përdorur dëshmitë e vjetra e të manipuluara. Në rastin “Alfa” Rexhail Qerimi vdiq pa mësuar pafajësinë, ndërsa Agim Islami, ende po vuan dënimin.
Këto raste humane, të ndjeshme, janë shumë të vështira dhe është e pamundur që të pajtohet njeriu me diçka që se ka bërë. Prandaj, një politikan serioz nuk do të duhej të bënte gjumë deri sa ta zgjidhte këtë çështje. Nëse me të vërtetë ka angazhim siç duhet, kjo punë do të ishte zgjidhur që moti, por fatkeqësisht politikanët për këto raste vetëm kanë gënjyer, manipuluar dhe premtuar kot.
Partitë politike, sidomos ata në qeveri kanë mekanizma të ndryshëm që të këmbëngulin në raste të tilla të vendoset drejtësia dhe të lirohen të pafajshmit. Ka ikur koha kur krejt fajin ia linin regjimit të Gruevskit, tani çdo mosveprim është paaftësi dhe mos vullnet i duhur për të zgjidhur çështjet. Nëse një politikan aq shumë i dhimbset një i burgosur i pafajshëm, atëherë ai do të duhet të ndërmerrte iniciativa konkrete dhe t’i shfrytëzojë të gjithë mundësitë dhe fuqitë e tij, që kjo çështje njëherë e përgjithmonë të zgjidhet.
Andaj, çdo mos veprim është i pafalshëm. Çdo ditë që kalon përderisa një i burgosur është i pafajshëm në burg, këta politikanë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe mos të kenë më fytyrë të dalin e kërkojnë vota duke premtuar drejtësi!// Zhurnal.mk