Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: A po punon LSDM-ja që ta dobësojë BDI-në!

Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 19 nëntor –Skena politike në Maqedoninë e Veriut pavarësisht koalicioneve është tmerrësisht e përçarë dhe lufta për mbijetesë është e vazhdueshme. Edhe pse qeverinë deri më tani e udhëheqin LSDM dhe BDI, duke përfshirë edhe Alternativën dhe PDSH-në, duket se LSDM nëpërmjet veprimeve të shumta po gjen forma se si ta dëmtojë BDI-në, të cilën gjithashtu e konsideron ish-partnere të qeverisë së Gruevskit. 

Publikimi i përgjimeve!

Kryeministri Zoran Zaev erdhi në pushtet falë koalicionit me BDI-në, e cila i tha jo VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit, edhe pse ata kishin dy deputetë më shumë. Rrugën drejt arritjes së këtij qëllimi, Zaev e pat filluar me publikimin e të ashtuquajturave “bomba” ku transmetoheshin biseda të përgjuara mes funksionarëve të ndryshëm. Edhe gjatë publikimit të bisedave, Zaev bëri seleksionim të tyre, duke i publikuar vetëm ata që kishin të bëjnë kryesisht me VMRO DPMNE-në, ndërsa sa i përket shqiptarëve, ai i publikoi vetëm një pjesë të tyre, e sidomos të funksionarëve të cilët nuk dëshironte t’i kishte në qeverinë e tij. Pikërisht me këtë mënyrë ai e arriti qëllimin që nga qeveria t’i largojë një pjesë të ish funksionarëve të BDI-së, duke i vënë ata para presionit të publikut.

Zaev kur erdhi në pushtet vendosi që të gjitha bisedat e përgjimeve t’ia dorëzojë prokurorisë speciale, e cila u krijua me të vetmin qëllim që t’i hulumtojë krimet e bëra, e të publikuara kryesisht nëpërmjet përgjimeve.

Por, edhe pas ardhjes në pushtet, qeveria e tij herë pas here vazhdonte të bënte presion drejt partnerëve të koalicionit, kryesisht ndaj BDI-së. Fakt për arritjen e këtij qëllimi është publikimi i përgjimeve në rrjetet sociale, të cilat përgjime ishin kryesisht të vjetra, të bëra në kohën e qeverisjes me VMRO DPMNE-në, e që dyshohet se këto përgjime dilnin në skenë kryesisht nga dosja që kishte kopjuar LSDM, para se ta dorëzonte materialin në prokurori speciale.

Edhe pse jo mjaftueshëm të besueshme, këto përgjime nuk dhanë efektin e duhur nga fakti se aty publikoheshin biseda kryesisht personale, e që në gjuhën e popullit janë mirë të kuptueshme, por pa efekt në çështjet politike.

Zvarritja e projekteve te shqiptarët

Lufta për të treguar suksesin mes ministrave brenda qeverisë është e vazhdueshme dhe rivaliteti është shumë i madh. Edhe pse në botën ideale, të gjithë ministrat duhet të punojnë për interesin e gjithë qytetarëve, brenda qeverisë së Zaevit ka përçarje të shumta se kush të marrë primatin për projekte të realizuara.

Kryesisht ministra të LSDM-së kanë zvarritur projekte që merreshin përsipër të realizoheshin nga ministra të BDI-së. Vetëm për 12 km të rrugës Shkup –Bllacë, në kufirin me Kosovën, qeveria pohon se do të nevojiten minimum edhe katër vite për ta ndërtuar, ndërkaq pala kosovare gati 65 kilometra autostradë i ka përfunduar brenda katër viteve. Ngjashëm ndodhë edhe me projekte tjera që kanë të bëjnë me ekologjinë, rrugët, gasifikimin, zonat e lira ekonomike, ndërtimin e objekteve kulturore etj. Vetëm pasi u caktua data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, qeveria në mbledhjen e mbajtur në Tetovë, me presion të BDI-së, aprovoi një sërë projektesh që do të ndërtohen në të ardhmen në rajonin e Pollogut.

