Shkup, 26 qershor – Javën e ardhshme për herë të parë do të mbahet me prezencë fizike seanca e Këshillit për Reformat në Sistemin Gjyqësor, ku do të shqyrtohet Strategjia e Zhvillimit të Gjyqësorit 2023-2027. Në takim pritet të përfaqësohen të gjitha partitë relevante politike parlemantare me përfaqësues të tyre, kurse ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga i ka bërë ftesë edhe VMRO-DPMNE-së për të marrë pjesë në seancë dhe për të dhënë komente për Strategjinë.
Në takimin me koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së, Jovan Mitreski, të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, të BDI-së, Arbër Ademi dhe të Aleancës të Shqiptarët, Adnan Neziri, ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq, u diskutua për situatën me Këshillin Gjyqësor dhe mundësinë e ndryshimeve ligjore për të tejkaluar problemet me të cilat ballafaqohet ky institucion.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga informoi për agjendën legjislative, mundësinë e miratimit të ligjit për amnisti sipas shembullit të vitit 2018, për krimet e lehta, i cili do të mundësojë lehtësimin e burgjeve, shkruan Zhurnal.
Nga Ministria e Drejtësisë njoftojnë se u hapën edhe temat e ligjit për falje, AOT, ASK, Prokuroria Publike, Kadastra, të drejtat e fëmijëve e të tjera.
Gjyqësori i paprekshëm edhe në raste kur duhet të jetë pak “i prekshëm”!
Pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat kyçe për funksionimin e shtetit të së drejtës. Për rëndësinë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor është folur me të madhe dhe është komentuar në shumë raste. Mirëpo krijohet përshtypje sikur në Maqedoninë e Veriut gjyqësori dhe prokuroria janë të paprekshëm edhe në raste kur duhet të jenë pak të “prekshëm”. Të jetë “i prekshëm” para Ligjeve dhe Kushtetutës, që të mos përsëriten raste që na kanë turpëruar edhe Brenda vendit por edhe jashtë.
Si pasojë e kësaj kemi raste dhe skandale të shumta, por edhe dyshime për raste të montuara gjyqësore, në të cilat persona që meritojnë të shkojnë në burg lihen të lirë, kurse persona që meritojnë të jenë të lirë, dërgohen në burg. Dyshimet edhe më të mëdha janë tek pjesa shqiptare e popullatës, pasi ekzistojnë dyshime serioze se shumë shqiptarë janë dënuar me dënime drakonike, në mungesë të dëshmive të bazuara, shkruan Zhurnal.
Prandaj aq sa është e rëndësishme pavarësia e gjyqësorit, aq është e rëndësishme edhe reforma e gjyqësorit. Për këtë arsye në këtë proces duhet bashkëpunuar të gjithë faktorët relevantë, sepse është process që nuk duron inate politike. Është me të vërtetë turp që mos të gjindet një model që do ta nxjerrë gjyqësorin tonë nga “pusi” ku ka rënë me vetëm 2-3 për qind besueshmëri tek qytetarët. Është turp edhe më i madh që tema e gjyqësorit të mbetet edhe më tej një temë për të cilën diplomatët do të na japin “thupra” qortuese për gjendjen jo të mirë në këtë sferë.
“Thuprat” njëpasnjëshme të diplomatëve për situatën në gjyqësor
“Ofanzivës” diplomatike qw ka pwr qwllim rritje tw vetwdijes pwr njw gjyqwsor tw pavarur jashtw ndikimeve tw ndryshme, i prin ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, por ka edhe diplomatë tjerë që flasin haptazi për këtë problematikë. Sa për rikujtim, më 11 prill të këtij viti, ambasadorja amerikane, u dërgoi një letër autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive në vend, ku shprehte shqetësimin e saj dhe të SHBA-së për, siç tha ajo, “anulimin e vendimeve ndaj figurave të profilit të lartë që Gjykata e Apelit e cila i ktheu në shkallën e parë”.
