Editorial / Aggeler “Qortoi” partitë politike në vend, “Mos politizoni korridoret, dhe hiqni duart nga Gjyqsori”

nga Redaksia

Shkup, 11 korrik – Diplomatët të huaj në Maqedoninë e Veriut thuajse në çdo paraqitje publike po japin mesazhe të qarta se si duhet të drejtohet dhe në cilën rrugë duhet të shkojë Maqedonia e Veriut, por duket se veshët e politikanëve janë të shurdhur. Populli thotë “iu kanë zënë veshët lesh” dhe pikërisht kështu, por ndodh edhe me politikanët në këtë vend, të cilëve vazhdimisht “iu bien këmbanat” por ata se çajnë kokën fare se çfarë thotë dikush me një demokraci më të zhvilluar. Me rëndësi për politikanët e Maqedonisë së Veriut është që të çojnë në terezi punët e tyre dhe për punët tjera nuk ka dert!, shkruan “Zhrunal.mk”.

Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, i ka bërë për “pesë pare” partitë politike në vend, duke iu dhënë porosinë e qartë se nuk duhet të politizohen gjërat, sepse nga kjo ka dëm vetë shteti dhe qytetarët e saj.

E gjithë bashkësia ndërkombëtare është e zhgënjyer me progresin në gjyqësor sepse gjatë tridhjetë viteve të fundit, vetëm SHBA ka investuar me gjysmë miliardë dollarësh në programet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, por fatkeqësisht nuk shihet përmirësime dhe reforma që mund të priten me një investim kaq të madh.

Në fund të fundit, korrupsioni sistematik në të gjithë Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë sektorët i dëmton qytetarët, pasi kjo shoqëri meriton një system gjyqësor të drejtë, një qeveri, veprimet e së cilës janë transparente dhe ju shërbejnë qytetarëve, shkruan “Zhrunal.mk”.

Qeveria duhet të fokusohet, pavarësisht se cila parti është në pushtet që të ketë gjyqësor të pavarur dhe jopolitik.

Sa i përket korrupsionit, mesazhi nga ambasadorja amerikan është shumë i qartë “duhet të ketë përgjegjësi për të gjithë, kudo”.

Prandaj, në të njëjtën kohë, politizimi i tepërt i gjërave ndonjëherë mund të jetë po aq i dëmshëm sa vetë korrupsioni duke penguar projektet e mira të ecin përpara dhe duke u dërguar një mesazh investitorëve të tjerë potencialë se të bërit biznes në Maqedoninë e Veriut është shumë e komplikuar dhe burokratike, shkruan “Zhrunal.mk”.

Kjo porosi shkon direkt për opozitën maqedonase e cila me çdo kusht po përpiqet të pengojë progresin e vendit. Pikërisht kjo porosi u bë në drejtim të projektit për korridoret 8 dhe 10d, i cili paraqet investimin më të madh në infrastrukturë në historinë e këtij vendi dhe përfitimet për qytetarët janë të mëdha.

Nga ky project kemi një numër të madh vendesh pune, kontrata me kompani dhe furnitorë vendas si dhe partneritet me një nga kompanitë më të respektuara amerikane që punojnë në Ballkan dhe në mbarë botën.

Me përfundimin e këtyre rrugëve do të reduktojnë koha e udhëtimit në të gjithë vendin, do të përmirësohet siguria dhe aksesi për partnerët e tjerë të NATO-s, do të rritet tregtia dhe do ta bëjnë vendin një qendër jetike transporti në të gjithë Ballkanin.

Fatkeqësisht opozita maqedonase ka vite të tëra që vazhdimisht mundohet të pengojë çdo investim, çdo punë të mirë dhe çdo gjë që është në interes të qytetarëve. Roli i opozitës në një sistem demokratik është që të përkrahë të mirën dhe të ndalojë të keqen. Tek ne, fatkeqësisht çdo gjë që e bën qeveria, konsiderohet me çdo kusht që duhet të ndërpritet, prandaj nuk kemi një sistem progresiv të punëve.

Zhvillimi duhet të përkrahet, pavarësisht se nga vjen ai, por jo të vendosen stërkëmbëza ndaj çdonjërit që kërkon të bëjë një vepër të mirë. Në një projekt madhor siç është korridori 8 dhe 10d, ku vetë amerikanët po garantojnë se do të jetë transparent dhe i suksesshëm, nuk ka nevoj opozita të bëjë zhurmë të kotë dhe të pengojë procesin. Është e drejtë e tyre që të tregojnë se ku janë anomalitë, por jo edhe të pengojnë çdo gjë.

Ngjashëm po ndodh edhe me integrimin e vendit në BE. Nëse duhet që komuniteti bullgar të futet në kushtetutë, ngjashëm siç kanë bërë të gjitha shtete që janë anëtarësuar në BE, atëherë duhet edhe Maqedonia e Veriut të shkojë në këtë drejtim, dhe jo siç bën opozita që ndërpret çdo veprim drejt integrimit. Andaj, mesazhi i partnerëve strategjik është shumë i qartë, mos politizoni çdo gjë, mos mundoheni të fitoni pikë politike nga çdo gjë, por mundoheni të përkrahni atje ku është mirë, dhe pengoni atje ku është keq!, shkruan “Zhrunal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More