Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Ahmeti në Hagë për t’i ndihmuar shokët

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 24 korrik – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kishte njoftuar ditë më parë se është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e njëjta që ngriti akuzën për krime lufte ndaj Thaçit e Veselit. Ahmeti thotë se është ftuar si dëshmitar pasi ka qenë themelues i UÇK-së dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Ai shton se është në dispozicion të tregojë çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit të Millosheviçit. Por ndërkohë që për Thaçin e Veselin ka një aktakuzë të ngritur nga kjo Prokurori për rreth 100 vrasje të cilësuara si krime lufte gjatë luftës në Kosovë, për Ahmetin nuk bëhet ende me dije asgjë madje edhe nëse kjo thirrje është në vazhdën e ‘dosjes’ së Thaçit e Veselit me disa ish- luftëtarë të tjerë të UÇK-së.

“Sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time. Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë. Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, kishte shkruar Ahmetin në rrjetet sociale.

Specialja merr vendim për aktakuzat e para

Gjatë muajit gusht kalon afati prej gjashtë muajsh kur Dhomat  e Specializuara mund të konfirmojnë apo refuzojnë propozim – aktakuzat e para të dorëzuara në shkurt.

Por, kush janë ata që do të ulen në bankën e të akuzuarve nën dyshimet për krime të luftës?

Pas pesë vitesh punë e intervistime të qindra personave, Prokurori i Specializuar në Hagë në shkurt të këtij viti njoftoi se ka dorëzuar për konfirmim aktakuzat e para.

Gjashtë muaj kohë ka edhe për konfirmimin ose jo të aktakuzës së dorëzuar ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit dhe 9 ish -pjesëtarëve tjerë të UÇK’së.

Specialja deri më tani ka ftuar të gjithat figurat kyçe të UÇK’së për intervistim. Bujë të madhe bëri propozim aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit për të cilën u bë e ditur përmes një njoftimi për media saktësisht dy muaj pas dorëzimit të akuzës për konfirmim.

ZPS njoftoi se me datë 24 prill kanë dorëzuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, ku Thaçi dhe Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit,  krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Presidenti Thaçi disa herë publikisht kishte deklaruar se Haga nuk e ka ftuar për intervistim, ani pse ishte lider politik i Ushtrisë Çlirimtare. I njëjti bëri të ditur pas publikimit të propozim aktakuzës se ka marrë ftesë nga Specialja. Për katër ditë me radhë, i pari i shtetit është intervistuar në Hagë nga Specialja.

Veseli në anën tjetër kishte marrë ftesë për intervistim në Hagë në nëntor të vitit 2019-të, derisa, kishte dëshmuar para prokurorëve në dhjetor të vitit të kaluar.

Vetëm për Thacin dhe Veselin PS ka njoftuar publikuar, nën arsyetimin se të dy liderët po vazhdonin përpjekjet për pengim dhe sabotim të punës së Dhomave të Specializuara.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, nga fundi i vitit 2018 deri me tani, ka ftuar mbi 300 ish luftëtarë të UÇK-së. Shumica dërrmuese nga ta, janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve ndërsa një pjesë tjetër edhe si dëshmitar.

I pari që u ftua për intervistim, ishte ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, që në kohë lufte njihej si komandant Remi. Ai nuk është mbrojtur në heshtje, ndërsa është intervistuar për orë të tëra nga prokuror e hetues të kësaj zyre.

Pas tij, ftesa i kishte ardhur edhe ish komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakut. Bujë të madhe pati bërë edhe ftesa për ish komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimin. Ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Ftesës nga Specialja nuk i ka shpëtuar as ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Në të njëjtën cilësi është intervistuar edhe ish shefi i Inteligjencës së UÇK-së, Kadri Veseli.

Po ashtu pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë paraqitur edhe shumica dërmuese e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, janë themeluar në gusht të viti 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Ahmeti në Hagë për t’i ndihmuar shokët

Ali Ahmeti para Tribunalit Ndërkombëtar në Hagë do të shkojë dhe do të takojë shokët, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij të LPK-së e të UÇK-së! Në Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë janë ftuar disa nga udhëheqësit e lartë të LPK-së dhe shumica e themeluesve të UÇK-së!

Me dëshminë e tij në Hagë, historia do të dëshmojë se Ali Ahmeti do mbrojë UÇK-në sepse është njëra prej krijesave për të cilën ka hedhur firmë dhe i takon ta mbrojë.

Nuk është rastësi që Gjykata Speciale në Hagë, thërret për të dëshmuar udhëheqësin e shquar dhe veprimtarin e palodhshëm të LPK-së, njërin prej themeluesve të parë të Sektorit të veçantë e më vonë të UÇK-së, por edhe Anëtarin e parë të Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmetin.

Ftesa për në Tribunalin e Hagës për Ali Ahmetin është edhe një argument dhe një dëshmi më e madhe, se sa shumë e në çfarë përmase ishte i organizuar e organizatorë për fillimin e luftës së armatosur, për drejtimin e saj, për zhvillimin me sukses të operacioneve të para të saj.

Ahmeti do të dëshmojë se lufta e popullit shqiptar ka qenë e pastër

Ali Ahmeti është politikani kombëtar, që në Hagë shkon me vlerësim maksimal ndërkombëtar në respektim të shtetit ligjor dhe funksionimin euroatlantik të agjendës së tij për Maqedoninë e Veriut dhe për popullin shqiptar!

Ali Ahmeti, në Tribunalin e Hagës do të shkojë jo vetëm të mbrojë UÇK-në, por do të mbrojë edhe Kosovën e pavarur sovrane në kufijtë e saj të njohur e të pranuar ndërkombëtarisht!

Ali Ahmeti, pasi është ndër themeluesit e UÇK-së, UÇPMB-së dhe i UÇK-së në Maqedoni do t’i tregojë gjithë botës se LPK dhe UÇK ishin makanizmat politiko-ushtarak, të cilët të ndihmuar edhe nga aletaët tanë të mëdhenj SHBA,BE dhe NATO i dhanë fund robërisë shekullore të Serbisë në Kosovë!

Ndaj Ali Ahmetit s’ka pasur asnjëherë as edhe një dyshim më të vogël në të cilin ai dyshohet se është përfshirë në punë jo të pastërta dhe pikërisht për këtë arsye, ai ftohet si dëshmitar për të treguar se sa e drejtë dhe e paqtë ka qenë lufta e shqiptarëve edhe në Kosovë, edhe në Luginë por edhe në Maqedoni.

Ahmeti gjithmonë ka qenë përkrah ndërkombëtarëve dhe asnjëherë nuk ka marrë ndonjë veprim i cili ka qenë në kundërshtim të faktorin ndërkombëtar. Ai ishte ndër faktorët kryesor në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, në armëpushimin e UÇK-së, në çarmatimin e saj me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe në integrimin e popullit shqiptar dhe strukturave të UÇK-së në institucionet shtetërore.

Bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar ishte dhe mbetet i ngushtë në çdo veprim politik e institucional për barazi të drejtë dhe sundim të ligjit në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha këto fakte, janë vetëm një tregues i rrugës së pastër të UÇK-së për liri dhe drejtësi të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...

Regjistrim Domain, Ueb Hosting, Uebfaqe për kompaninë tuaj, vetëm për    273 euro

error: Content is protected !!