Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: A po shuhet ideja e Mini-Schengenit!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 28 janar – Liderët e tre vendeve ballkanike, kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë kanë përçuar mesazhin e përmbajtjes së marrëveshjes e ashtuquajtur “mini-Schengen”, e cila sipas tyre ngërthen katër liritë e Bashkimit Evropian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Çka përfshin “Mini-Schengeni Ballkanik”?

Pikat kryesore të “Mini-Schengenit” janë:

1. Udhëtimi i shtetasve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda territorit të tre vendeve vetëm me letërnjoftim.

2. Të huajt në shtetet anëtare të nismës mund të udhëtojnë pa viza shtesë.

3. Lejet e përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dhe diplomave, pa procedura shtesë.

4. Shkëmbimi i studentëve.

5. Projekte të përbashkëta R&D.

6. Prezantimi i një kohe pune 24-orëshe për të gjitha shërbimet e inspektimit kufitar, me fokus në inspektimin fitosanitar dhe veterinar.

7. Paketë unike e dokumentacionit që kërkohet për transitin e mallrave, me theks në prezantimin e sa më pak dokumenteve që të jetë e mundur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit digjital.

8. Ndryshime në ligjet e tregut të kapitalit, taksave dhe sistemit financiar në të tre vendet, me qëllim krijimin e kushteve për një rrjedhë të qetë të kapitalit.

9. Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e luftimit të krimit transnacional dhe terrorizmit.

10. Përcaktimi i rregullave të veta në shumë fusha për të përmirësuar atraktivitetin e të tre vendeve dhe bashkëpunimin.

Kundërshtimi i fortë i Kosovës!

Kosova nuk ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj iniciative e frikësuar se mund të dëmtohet nga Serbia. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  kishte thënë se ai ka refuzuar pjesëmarrjen pasi Kosova nuk mund të jetë pjesë e një iniciative të tillë në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarura.

Serbia është një shtet që nuk njeh Kosovën dhe kufijtë e saj i konsideron që janë me Shqipërinë e jo me Kosovën në të gjitha dokumentet zyrtare.

Një arsye tjetër e refuzimit të Kosovës është edhe formimi i institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve. Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor. Nga rezultatet përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë me një diferencë jo të madhe ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kosova për momentin nuk ka qeveri. Me një qeveri në ikje, Kosova nuk do të duhej të ngutet në këtë drejtim. Ka kohë deri sa do të qartësohet ideja, qëllimi, të maten qëndrimet politike të vendeve të BE-së dhe strukturës së re të BE-së, dhe të merren vendime nga një qeveri e cila mbi të gjitha do të mbahet llogaridhënëse.

“Mini Schengeni” ftohi raportet e Edi Ramës me Kosovën

Qëndrimin që ka shprehur presidenti Thaçi nënkupton se se kjo më shumë shpërfaq raportet ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe presidentit kosovar. Qëndrimi i presidentit Thaçi edhe reflekton një distancim nga kryeministri Rama. Të gjitha rrethanat nuk kanë ndryshuar, përveç potencialisht marrëdhënieve në mes të Thaçit dhe Ramës.

Dihet mirë që vetë presidenti Thaçi ka synuar faktorizim në nivel rajonal me presidentin Vuçiq duke marrë fokusin qendror në të gjitha takimet rajonale. Një iniciativë e tillë ku ai si lider është anashkaluar në fillet e kësaj iniciative mund të jetë njëra nga arsyet e këtij reagimi – edhe pse gjendja aktuale nuk ka ndryshuar fare. 

Takimet e Kosovës ne Procesin e Berlinit  dhe në Samitin e Berlinit janë takime që zhvillohen me ftesë dhe iniciativë të BE-së apo të vendeve anëtare të cilat trajtojnë Kosovën njësoj si me vendet të tjera të Ballkanit edhe pse me fusnotë. Në rastin e “Mini-Schengent Ballkanik” ka një dallim nga ai i Berlinit pasi ideja e “mini-Schengenit Ballkanik” është ide e cila po iniciohet nga Rama dhe Vuçiq – të cilët po tentojnë faktorizimin e tyre në rajon. Dallimi i vetëm në këtë drejtim është pronësia e procesit.

SHBA-ja mirëpret iniciativën për “Mini-Shengenin Ballkanik”

Ambasada amerikane bashkë me konsullatat e Shteteve të Bashkuara në Gjermani, ka thënë përmes një komunikate se, mirëpret iniciativën e Ballkanit Perëndimor për krijim të një “Mini-Shengeni”, si mënyrë për të nisur lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Ne besojmë se në mënyrë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme, duhet të përfshihet i gjithë rajoni, bashkë me Qeverinë e Kosovës”, është thënë në komunikatë.

Mes tjerash në këtë shkresë përmendet edhe se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është e fokusuar në të ndihmuarit e gjithë rajonit për të krijuar mundësi ekonomike dhe vende të punës për të rinjtë.

Kjo komunikatë i është referuar iniciativës rajonale të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për miratim të një deklarate, përmes së cilës synohet të përmirësohet bashkëpunimi rajonal.

S’ka “Mini- Shengen Ballkanik” pa përfshirjen e Kosovës

“Mini- Shengeni Ballkanik” nuk mund të realizohet pa përfshirjen e Kosovës. Një mesazh i tillë u nënkuptua të paktën pas reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mbështetën nismën për “Mini-Shengen”, por u kërkuan vendeve të rajonit që të përfshijnë aty edhe Kosovën dhe qeverinë e saj.

Kjo nismë duhet të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se ky proces nuk sjell asnjë pasojë negative për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nëse ky proces zgjerohet dhe përfshin vendet e rajonit dhe nëse ky proces merr për bazë gjithë procesin që do të ndodhë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për njohjen e realitet në Kosovë dhe në Ballkan, atëherë nuk sjell asnjë pasojë negative, përkundrazi në të ardhmen mund të jetë një proces pozitiv.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...