Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: A ka lëshime në ligjin për avancim të administratorëve?

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 8 qershor – Nga fillimi i muajit qershor kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për nëpunës administrativ, i cili nënkupton që të gjithë nëpunësve administrativ me shkollë mesme të cilët në ndërkohë kanë mbaruar shkollimin e lartë, ju mundësohet që të parashtrojnë kërkesë deri tek udhëheqësit e institucioneve për sistemimin në vende punë me shkollim të lartë, jo më shumë se deri në nivelin “bashkëpunëtor i ri”. Por, ku janë mangësitë e këtij ligji!

Si të fitohet avancimi!

Nga Ministria për shoqëri informative dhe administratë kanë sqaruar rregullat se si duhet të përfitojnë avancimin të gjithë nëpunësit administrativ.

– nëpunësi administrativ (me shkollë të mesme) parashtron kërkesë deri tek udhëheqësi i institucionit.

–  në Aktin e sistematizimit duhet të ketë vend të lirë “bashkëpunëtor i ri” në bazë të shkollimit që ka përfunduar nëpunësi administrativ dhe nëse i plotëson kushtet në përputhje me Ligjin.

– institucioni përkatës duhet të ketë në dispozicion mjete të lira financiare për rritjen e rrogës.

 – Nëqoftëse institucionet përkatëse nuk kanë mjete financiare në dispozicion për këte vit kalendarik, të njejtët mund të planifikojnë mjete gjatë përpilimit të buxhetit për vitin e ardhëshëm.

Lëshime në ligjin për avancim të administratorët!

Nëse sqarohen mirë të gjitha pikat e lartpërmendura duket se asnjë nëpunës administrativ që është i punësuar me shkollim të mesëm, ndërsa e ka mbaruar fakultetin, nuk do të ketë mundësi të fitojë avancimin e duhur. Kjo për faktin se sërish fati i të punësuarve është lënë në dorë dhe në mëshirë të drejtuesve të institucioneve.

Ligji nuk i detyron punëdhënësit që t’i avancojnë me automatizëm të gjithë të punësuarit, por i jep mundësi drejtuesit të institucionit që dikë të avanbsojë e dikë jo.

Në pikën e dytë të kërkesës për avancim thuhet se “në Aktin e sistematizimit duhet të ketë vend të lirë “bashkëpunëtor i ri” në bazë të shkollimit që ka përfunduar nëpunësi administrativ dhe nëse i plotëson kushtet në përputhje me Ligjin”. Për lexuesit që nuk e dinë se çfarë do të thotë ky kusht, duhet sqaruar se kjo është nyja thelbësore e avancimit. Të gjitha institucionet sistematizimin e bëjnë zakonisht kur ka ndryshim të pushtetit, pasi është forma më e mirë që një ministër ose drejtor, të organizojë punën ashtu siç dëshiron ai, dmth t’i vendosë në pozitat adekuate njerëzit që ai i dëshiron.  Në këtë rast, për të bërë ndryshim të sistematizimit duhet arsye të forta të cilat duhet të kalojnë nëpërmjet Ministrisë për Administratë dhe Ministrisë për Financa. Shpeshherë këtu ka ngecje dhe bllokime të mëdha, pasi jo çdoherë nevojat dhe realiteti janë në përputhje. Edhe kur bëhet sistematizimi, bëhet që të punësohen persona të rinj dhe rrallë herë të avancohen personat e punësuar brenda institucioneve.

Përveç këtij fakti, drejtuesi i institucionit do të bëjë avancimin e të punësuarve, vetëm për ata që “ka nevojë”, që në përkthim i bie vetëm për ata që kanë përkrahje të partive politike. Këtu do të luhet loja më e madhe e avancimit, kështu që supozohet që nëse janë 20 persona që kanë mbaruar fakultetin, vetëm një pjesë e tyre do të avancohen, sepse me sistematizim do të theksohet se vetëm për kaq persona ka nevojë!

Manipulimi i radhës që bëhet me avansimin e nëpunësve administrativë është pika e tretë “institucioni përkatës duhet të ketë në dispozicion mjete të lira financiare për rritjen e rrogës”, e që kjo gjithashtu është problem thelbësor.  Të gjitha avansimet bllokohen nga ministria e financave, përveç atyre që merren vesht partitë politike, për shkak të mospasjes së fondeve të mjaftueshme financiare. Ministria për administratë vet sqaron se “Nëqoftëse institucionet përkatëse nuk kanë mjete financiare në dispozicion për këte vit kalendarik, të njejtët mund të planifikojnë mjete gjatë përpilimit të buxhetit për vitin e ardhshëm”, që nënkupton se personat që kanë mbaruar fakultetin nuk kanë mundësi që tani të avansohen.

Sidomos kur kemi parasysh restrikcionet e vazhdueshme që shteti po i vendos si pasojë e shpenzimeve të mëdha pas pandemisë me COVID 19. Çdo sektor do të zvogëlojë shpenzimet, e gjithashtu do të zvogëlojë edhe numrin e avancimeve.

Tragjedia më e madhe është se ky ligj që ka hyrë në fuqi nga fillimi i qershorit po vazhdon të keqpërdoret për fushatë zgjedhore, e pikërisht me personat që kanë vite që nuk avancohen ndërsa marrin paga më të ulëta nga buxheti i shtetit.  Fatkeqësisht nëpunësit me shkollë të mesme janë shtresa më e shkelur në administratë për shkak se me pagat e tyre ata nuk mund të mbulojnë as harxhimet bazë të një familje.

E pikërisht në fushatë parazgjedhore, jepet shpresë e rrejshme dhe luhet me ndjenjat e tyre, duke i detyruar ata që të shkojnë e të nënshtrohen tek partitë politike.

Nëse sjellja e këtij ligji do të ishte qëllim mirë, atëherë avancimi i këtyre kategorive do të duhej të ndodhte me automatizëm dhe jo në bazë të vullnetit, dëshirës dhe nevojës së drejtuesit të të institucionit shtetëror.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...