Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: A do të vazhdojnë dënimet edhe për funskionarë të tjerë!


Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 30 shtator – Zhurnal.mk – Pas disa viteve në kërkim të drejtësisë për rastin “Tanku”, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska ka përfunduar prapa grilave në burgun e Idrizovës në Shkup. Gjithashtu dje ka marrë epilog edhe rasti “Shuplakat”, ku ish kryeministri Gruevski dhe ish ministri i transportit Janakieski janë shpallur fajtorë. Ditë të bardha për drejtësinë në Maqedoninë e Veriut pritet të vijnë, por a do të dënohen të gjithë ata që në ish regjimin e kaluar bënë skandale nga më të ndryshmet?

Jankullovska përfundon në burg

Ish-Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska është dërguar në burgun e Idrizovës dhe do të vuaj dënimin prej 4 vitesh burg për rastin “Tanku”, blerjen e Mercedesit luksoz. Gjykata Supreme kishte refuzuar ankesat e dorëzuara nga ana e palëve të dënuara në lëndën “Tanku” – Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska dhe Gjoko Popovski dhe e konfirmon aktgjykimin e plotfuqishëm për lëndën, e cila është miratuar nga ana e Gjykata e Apelit. Ndryshe, në rastin “Tanku” është dënuar edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski me dy vjet burgim dhe për këtë ai është arratisur në Hungari dhe ndihmës ministrin në MPB, Gjoko Popovski më katër vjet e gjashtë muaj burgim (pasi Gjykata ia uli dënimin pas ankesës së tij).

Gruevski dënohet për rastin “Shuplakat”, e presin 1,5 vite burg

Ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski u shpallën fajtorë për rastin “Shuplakat”. Gruevski u dënua me një vjet e gjysmë burg, derisa ish ministri Mile Janakieski dënohet më një vjet burg me kusht, në rast se në katër vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën.

Për veprën e njëjtë dënohen me kusht edhe Aleksandar Trajkovski, Darko Stojqevski, Daniell Trifunovski. Të lartpërmendurit dënohen më 9 muaj me kusht në rast se në tre vitet e ardhshme nuk do ta përsërisin veprën e njëjtë.
Ndërsa me 6 muaj burg me kusht, në rast se brenda 2 viteve nuk e përsërisin veprën e njëjtë dënohen Trajçe Petkovski, Igor Boshkovski.

Në rastin “Shuplakat” katër të fundit kanë rrënuar rrethojën e Komunës Qendër në Shkup dhe kanë filluar të gjuajnë me lëndë të forta në drejtim të sallës ku zhvillohej mbledhja e Këshillit Komunal. Është thyer edhe dera e hyrjes e barakës ku ka qenë e vendosur salla ku është zhvilluar mbledhja e Këshillit, ndërsa kryetar i komunës ishte Andrej Zhernovski.

Pas vendimit për dënim, nga Hungaria u paraqit edhe i arratisuri Nikolla Gruevski. Me një mesazh të gjatë ka thënë se Zoran Zaev qëndron pas të gjitha rasteve. Ish kryeministri konsideron se ky vendim do të çojë në një mbytje të drejtpërdrejtë të demokracisë sepse është një përpjekje për të frikësuar qytetarët e lirë që nëse ata dalin për të protestuar ata mund të akuzohen për dhunë sepse me praninë e tyre ata kanë krijuar një ndjenjë frike dhe pasigurie mes atyre që protestojnë.

A do të vazhdojnë dënimet për të gjithë të përfshirët në krim e korrupsion!

Vendimet gjyësore për Gruevskin janë rreshtuar në Maqedoninë e Veriut ndërsa ai po ecën lirshëm në Budapest. Ky është vendimi i dytë i tij, pas dënimit dy-vjeçar në rastin “Tanki”. Nga ana tjetër, Janakieski edhe pse mori një dënim me kusht, ai po merr pjesë nëpër seanca gjyqësore për gjithsej tetë gjykime.

Gruevski akuzohet gjithashtu për rastin “TNT” – “shembja e Cosmos”, “Titanic”, “Talir”, “Toplik”, “Trajektoja”, por edhe në çështjen “Shkallët Spanjolle”, si dhe në procesin e 27- prillit, kur protestuesit u futën në Kuvend. Dënimi për këtë “akt terrorist” llogaritet deri më 10 vite burg., ndërsa në total Gruevski mund të fitojë 15 vite burg.

Vendimet e para gjyqësore kundër ish-zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale, janë mesazh se drejtësia ka filluar të vendoset në Maqedoninë e Veriut. Më e rëndësishme në këtë rast është se askush nuk mund të mbetet pa u dënuar, përfshirë edhe personat që kanë pasur pozita të larta shtetërore, apo njerëz të fuqishëm siç ka qenë edhe Nikolla Gruevski, apo Gordana Jankullovska. Kështu që nga këto aktgjykime përçohet mesazhi se askush nuk mund të jetë mbi ligjin apo të mos përgjigjet në bazë të ligjit për veprat penale që ka bërë.

Proceset gjyqësore kundër ish-zyrtarëve, kanë për bazë aferën e përgjimeve prej nga edhe kanë dalë të gjitha akuzat e ngritura nga tanimë ish Prokuroria Speciale, e cila ishte formuar për hetimet e keqpërdorimeve të bëra nga pushteti i kaluar. Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka qenë në shënjestër të kritikave të vazhdueshme në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare.

Aktvendimet e shqiptuara janë hap pozitiv për rikthimin e besimit të humbur në pushtetin gjyqësor, por, ende është herët, pasi tani është vetëm fillimi i reformave dhe për ngritjen e sistemit në këmbë të shëndosha duhet ende punë.

Lufta ndaj krimit dhe korrupsion duhet të jetë e pakompromis edhe për funksionarë të qeverisë së kaluar dhe të gjithë atyre që janë në qeverinë e tanishme. Çdo funksionar duhet të jetë përgjegjës dhe i vetëdijshëm se pavarësisht funksionit ai mund të jetë pjesë e vendimeve gjyqësore. Reformat në drejtësi duhet të qartësojnë se ligji është mbi të gjithë dhe të gjithë duhet ta respektojnë atë.//Zhurnal.mk

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...