“Çdo ditë e më shumë jam e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të lëndëve [të profileve të larta] që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Pamundësia e dukshme e gjykatave për të proceduar shpejt çështjet përmes procedurës gjyqësore dhe kalimin e tyre mbrapa ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ul më tej besimin e ulët që publiku ka te gjykatat”, thuhej në letrën e ambasadores Ageler, por që nuk ishte reagimi i vetëm i saj për gjendjen në gjyqësor në Maqedoninë e Veriut.
Në letrën, të cilën Ageler ia adresoi kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, disa ministrave të tjerë dhe drejtuesve të Gjykatave, thuhet se SHBA-ja ka investuar për 30 vjet mbi gjysmë miliard euro në sundimin e ligjit, por sipas ambasadores amerikane, “rezultatet sa vijnë dhe tkurren”, shkruan Zhurnal.
“Për më shumë se 30 vjet SHBA-ja e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në qëllimet e saj, përfshirë sundimin e ligjit dhe qeverisjen efikase. Kemi shpenzuar mbi 560 milionë dollarë për të ndihmuar në këto fusha, përfshirë trajnime dhe programe për shumicën e prokurorëve dhe gjykatësve. Fatkeqësisht, kam frikën se rezultati i ulët i këtij investimi sa vjen e tkurret”, u tha në letrën e Ambasadores Ageler.
Reagimi i ambasadores amerikane kishte të bëjë me shumë procese gjyqësore që kanë të bëjnë me ish-zyrtarët nga koha e ish-qeverisjes së kryeministrit, Nikolla Gruevski, të cilët ose janë liruar nga burgu, ose lëndët janë kthyer në rigjykim.
Në shumë raste ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Shkup, David Gir, duke rikujtuar poashtu se BE-ja ka shpenzuar miliona për gjyqësorin dhe ne presim që ai të sjellë rezultate.
“BE ka shpenzuar miliona në këtë sektor. Ne dhe qytetarët me të drejtë duhet të presim që do të sjellë rezultate. Po, por nuk mjafton dhe ngjarjet e muajve të kaluar kanë qenë shumë zhgënjyese”, është shprehur me një rast ambasadori Gir.
Ashtu siç na kujtohen deklaratat e abasadores Ageler dhe ambasaorit Gir, na kujtohet edhe deklarata e ambasadorit holandez në Shkup, Dirk Jan Kop, i cili Këshillin Gjyqësor madje e quajti si organ jolegjitim. shkruan Zhurnal.
“…, ajo që ne përkundrazi e shohim është se të gjitha rastet e PSP-së, një nga një po fundosen, ndërkaq që ky është një zhvillim mjaft i keq, kurse tani e kemi edhe rastin me Këshillin gjyqësor i cili në të vërtetë u bë trup jolegjitim. Kjo është mjaft serioze dhe e dhimbshme për t’u parë. Dhe për shkak të atij precedenti, Holanda tani e pezulloi një projekt të madh lidhur me Këshillin gjyqësor. Situata është mjaft serioze”, deklaroi Kop duke shkaktuar “dridhjen” e radhës.
Sado që Këshilli Gjyqësor me reagim zyrtar hodhi poshtë vlerësimet e ambasadorit Kop, s’duhet shumë për të vlerësuar se vërejtjet e ambasadorit të këtij vendi mik, nuk mund të konsiderohen të pabaza.
Është më mirë që gishti i përgjegjësisë të kthehet edhe kah vetvetja dhe institucionet e kësaj sfere të jenë vetëkritikë për gjendjen e palakmueshme. Poashtu është koha të parashtrojmë pyeten nëse gjyqësori më në fund duhet të ulet pak në “bankën e të akuzuarit”? Nëse duhet të “goditet më një çekan të madh”, që të dalë nga gjendja e tanishme dhe të funksionojë në nivelin që i takon? Jo në kuptimin e fillimit të “gjahut të shtrigave”, por në kuptimin e vendosjes rend në këtë sferë dhe rritjes së përgjegjësisë të “togave të zeza” para Ligjit Kushtetutës dhe para qytetarëve. Prokuroria dhe Gjykatat duhet të tregohen kooperativë, e jo si palë kundërshtuese, sepse vetëm në atë mënyrë do të kthejë besimin tek opinion në nivelin që e meriton. /Zhurnal