Ekonomia – Ministri nga BDI-ja, sukseset i përshkruhen LSDM-së

Edhe pse për vite me radhë Ministrinë e Ekonomisë e udhëheqë kuadër i BDI-së, ndryshimet dhe avansimet në ekonomi çdoherë merren përsipër nga ministrat maqedonas. Në qeverisjen e fundit, ministri i ekonomisë nga radhët e BDI-së vazhdimisht ka qenë nën hijen e kryeministrit Zaev dhe zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev. Për çdo investitor të huaj, për çdo ndryshim të ligjeve, për çdo të arritur, qoftë edhe në ingerencat e ministrit të ekonomisë, primatin dhe përshkrimin e sukseseve e ka bërë zv/kryeministri Angjushev, duke e lënë jashtë loje ministrin shqiptarë të ekonomisë dhe duke e trajtuar atë si të paaftë për përmbylljen e projekteve ekonomike.

Pengesa për zbatimin e ligjit për gjuhën shqipe

Kushti kryesor për formimin e qeverisë së Zaevit që u vendos nga partitë shqiptare ishte zyrtarizimi i gjuhës shqipe. Edhe pse u pranua avansim më i lartë i gjuhës shipe dhe i njëjti u votua në Kuvend me shumë polemika dhe kundërshtime, vënia në praktikë e këtij ligji ende has në probleme të mëdha. Qeveria dhe media të afërta me LSDM-në me ngulm u munduan që ta konsiderojnë ligjin për gjuhën shqipe si e drejtë e tepër që iu është dhënë shqiptarëve, pasi kështu kinse është raporti i Komisionit të Venecias, i cili ende nuk u dorëzua plotësisht. Në fakt ky komision duhej të vendoste vetëm në pjesën ku duhet të implementohej ligji i gjuhës shqipe, tek kartëmonedhat dhe tek uniformat e policisë dhe ushtrisë.

Akuza direkte mes funksionarëve të LSDM-së dhe BDI-së

Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zeqiri në disa intervista të fundit në media ka qenë personi që më së shumti ka kritikuar partnerin e koalicionit BDI-në, duke lënë larg çdo mundësi bashkëpunimi në të ardhmen. Edhe emërimi i disa funksionarëve në Kuvend, siç ishte rasti me drejtorin e Revizionit shtetëror ka dështuar për shkak të pakënaqësive ndërmjet të dy partive dhe pamundësisë për të dakordësuar se kush duhet të emërohet në këtë pozitë.

Ndërkaq, kohë më parë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në një deklarat të tij pat deklaruar se “e kupton si luftë speciale ndaj BDI-së deklaratën e ministres Carovska se në Fondin Pensional ku drejton kuadër i BDI-së janë ‘humbë’, 19 milionë euro”, e që në fakt u dëshmua se kjo nuk është e vërtetë pasi paratë ishin aty.

Marrëveshje të fshehta për bashkëpunim mes LSDM-së dhe partive shqiptare

Pas publikimit të datës së zgjedhjeve parlamentare, shpëtimi i vetëm i qeverisjes Zaev u duk në një koalicion parazgjedhor mes LSDM-së dhe BDI-së. Por, duket se i mllefosur dhe i pakënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm, kryetari Ali Ahmeti publikisht dhe qartazi mohoi se mund të ketë një koalicion parazgjedhor me LSDM-në. Me këtë vendim Ahmeti dha porosinë e tij se askush nuk mund të shpëtojë LSDM-në në këtë situatë kur e gjitha lufta ishte mbjellur kundrejt BDI-së.

Pasi u mbyll mundësia për bashkëpunim parazgjedhor mes partive shqiptare dheatyre maqedonase, kohës së fundit në opinion përfolett se LSDM-ja, po punon fuqishëm për të afruar partitë e vogla opozitare shqiptare në koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit, të vitit 2020.

Partia “Alternativa” edhe vet e ka thënë se janë në bisedime me LSDM-në, për një koalicion parazgjedhor, por aktualisht nuk mungon oferta edhe për partitë tjera shqiptare që janë në opozitë. Zaev e konsideron veten se i ka borxh partisë së Zijadin Selës dhe për këtë arsye mund ta afrojë atë edhe më shumë për zgjedhjet e ardhshme.

Në gjuhën politike, të gjitha presionet, kundërshtimet dhe lojërat mes kolaicioneve e lënë për t’u kuptuar se LSDM-ja dëshiron që BDI-ja të dobësohet sa më shumë në zgjedhjet e ardhshme, të ketë sa më pak mandate deputetësh, për të pasur pastaj mundësinë që Zaev nëse mandatohet për të formuar qeverinë ta ketë më të lehtë të vendosë për çështjet e shqiptarëve.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...